Me deputet trafikant, Shqipëria nuk integrohet në Bashkimin Europian, pavarësisht reformave të tjera

433
Raporti vjetor i DASH për trafikun e qënieve njerëzore, ku Shqipërinë e cilëson si vendburimi dhe destinacioni për trafikun e burrave, grave dhe fëmijve evidentoi edhe një herë problematikën e kriminalizimit të politikës tonë. Edhe pse maxhoranca dhe opozita nënshkruan një marrëveshje në 26 dhjetor 2014 për të bërë dekriminalizimin e Parlamentit dhe të politikës, palët nuk treguan vullnet politik, derisa nuk bënë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor për të penguar personat me rekorde kriminale që të mos garonin në 21 qershor 2015. Deputeti Mark Frroku ndodhet sot në qelinë e burgut, si i akuzuar për vrasje të bërë në Belgjikë, por edhe ky rast u evidentua për shkaqe që nuk kanë lidhje me katharsin e politikës nga krimi. Maxhoranca dhe opozita shkëmbyen gjatë fushatës zgjedhore të 12 qershorit 2015 akuza të ndërsjellta ndaj kandidatëve të cilët kanë rekorde kriminale. Vetëm PD para zgjedhjeve tërhoqi kandidatin e saj në bashkinë e Këlcyrës, pikërisht për dyshime se kandidati ishte dënuar në Itali. Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, më 20 qershor 2015, bëri një apel publik zgjedhësve që të mos votojnë kandidatët me rekorde kriminale, pasi ata përbëjnë një poshtërim për popullin shqiptar. Kriminalizimi i politikës, vë në pikëpuetje të madhe edhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, pavarësisht, se sa do të plotësohen 5 kushtet e BE. 
Deklaratë e Ambasadës së SHBA: E turpshme, që i dënuar për trafikimin e njerëzve, është deputet
Menjëherë pas publikimit të raportit të DASH, reagoi edhe ambasada amerikane në Tiranë, duke theksuar se “ është e turpshme që një i dënuar për trafikimin e njerëzve, është deputet i Shqipërisë”. Deklarata e ambasadës amerikane: “Në vijim të interesimit nga media për Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015, Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standartet minimale për eleminimin e trafikut. Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve. Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.
Anjë reagim nga kryeministri
Edhe pse kryeministri dje ndodhej në Tiranë dhe nuk ka shkuar ende për pushime, nuk reagoi fare ndaj raportit vjetor të DASH, ku haptazi pa asnjë doraçkë diplomatike, akuzon se trafikanti i qënieve njerëzore, i dënuar më parë, sot është deputet në Parlamentin shqiptar. Kryeministri Rama mori pjesë dje në prezantimin e një projektligji, por nuk tha asnjë fjalë ndaj akuzës së DASH. Deputetët e PS, kanë heshtur, duke mos dashur që të prononcohet, por edhe ata pak që u detyruan të përgjigjeshin pyetjeve, u shprehën se ende nuk e kanë lexuar raportin e DASH.
Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit: Përpara drejtësisë të inkriminuarit e përfshirë në veprimtari të paligjshme të trafiqeve
Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përshëndet dhe vlerëson Raportin e sapopublikuar të Departamentit të Shtetit të SHBA për Trafikimin e Personave, në të cilin vlerësohet përparimi i angazhimit dhe përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në luftën e vazhdueshme ndaj këtij fenomeni dhe aktiviteti kriminal. Meta shpreh bindjen se Raporti përfaqëson një platformë të rëndësishme dhe nxitje pozitive për punën e strukturave të specializuara të shtetit që përballen me këtë fenomen, në zbatimin e plotë të ligjit, zhvillimin e programeve sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut, parandalimin e shfaqes së tij, si dhe goditjen dhe ndëshkimin ligjor dhe pa asnjë kompromis të të gjithë të inkriminuarve që kanë përfituar apo tentojnë të përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale. Meta, në frymën që përcon ky Raport, njëkohësisht apelon dhe kërkon nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, të rrisin nivelin e profesionalizmit dhe të luftojnë pa asnjë kompromis, si dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit e përfshirë në veprimtari të paligjshme të trafiqeve të çdo lloji. Meta gjithashtu vlerëson se lufta e pandërprerë ndaj krimit dhe korrupsionit është një sfidë e rëndësishme që kërkon modernizimin e shtetit, përkushtim, profesionalizëm, transparencë dhe mbështet procesin e dekriminalizimit përmes rritjes së standardeve ligjore për të gjithë përfaqësuesit publik të zgjedhur apo të emëruar. 
