Me 118 vota Pro, u votua heqja e imunitetit të deputetit Prenga, hapet drita jeshile për arrestim

49
Kuvendi i Shqipërisë nisi sot punimet e sesionit të pestë të legjislaturës së VIII-të. Ne nisje te seances, parlamenti votoi sot me 118 vota pro, 1 kundër, asnjë abstenim raportin e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Armando Prenga duke i dhënë kështu autorizim Prokurorisë për arrestimin e deputetit.
Në krye te axhendës së seancës së parë të Kuvendit ishte shqyrtimi i kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga. Deputeti Prenga nuk ishte i pranishëm në sallë pavarësisht se është njoftuar për të marrë pjesë në seancë.
Grupi i Partisë Socialiste u mblodh përpara nisjes së seancës dhe vendosi që të votojë Pro kërkesës së prokurorisë për arrestimin e deputetit Prenga. Edhe grupi parlamentar i PD-së u mblodh përpara nisjes së seancës dhe kërkoi që në kalendarin trejavor të kuvendit të futej edhe nisma për dekriminalizimin, gje qe u nuk u miratua nga Konferenca e Kryetareve.
Të dielën në mbrëmje Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve miratoi kërkesën e kryeprokurorit që kërkonte autorizimin e parlamentit për arrestimin e deputetit në fjalë, i cili akuzohet se në orët e para të datës 5 shtator u përfshi në një konflikt të dhunshëm në Kurbin, nga ku mbetën të plagosur 7 persona, dy prej tyre me armë zjarri.
Deputeti Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës, por për ta mbajtur në gjendje arresti, për shkak të imunitetit parlamentar, nevojitet autorizimi i Kuvendit.