Mbyllet afati, 4 kandidatë për kreun e PD-së

531
Më 22 korrik do të synojnë votat e demokratëve Lulzim Basha, Eduard Selami, Astrit Patozi dhe Erion Piciri 
Fushata për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Partisë Demokratike do të nisë sot zyrtarisht, ndërsa emri i drejtuesit të demokratëve do të dalë më 22 korrik mes 4 kandidatëve. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, demokratët do të kenë 20 ditë kohë për të analizuar atë çfarë ndodhi dhe kandidatët për të shfaqur platformat e tyre. Procesi nisi pas deklarimit të kryetarit Lulzim Basha për ngrirjen e funksioneve organizative në parti dhe kalimin e kompetencave te nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka. 

Lulzim Basha do të kërkojë, në këtë mënyrë, një mandat të dytë në krye të Partisë Demokratike. Ai e mori drejtimin e PD-së katër vite më parë, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Në garë me Sokol Olldashin, deputetin e ndjerë të PD-së, Basha arriti të fitonte dhe drejtoi opozitën në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe në ato parlamentare të vitit 2017. 

Eduard Selami ishte rivali i parë që shpalli kandidaturën kundër Bashës. Kritik me qëndrimet e PD-së gjatë kohës së protestës në çadër, Selami kërkoi disa herë që opozita ta ndërpriste qëndrimin e ashpër në kundërshtim të përfshirjes në zgjedhjet parlamentare. Vetë Selami mbeti jashtë listës së kandidatëve të PD-së, duke u rikthyer në selinë blu për të shpallur kandidimin për postin që mbante mbi 20 vite më parë. 

Një kandidat tjetër, me qëndrim të ashpra ndaj Lulzim Bashës, është Astrit Patozi. I përfshirë te kritikët e Bashës, Patozi ka deklaruar se do të marrë pjesë në garë, duke kërkuar edhe një dorëheqje të plotë të kryetarit demokrat nga funksionet. Patozi mbeti jashtë listës së kandidatëve për deputetë, ndërsa edhe më parë ishte publikisht kritik ndaj ndaj veprimeve të opozitës. 

Në garë për kreun e PD-së do të jetë edhe Erion Piciri. I papërfshirë në postet e larta drejtuese të Partisë Demokratike, ai shkaktoi jo pak habi me vendimin për t’u përfshirë në një garë, që duket se i lë pak shanse për sukses. 

Tashmë demokratët do të startojnë një fushatë të brendshme, që pritet të jetë e nxehtë. Polemikat prej 25 qershorit e paralajmërojnë këtë, ndërsa kundërshtarët e Lulzim Bashës kërkojnë largimin e tij. Ndër më të ashprit në qëndrime, krahas Patozit, mbeten edhe Jozefina Topalli e Arben Imami. Ata e cilësojnë Bashën si shkatërrimtar të Partisë Demokratike. Vetë Basha, në një deklaratë publike, ka pranuar gabimet, ndërsa ka folur për blerje të votave. I shumëpritur ishte edhe qëndrimi i liderit demokrat, Sali Berisha, i cili bëri fajtor Lulzim Bashën për humbjen, por tha se ai nuk ishte fajtori i vetëm. Sidoqoftë, Berisha këmbënguli te bashkimi i PD-së dhe jo përçarja e saj. 
Kanë deklaruar
Lulzim Basha:
Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike. Këtë do ta përcaktojnë demokratët. Unë kam një projekt dhe projektin tim do ta debatojnë dhe vlerësojnë demokratët në një debat dhe garë të hapur, të ndershme e të barabartë. Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha. Por unë e di se çfarë ka ndodhur dhe jam i vendosur të mbaj përgjegjësi. Jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët dhe qindra mijë shqiptarë, por duke luftuar deri në fund, për ta dhe me ta.
Eduard Selami:
Kryesorja është një analizë e sinqertë, e hapur, e drejtpërdrejtë, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjëra që na bashkojnë, sesa gjërat që na ndajnë. Garat politike brenda partive, nuk janë të lehta dhe me demokraci që janë shumë herë më të formuara se Shqipëria. Jam shumë i sigurt që ne kemi eksperiencën dhe unë do të jap kontribut, që kjo garë të jetë një garë model, që jo vetëm ta nxjerri PD me një lidership më të fortë, më pranë demokratëve, por t’i ngjalli dhe një herë shpresën shqiptarëve dhe të jetë një forcë politike që ta ngrejë Shqipërinë aty ku ne synojmë të gjithë.
Astrit Patozi:
I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një procesi të ndershëm reflektimi dhe një gare të drejtë, marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi. I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të PD në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar, në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara.
Erion Piciri:
Programi im synon të instalojë në PD një lidership autentik, gjithëpërfshirës, të vendosi garën për çdo post partiak dhe publik, të rikthejë konceptin e një partie ideologjike, vlerash dhe kauzash, të ridimensionojë PD-në si parti mazhoritare masash nga e djathta konservatore deri tek qendra social-liberale, të bashkojë të rinjtë dhe të vjetrit, të konsolidojë rolin e grupeve themeluese (të përndjekur, pronarë të vërtetë, të diskriminuar krahinorë dhe fetarë), të rritë peshën e grupeve udhëheqëse të shoqërisë (intelektualët, sipërmarrësit dhe të rinjtë), të krijojë kultin e moralit, të kufizojë rolin e kryetarit.
Basha: Oligarkia po degjeneron në dhunë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi për ndeshjen mes policisë dhe disa aktivistëve të shoqërisë civile, që kundërshtojnë një ndërtim në Tiranë. “Lulishtja pranë parkut të autobusëve ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës”, tha Basha. Ai shtoi se qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën me dhunën e policisë. “Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediet kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë. Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit. Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tone”, tha Basha.
Sigal