Mbyllet me sukses takimi i parë i tre ministrave shqiptarë, znj. Gjosha, z.Tahiri dhe z.Naço, në Bruksel. Ai u zhvillua me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service), z.Pierre Vimont. Ministrja Gjosha, u shpreh gjatë takimit se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk ka më kthim prapa. Tre ministrat shqiptarë informuan rreth masave të marra deri tani në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe angazhimeve të reformave në përgjithësi. Ata theksuan gjithashtu vendosmërinë e qeverisë shqiptare ndaj përmbushjes së prioriteteve, sipas rekomandimeve që ka lënë Bashkimi Evropian. Nga ana e tij, z. Vimont vlerësoi progresin e bërë dhe inkurajoi për vijimin e tij. “Ardhja e tre ministrave shqiptarë në Bruksel është një shenjë e mirë dhe përpjekjet tuaja na bëjnë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë”, tha z. Vimont.