Mbyllen zgjedhjet, orë ankthi për partitë

638
Zgjedhjet në Tiranë, orët e ankthit që shoqëruan partitë për ndarjen e mandateve të fundit
Numërimi i votave në qarkun e Tiranës, nuk kaloi pa probleme. Qendra më e kontestuar nga partitë, të cilat luftonin për një mandat, ishte ajo me numrin 35, e vendosur në palestrën e shkollës “Vasil Shanto”
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes u mbyll numërimi i votave në qarkun e Tiranës. Një betejë që kulmoi me disa probleme në orët e fundit të saj. Dita e parë e numërimit të votave, menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit ishte e qetë dhe pa asnjë kontestim nga forcat politike si dhe nga komisionerët në qendrat e numërimit të votave. Deri mbrëmjen e së hënës, situata vazhdoi e njëjtë, ndërsa tek –tuk kishte ndonjë ngritje zëri për ndonjë votë të hedhur shtesë në kutitë e votimit. Lufta e ashpër me deklarata dhe kundërdeklarata filloi pikërisht paraditen e së martës. Kur kishin mbetur edhe të pak kuti votimi në disa qendra të kryeqytetit, nisi një betejë e fortë mes partisë së drejtuar nga Shpëtim Idrizi, PDIU dhe Partisë Socialiste për mandatin e fundit. Nga njëra anë, ishte Idrizi kryetari i PDIU-së që luftonte për të marrë një mandat në kryeqytet dhe nga ana tjetër, Partia Socialiste luftonte të mbante mandatin e 18. Pas më shumë se 12 orësh nga nisja e kësaj beteje, numërimi u mbyll dhe rezultati nuk ndryshoi. Ai mbeti ashtu sikundër ishte në ditën e parë. Partia Socialiste 18 mandate, ndërsa Shpëtim Idrizi e humbi të drejtën për të qenë pjesë e Kuvendit të Ardhshëm të Shqipërisë. Deri në orët e vona të mbrëmjes, Idrizit i duheshin edhe 125 vota për të marrë mandatin, por ai e humbi këtë betejë përballë Partisë Socialiste me të cilën e kishte nisur. Kështu në qarkun e Tiranës, nga numërimi i votave PS mori 18 deputetë, PD 11 deputetë, LSI 5 deputetë, ndërsa PDIU humb mandatin. Idrizi nuk e kaloi dot pragun e 3 %-t, duke kaluar mandati tek Partia Socialiste. Një tjetër betejë në Tiranë për një mandat të fundit, u zhvillua mes Partisë demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike pretendonte mandatin e 12-të, ndërsa LSI të pestin. Të dyja këto forca kaluan ditë ankthi gjatë numërimit të votave. Në fund rezultati ishte i qartë. Qytetarët e Tiranës kishin votuar për të dërguar në Kuvend 11 deputetë të Partisë Demokratike dhe 5 deputetë të LSI-së. Rezultatet e kryeqyteti ishin shkatërruese për dy partitë e vogla, “Libra” e Ben Blushit dhe “Sfida” e Gjergj Bojaxhiut. Asnjë prej tyre nuk arriti të kalojë pragun e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Jashtë këtij Parlamenti mbeti edhe numri dy i listës së PDIU-së Mesila Doda. Gjatë numërimit të votave ka pasur edhe deklarata nga anëtarë të partive pretendente. Sekretarja e Përgjithshme e PDIU, Mesila Doda gjatë ditës së djeshme ka reaguar ashpër nga njësia nr. 5 në Tiranë, duke denoncuar se votat e PDIU po tjetërsohen me qëllim heqjen e mandatit të Idrizit në kryeqytet. “Në procesverbale po tjetërsohen votat, por PDIU do ta marrë një mandat në Tiranë. Përgjegjësit për këtë fushatë kundër PDIU-së do të përballen me forcën e 74 mijë votuesve të papërfaqësuar. Mos të mendojë ndokush që ne do ta zgjidhim këtë me marrëveshje të fshehta 3-orëshe. Kjo veprimtari kriminale do të përballet me drejtësinë” tha Doda nga njësia 5. Por duket se kjo deklaratë nuk e ndihmoi Dodën për të kaluar mandatin në favor të Idrizit, kryetarit të PDIU-së. Mesila Doda ka shënjestruar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 
Sigal