Më larguan, sepse luftova trafikantët e drogës, të lidhur me shtetarë. Më shantazhuan agjenci ligjzbatuese

622
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Më larguan, sepse luftuam trafikantët e drogës të lidhur me shtetarët

Ish-ministri i Brendshëm Xhafaj adreson përgjegjësitë edhe tek Sandër Lleshi, si këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë dhe Rendin

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dje në përshëndetjen e lamtumirës me punonjësit e Policisë së Shtetit, dhe të kuptohet se ai nuk dha dorëheqjen, por e shkarkuan, madje, siç pohoi edhe vetë ish-ministri Xhafaj, tani, kur në sajë të punës së tij si drejtuesi politik i Ministrisë së Brendshme dhe i Policisë së Shtetit, Shqipëria nuk është më në hartën e trafikimit ndërkombëtar të drogës, u luftuan edhe “të fortët” e botës së krimit. Jo vetëm kaq, por ish-ministri Xhafaj deklaroi se edhe audiopërgjimi i vëllait të tij, është “vepër” e

agjencive ligj-zbatuese, madje audio-përgjimi ndaj vëllait të tij, u bë me qëllim final, sipas tij, shantazhimin “ndaj meje si ministër”, – siç u shpreh.

Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit

Sipas ish-ministrit të Brendshëm, Xhafaj, lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabis, ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht. Xhafaj adresoi edhe problemin tek paraardhësit, duke e quajtur “si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.

Lufta kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit” 

Ish-Ministri Xhafaj pohoi për herë të parë se lufta kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit” u bë për herë të aprë prioritet, vetëm 12 muaj më parë qeveria miratoi Planin Kombëtar për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe ne filluam së bashku një projekt shumë të dashur për mua, Operacionin e emërtuar “Forca e ligjit”, një projekt të cilit i kemi kushtuar së bashku gjithë energjitë dhe aftësitë tona menaxheriale dhe operacionale. Një projekt ambicioz, i mirë menduar dhe mirë organizuar, i vlerësuar e mbështetur gjerësisht edhe për këtë shkak edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, gjë që e kanë konfirmuar në disa qëndrime publike edhe këtu në Tiranë. Sot, krimi i organizuar në veçanti, por edhe krimi në përgjithësi nuk ndihet më i qetë. Përfaqësues të grupeve kriminale që deri dje emrin e tyre nuk guxonte kush t’i përmendte dhe jo më të mendonte për t’i vendosur në bankën e të akuzuarave nga drejtësia, sot gjenden në qeli, ndërsa ata që janë jashtë po e shohin çdo ditë që rrethi po ju ngushtohet, se nuk e kanë më lirinë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre kriminale.

Segmente të agjencive ligj-zbatuese vendase më shantazhuan si ministër

Ish-ministri Xhafaj fotografoi edhe segmente të agjencive ligj-zbatuese vendase që e shantazhuan atë si ministër, me anën e audio – përgjimit të vëllait të tij. Xhafaj: Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj-zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm, jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit.

Po Sandër Lleshi si këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë dhe Rendin, nuk mban përgjegjësi që ka heshtur?

Sandër Lleshi ka qenë këshilltari i Kryeministrit Rama për Sigurinë dhe Rendin për 5 vite, që nga 2013-ta, nuk mban aspak përgjegjësi, që Shqipëria u mbulua e tëra me kultivimin e hashashit dhe u bë “Kolumbia” e Evropës në trafikimin ndërkombëtar të drogës, madje edhe të kokainës e ardhur nga Amerika Latine? Nuk pa? Në dëgjoi? Po si këshilltar i Rendit dhe i Sigurisë të kryeministrit Sandër Lleshi nuk ka dëgjuar, nuk ka parë kërcënimin e Sigurisë të qytetarëve nga aktiviteti kriminal i bandave dhe i krimit të organizuar? Çfarë këshillash i ka dhënë Sandër Lleshaj kryeministrit, derisa lufta kundër kanabisit nuk u bë prioritet i qeverisë, deri sa të merrte detyrën Xhafaj? Këshilltarin e kryeministrit për Sigurinë dhe Rendin zotin Sandër Lleshi nuk e dëgjoi kryeministri? Nuk e dëgjuan ministrat dhe drejtorët e Policisë së Shtetit? Apo Sandër Lleshi heshti 5 vite? A nuk ndjen përgjegjësi Sandër Lleshi për krimin dhe trafiqet ndërkombëtare që bëheshin në Shqipëri? Kush mund të garantojë që Sandër Lleshi, tani si ministër i Brendshëm, do të ketë prioritet luftën kundër krimit dhe trafiqeve ndërkombëtare, derisa 5 vite heshti si këshilltar i kryeministrit për Sigurinë dhe Rendin?