Lulzim Basha: Rama nuk mund të fshihet më pas gjethes së fikut, qeveris me të inkriminuar
Kryetari i PD Lulzim Basha reagoi dje pas publikimit të raportit të DASH, duke bërë përgjegjës për këtë situatë qeverinë, dhe Ramën, sepse trafikantët i kanë bërë deputetë, i kanë graduar në poste kyçe. “Raporti është fotografia e vërtetë e shtimit të këtyre krimeve në Shqipëri. Trafikantët tutorë emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtora dhe në poste të tjera kyçe nga Edi Rama. Kjo është arsyeja kryesore pse është shtuar trafiku, krimi është veshur me pushtet”,- tha ai. Basha shtoi ndër të tjera se në qeverinë e Ramës trafikantët kanë një status të privilegjuar prandaj ai këroi të vihet në zbatim nisma e opozitës për dekriminalizimin e politikës. “Ndihem dhe jam thellësisht i brengosur me ketë situatë tonditëse, pas kësaj tabloje vlojnë dhimbje dhe drama njerëzore. Dekriminalizimi është parakusht”,- nënvizoi ai. Duke e cilësuar realit dhe konstruktiv raportin e DSH, kreu i PD-së tha se: “Në betejën kundër krimit nuk jemi vetëm, kemi në krah SHBA, BE ku duam të integrohemi. Raporti është një provë e fuqishme e kësaj mbështetje”. Sipas Bashës, “Edi Rama që ka krijuar problemin nuk mund të fshihet më pas gjethes së fikut, tashmë bota mbarë e ka të faktuar gradimin në pushtet të njerëzve të trafikut”. “Kjo qeveri është vetë problemi. Dyshja Rama-Meta i sollën vetë trafikantët. Ata kandiduan Frrokun, Ndokën, Pecin e dhjetëra të tjerë, duke sfiduar aleatët tanë. Nuk flet se më ta morën pushtetin, kërcënuan zgjedhësit, morën votat, me ta ndajnë pushtetin, lejet, koncesionet, kontrabandën. Prandaj hesht Rama dhe Meta se krimi janë vetë themeli, prandaj manipulojnë provat, zhdukin dëshmitarët, sepse Rama me Metën nuk shkëputen dot nga ortakët e tyre të krimit”. Sipas Bashës, për sa kohë që vendi qeveriset nga kriminelët, do të ketë rrokullisje. “Vendi nuk mund të mbetet peng i krimit të veshur me pushtet, nuk e pranojnë qytetarët, partnerët tanë. Pa zgjidhur këtë, asnjë problem tjetër nuk merr dot zgjidhe.”.
Saimir Tahiri: “Është raporti më i mirë i 25 viteve të fundit”
Taulant Balla: “Po ta lexojmë me kujdes, sigurisht do jetë një objekt vlerësimesh dhe sigurisht reflektimesh për të përmirësuar gjithë gjetjet e raportit”.
Gramoz Ruçi: “Po më pyesni për një raport të cilin ende nuk e kam lexuar, ka dalë mbasdite kur unë kam qënë në parlament”.

Flasin për “Telegraf”
Marko Bello: Turpi i drejtuesve partiakë të bëjnë deputet trafikantë, moment më të errta të historisë
Raporti i DASH është një shuplakë e fortë për vendin tonë, i cili ka bërë hapa prapa në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore. Jemi njëherazi vend origjine dhe tranziti i viktimave të trafikut, më keq se në fillim të viteve 2000. Them më keq, pasi për turpin tonë trafikantë të qënieve njerëzore janë thërritur të bëhen deputete në institucionin më të rëndësishëm të një republike parlamentare sikurse Kuvendi. Ky turp i bërë nga drejtues të partive politike do të mbesë përgjithnjë në analet e diplomacisë amerikane, si një nga momentet më të errëta të historisë së shtetit shqiptar, kur vesi mbyti virtytin në mënyrën më arrogante të mundshme.
