Mbyllet kampingu veror në Jalë, Kryemadhi: LSI mbështet të rinjtë

600
Në ditën e fundit të kampingut në Jalë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u ka bërë thirrje të rinjve të jenë aktivë në politike, si rruga më e mirë për të ndryshuar Shqipërinë. Kryemadhi nuk i ka kursyer kritikat për infrastrukturën e munguar që dëmton turizmin, duke e ilustruar me këtë shembull domosdoshmërinë e më shumë të rinjve në parlament e në drejtimin e vendit.

“Ju e shikoni këtë bregdet aq të bukur, por nuk të ofron atë çfarë ofrojnë vendet e tjera evropiane. Nuk të ofron infrastrukturën, energjinë elektrike, nuk të ofron rrugën e shumë e shumë shërbime të tjera. Ndaj misioni juaj është shumë i thjeshtë: nëse doni të keni një të ardhme të ndritur merruni me politikë, vendosni piketat tuaja, jepini forcë vetes suaj, ecni bashkë në grup, sepse vetëm ashtu mund ta përmbysni këtë realitet të hidhur e të shëmtuar, por mbi të gjitha do të ngrini një të ardhme të ndritur për veten tuaj dhe për brezat që do të vijnë”. Sipas Kryemadhit, LSI është kritikuar për peshën që u ka dhënë te rinjve. “LSI-ja është sulmuar më shumë nga të gjithë për vendosjen e të rinjve në listat e deputetëve nga opinioni publik. Njerëzit janë skeptikë për të rinjtë. Pjesa më e madhe e të rinjve këtu janë studentë, gjimnazistë apo sapo kanë mbaruar shkollën dhe asnjëri nga ju nuk ka garanci se çfarë do të ndodhë me të nesër, ku do të punojë, ku do të jetojë dhe çfarë të ardhme ka. Dhe për këtë fajin e ka politika, por si mund ta lësh ti politikën të vendosë për fatet e tua. Më mirë të vendosësh vetë për fatin tënd se sa dikush tjetër që nuk të konsideron”. Sipas kryetares së LSI, Shqipëria po zbrazet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë që largohen, por zgjidhja më e mirë është që ata ta ndryshojnë vendin e tyre për një të ardhme më të mirë.
Sigal