Mblidhet Kuvendi i Partisë Demokratike pas 5 vjetësh. Synimi, rikthimi i shpejtë në pushtet

549
Sigal

Votuan për Këshillin 70% e delegatëve. Basha: Së bashku për histori suksesi. Berisha: Fitorja e demokratëve mund të vijë edhe para zgjedhjeve lokale

Nën tingujt e Himnit Kombëtar, Partia Demokratike çeli pardje në orën 11:00 punimet e Kuvendit Kombëtar, ku morën pjesë 7500 delegatë që përfaqësojnë 101 mijë anëtarë të PD nga e gjithë Shqipëria. Në ditën e parë të punimeve të Kuvendit u mbajtën fjalimet kryesore nga kryetari aktual i kësaj partie Lulzim Basha dhe ish-kreu i saj, Sali Berisha. Po kështu dje u miratuan ndryshimet në statut si dhe u votua për 150 vende në Këshill.

Kandidatët konkurruan për 150 vende në Këshillin Kombëtar. Gjatë dy ditëve kanë votuar 70% e 7500 delegatëve të ardhur nga rrethet, që do të zgjedhin 150 këshilltarët e rinj ndër 285 kandidatë. Nga ky Kuvend, Kryeopozitari Basha ftoi demokratët të nisin bashkë një rrugë të re, atë të rikthimit në pushtet. Ndërsa lideri historik i së djathtës, Sali Berisha tha se ndodhet në një emergjencë kombëtare, prandaj demokratët duhet të protestojnë me çdo formë demokratike për të shporrur, klikën Rama-Meta siç i quajti ai Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin e vendit. Nuk mungoi një përshëndetje me anë të një video-mesazhi nga Jozef Daul, kryetar i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian. Daul, pasi vlerëson marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, thekson rëndësinë që ka vazhdimësia e reformave në rrugën e integrimit Europian. “Shqipëria duhet të avancojë dhe të mos ndalet në mes të rrugës. Për të arritur këtë duhet garantuar pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformat strukturore që lidhen me shërbimin civil, ku nëpunësit duhen zgjedhur sipas meritës”, shprehet në mesazhin e tij kryetari i Grupit të PPE-ve, Daul. Ndërkohë, pasi u miratua statuti i ri i PD-së, nisi edhe procesi i votimit për të zgjedhur 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar. Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike zgjeron forumet drejtuese të kësaj partie, shton departamentet dhe sanksionon parimin ‘një anëtar-një votë’. Projekt-statuti i demokratëve, ndryshon nga statuti aktual në tri pika kryesore. Ndryshimi i parë thelbësor ka të bëjë me nenin 36 për Këshillin Kombëtar, ndryshimi i dytë me nenin 39, që ka të bëjë me  kryesinë, dhe ndryshimi i tretë ka të bëjë me një shtesë në nenin 43, i cili bën të detyrueshme shtimin e departamenteve.