Majlinda Keta: Ka vdekur morali i partive të Kryetarëve që nominojnë këto parlamentarë
Deklarata është skaneri më domethënës i pleksjes 25 vjeçare të binomit polikanë-trafikim i qënieve njerëzore. Së pari politika mbetet “e dashura” e këtij elementi të krimit të organizuar në vend, pasi sipas deklaratës ende qeverisja “vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standarde minimale për eleminimin e trafikut”. Pra ENDE duhen, jo eleminojnë njëra tjetrën 2 anët e binomit. Së dyti, raporti shpreh një “institucionalizëm” shqiptar PRO individëve që karrierat jetësore i kanë ngritur mbi “të mirat” e trafikimit. Denoncohet akti më i shëmtuar, ai i uljes në parlament i një trafikanti të vërtetuar e prej këtu ka vdekur morali i partive të Kryetarëve që nominojnë këto parlamentarë; ka vdekur morali i atyre që e ndajnë parlamentin me cilësi të tilla; ka vdekur morali i institucioneve që duhet ta ndalonin këtë precedent, etj, etj. Për mua kjo situatë e Kryetarëve Fuqiplotë për të vënë në MENU Parlamentare dhe politike kandidatë të tillë nuk ka asnjë ndryshim nga totalitarizmi, autoritarizmi. Për mua dorëheqja duhet të fillojë tek Partitë ofruese, të mbarojë tek tek SHISH etj, etj. Ndryshe, do të na duhet të rivlerësojmë shprehjen e Linkolnit: ” Hipokriti: Njeriu që vrau të dy prindërit e tij dhe u lut për mëshirë, duke u qarë se ishte jetim.” 
Mevlan Shanaj: Të inkriminuarit, loja e kingulleshave mes partive
Duket që lojrat politike me histori të inkriminuarish të kujtojnë lojrat e kungulleshave mes partive. Me sa duket DASH tashmë jo për media, por për qeveritë e vendeve në zhvillim pa demokraci të stabilizuar, kanë vendosur të heqin dorashkat, se ndryshe edhe veshët edhe sytë në kësi rastesh nuk funksionokan.
Astrit Çerma: Shoqëria që drejtohet nga krimi, është më e rrezikshme se nën diktarurë
Një shoqëri që mëkohet e drejtohet nga krimi, që detyrohet të bjerë e të jetojë në anarki, është më e rrezikshme e më fatkeqsjellëse se një tjetër nën diktaturë. E dyta e vret njeriun,kjo e “para e basardon njeriun në kavje..
Av. Idajet Beqiri
Raporti i DASH për trafikimin e qenieve njerëzore duhet kuptuar dhe vlerësuar me realizëm, me mënçuri, me përgjegjësi dhe mbi të gjitha me vendosmërinë për të mos u kthyer kurr në gjëndjen katastrofale që ishim. Misionari i antishqiptarizmit Berisha, ky dëmësjellës dhe shkatërrues i përmasave të paimagjinueshme të vlerave të kombit dhe popullit shqiptar, qysh kur erdhi në pushtet dhe deri sa iku, përcaktoi dhe zbatoi strategjinë e qeverisjes së vendit me lulëzimin e krimeve më të rënda dhe më shokuese për psikikën e shqiptarit, siç janë futja e zjarrit të hakmarrjes, trafikimi i vajzave dhe grave shqiptare, terrori, trafiku i drogës, pasiguria për jetën. Situata ishte e tillë, sa do reflektonte domosdo dhe në majat e pushtetit dhe të politikës. DASH nuk do që ky fenomen të rishfaqet në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një fenomen që po shuhet. Mbase forca zbuluese, ekstradimi dhe dënimet e rënda me burg, e kanë bërë efektin e tyre. Ky lloj krimi në Shqipëri tashmë nuk përbën asnjë problem.
Sigal