“Më mirë të mbytem me tre kalamajtë”, Basha i del në krah gruas nga Lezha: S’të lëmë vetëm!

48
Kryetari i PD Lulzim Basha vizitoi disa familje në Lezhë që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike dhe kanë mbetur në mëshirë të fatit, pa asnjë të ardhur. Rasti i Ardian Danit, është ai i babait që, pas vdekjes së bashkëshortes, rrit i vetëm 3 fëmijë të mitur. Pas heqjes së ndihmës ekonomike lypja në rrugë dhe shitja e gjakut është e vetmja mënyrë mbijetese për Ardianin. “E kam bërë mbrëmë një copë byrek, rafti ja ku është bosh. Tek Kryqi i Kuq kam dhënë gjak. Për çfarë? Vetëm për të mbajtur fëmijët me një pako makarona. Frigoriferi nuk punon. Urdhëro. (Frigoriferi bosh) Gjak trupi po jap, vetëm me rrit tre jetimë”. Agentina Bacaj është kryefamiljare, nënë e tre fëmijëve, e zhytur në dëshpërim pas heqjes së ndihmës ekonomike. Të katërt jetojnë në një dhomë me qira, në kushte të mjerueshme, por pa ndihmë ekonomike, sepse vajza e madhe e saj kishte bërë praktikë dy muaj në një vend pune. Agentina: “Kam katër muaj pa paguar qira. Më japin bukë për sevap. Më mirë më shku me u mbyt me tre kalamaj”. Basha: “Jo, jo. Kemi ardhur për të thënë që jemi në krahun tënd e të fëmijëve të tu. E rëndë është situata, por vetëm nuk të lëmë.” Gjendja është po kaq e rendë në familjet e Leonora Lukës, nënë e tre fëmijëve, e Hyrije Berishës, që jeton në kushte ekstremë varfërie dhe mbijeton me lëmoshë, Afërdita Lugjës, nëna e dhunuar e tre fëmijëve, që jeton në skamje me urdhër mbrojtje, por pa bukë për fëmijët, e Dorinës, nënës 22 vjeçare, që rrit e vetme në 10 metra katror tre fëmijë të mitur, e Bashkim Mekrizvanit, i cili jeton duke mbledhur kanoçe për të siguruar disa të ardhura për ilaçet e vajzës Xhonana me sëmundje të rëndë. Ai i tregoi Bashës se edhe energjinë elektrike ia kishin prerë dhe nuk kishte asnjë të ardhur tjetër përveç ndihmës ekonomike. “Ne më mirë me u myt në det.”- u shpreh i dëshpëruar kryefamiljari i pashpresë. Basha: “Ne kemi ardhur për të qarë hallin me ju dhe për të ngritur zërin për ju. Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj, jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike.” Kujtojmë se në datën 15 Mars opozita ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama, lidhur me këtë çështje.