Basha: Bashkë me ju për histori suksesi

Lulzim Basha Kryetari i PD-së, përshëndeti i pari punimet e këtij Kuvendi dy ditor, duke thënë se sot PD-ja është ripërtërirë nga humbja e një viti më parë, vjen e fortë dhe e gatshme për një nisje dhe aksion të ri politik. Basha u shpreh i vendosur që të shkruajë bashkë me gjithë demokratët një histori suksesi në krye të PD. “E mora stafetën në kohë të vështira por jam i vendosur që bashkë me ju të shkruajmë një histori suksesi për të mirën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Objektivi ynë është të jemi parti e parë, parti fituese. U ringritëm nga humbja duke menduar, debatuar, diskutuar, duke vënë gishtin tek mangësitë duke u përballur me qeverinë më antidemokratike”, tha Basha. Kryeopozitari i kërkoi ndjesë anëtarëve por edhe gjithë shqiptarëve për mangësitë që e çuan PD drejt humbjes. Basha siguroi se do korrigjojë gabimet dhe mangësitë. “Në ngjashmëri me indiferencën e të zgjedhurve, drejtorë dhe zyrtarë vendorë janë sjellë në kundërshti të plotë me parimet dhe moralin e Partisë Demokratike. Njerëzit trokisnin për halle, disa prej nesh mbanin sehir nga xhamat e zyrave dhe makinave, duke i shërbyer rehatisë të tyre personale. Këtu nuk është fjala vetëm për distancën fizike me njerëzit, por më keq akoma, për të jetuarit në një bote paralele me qytetarët, deri në moskuptim te tyre. Kjo është distanca që nuk lejon të zgjedhurit te kuptojnë hallet, gjendjen shpirtërore të njerëzve dhe shoqërisë, mendimet e tyre për zhvillimet politike. Kjo në fakt është distanca e deformimit dhe asgjësimit të politikës. Qarkullimi i elitave dhe i zyrtarëve politikë në kuvend dhe në qeverisje u ngadalësua gjatë mandatit të dytë. Këtu nuk kam parasysh qarkullimin si qëllim në vetvete por qarkullimin e përligjur nga performanca e dobët. Kështu nisi një zvetënim i shtuar në disa nivele dhe agjenci të qeverisjes, përfshirë zyrtarë politikë në rrethe dhe në qarqe. Sundimi i ligjit çaloi në disa sektorë të rëndësishëm të jetës publike sidomos nga fundi i mandatit të dytë. Kthimi i pronave nuk ruajti ritmet e parashikuara, legalizimet gjithashtu. Rastet e mitmarrjes, abuzimeve dhe korrupsionit që sipas demokratëve erdhën duke u shtuar me kalimin e kohës, kompromentuan besueshmërinë e premtimeve tona në sytë e publikut. Rastet e arrogancës apo shpërfilljes ndaj situatës ku u gjend një pjesë e sipërmarrjes së lirë në vend për shkak të efekteve të krizës globale nuk ishin sjellje të kostumit tonë politik si parti e nismës së lirë. Fushata jonë elektorale u foli me shumë masave sesa individëve. Një një numër jo i vogël i kandidatëve tanë të siguruar nëpër lista nuk i dhanë rëndësinë e duhur punës derë me derë, por u mjaftuan të dilnin në tribunat e tubimeve të organizuara nga partia në qendër. Për të gjitha këto dhe për çdo mangësi tjetër, unë sot, në emër të Partisë Demokratike u kërkoj ndjesë nga kjo tribunë, me përulje, anëtarëve të Partisë Demokratike dhe para së gjithash atyre qytetarëve që janë ndier të braktisur dhe kanë pasur arsye të ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre nga qeverisja jonë. Bashkë me ndjesën dëshiroj t’ u deklaroj angazhimin dhe përkushtimin tonë për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar e po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona”, theksoi ndër të tjera Basha.

Berisha: Fitorja e demokratëve mund të vijë edhe para zgjedhjeve lokale

Sali Berisha, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha duke përshëndetur punimet e këtij Kuvendi u shpreh se: “Sot shpirtrat e mbarë shqiptarëve janë te vendimet tona me ne, në këtë sallë vendoset fati i demokracisë, nën sulmin e egër dhe kërcënimit mafioz të klikës Rama-Meta që po zëvendëson shtetin ligjor me shtetin policor, i ka shpallur vendimet e gjykatave si letër pa vlerë linçon dhe arreston me bandat e saj demokratët dhe kundërshtarët e saj politikë. Kupola e mafies socialiste po rrënon ekonominë shqiptare”, tha Berisha. Sipas tij, ligji i ditës sot është tritoli, maskat dhe vrasjet kudo në rrugë. Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit, ish- Kryeministri Berisha ka dhënë një deklaratë për shtyp duke u shprehur se: “Fitorja mund të vijë edhe para zgjedhjeve lokale. Kur vjen fitorja, nuk i thotë kush mos hajde. Fitorja është njëlloj si bleta, që me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës, po kështu edhe demokratët arkitektojnë fitoren e bukur të ardhshme në kohën më të bukur”, -tha Berisha.

Në lidhje me atë çka Basha deklaroi në Kuvendin e PD, Berisha tha: “Mendoj se Kryetari shprehu në mënyrën më të sinqertë, më të qartë në fjalën e tij mendimin e demokratëve shqiptarë të të gjithë spektrit. Kështu që gjykoj se ai nuk foli për veten, por për të gjithë demokratët. Ishte fjala e përgjegjësisë së madhe e Kryetarit të PD-së, e vendosmërisë për t’iu paraqitur shqiptarëve realitetin dhe për të udhëhequr demokratët drejt fitores së pashmangshme.” Ish-Ministrat e Sali Berishës duket se e kanë kuptuar mesazhin e liderit të ri të PD-së, Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar. Pothuajse njëzëri disa prej tyre, pyetjes nëse duhet reflektim për atë që u bë gabim në qeverisjen e shkuar, i’u përgjigjën pozitivisht.

