Mbytjet e pushuesve në plazhe, Luan Rama: Bilance lufte, mosveprimi i shtetit kriminal

116
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar paraditen e sotme në plazhin e Ksamilit, ku një turistë ruse 16-vjeçare humbi jetën. Nga ekspertiza, mjekët kanë konstatuar shenja goditje në trupin e 16-vjeçares, çka konfirmon edhe pretendimin e familjarëve të saj, se u godit nga një mjet lundrues.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Luan Rama i cilëson si “bilanc lufte, në kohë turizmi”, rastet e rënda të regjistruara gjatë ditëve të fundit në plazhet shqiptare, ku disa pushues janë mbytur.

POSTIMI I PLOTE
Kohë turizmi – bilanc lufte!
Edhe një tjetër viktimë në plazhet shqiptare! Pas Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Vlorës etj. hartës së viktimave të mosveprimit kriminal e të qëllimtë të qeverisë i shtohet edhe Ksamili! Kohë turizmi – bilanc lufte!
Askush nuk reagon, askush nuk zbaton ligjin, megjithëse ky vend ka edhe qeveri që ka kryeministër, ka edhe ministri të ashtuquajtur turizmi qe ka edhe ministër, ka agjenci të bregdetit me drejtor, ka bashki me kinse kryetarë! Ka madje edhe Prokurori të Republikës!

Ka e çfarë nuk ka, por askush nuk është për të kryer detyrën, edhe pse ka akte që detyrojnë e normojnë masat e sigurisë në plazhe, qofshin ato publikë apo privatë!

Mosveprim kriminal dhe i qëllimtë, për sa kohë askush nuk reagon pas kaq e kaq shumë rastesh të mbytjes së pushuesve e turistëve në plazhet shqiptare!