Ish-Ministri i Arsimit, Genc Pollo: “Pa dyshim që të gjithë jemi nga pak dhe të gjithë duhet të bëjmë atë që na takon me qëllim që PD-ja të shkojë aty ku duhet të jetë.”

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi: Ne që kishim përgjegjësi ekzekutivi, ishim  përfaqësues, ndiejmë një përgjegjësi shumë më të madhe ndaj mendoj që duhej të theksohej ky element.”

Ish -ministri i Mbrojtjes, Arben Imami: Shumë mirë, shumë mirë, padyshim”.

 

 

Bumçi: PD me strukturë më demokratike, 15 % e anëtarëve moshë e re

 

15 për qind e të zgjedhurve në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike pritet të jenë të rinj. Këtë fakt e bëri të ditur deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. “Për herë të parë ne zgjodhëm me modelin “një anëtar një votë”. Sot kemi një Kuvend me më shumë anëtar. Kushdo që ka një mandat të zgjedhur, ishte sot në Kuvend. Ka rritje të ndjeshme të përfaqësuesve të PD. Një tjetër risi është përcaktimi e 15 për qind e pjesëmarrësve janë të rinj, me moshë të re. Pra, 15 % e këtyre përfaqësuesve do jenë të rinj, një lidhje kjo organike me të rinjtë shqiptar. Tashmë është një kryesi më funksionale. Një moment tjetër i Kuvendit, nga fjalët dhe të kryetari të partisë dolën tre elemente të rëndësishëm, si çështjet e demokracisë, shtetit të së drejtës, janë elemente të rëndësishme dhe beteja jonë kryesore. Të rikthehen të drejtat kushtetuese, ligjore të opozitës, respektimi i pavarësisë së institucioneve. kërkohet që shumica të reflektojë me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Kuvend”,-tha Bumçi. Duke iu rikthyer fjalës së kreut të PD-së, Lulzim Bashës, sa i takon marrëveshjes mes palëve, Bumçi bëri të ditur se elementi i parë është e drejta kushtetuese e opozitës. Bumçi theksoi më tej se, protestat janë një instrument demokratik. Ai theksoi më tej se për të arritur reformat që kërkohen në vend, duhet të ketë konsensus. “Reformat gjithmonë janë bërë me konsensus. Rregullat nuk mund të bëhen nga një palë. Reforma territoriale është një hartë elektorale”,-tha Bumçi.

 

Ikën Laura Vorpsi, vjen Oriela Nebiaj

Në nisje Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi prezantoi edhe pasuesen e saj. E kënaqur dhe e inkurajuar Vorpsi u shpreh se do udhëtojë drejt Gjermanisë për një specializim , duke prezantuar si zëdhënëse të re Oriela Nebiajn, një figurë nga bota e medias.

“SOM”1

Gjatë dy ditëve kanë votuar 70% e 7500 delegatëve të ardhur nga rrethet, që do të zgjedhin 150 këshilltarët e rinj ndër 285 kandidatë. Nga ky Kuvend, Kryeopozitari Basha ftoi demokratët të nisin bashkë një rrugë të re, atë të rikthimit në pushtet.

“SOM”2

15 % e këtyre përfaqësuesve do jenë të rinj, një lidhje kjo organike me të rinjtë shqiptar. Një moment tjetër i Kuvendit, dolën tre elemente të rëndësishëm, si çështjet e demokracisë, shtetit të së drejtës, janë elemente të rëndësishme dhe beteja jonë kryesore. Të rikthehen të drejtat kushtetuese, ligjore të opozitës, respektimi i pavarësisë së institucioneve. Kërkohet që shumica të reflektojë me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Kuvend.

 

BOX

Kryesia e PD-së në zgjedhjet e Kuvendit të kaluar
1. Sali Berisha
2. Adriana Gjoni
3. Aldo Bumçi
4. Arben Qirjako
5. Arta Sakja
6. Astrit Patozi
7. Bujar Nishani
8. Edi Paloka
9. Edmond Spaho
10. Eduart Halimi
11. Fatos Beja
12. Flamur Noka
13. Genc Ruli
14. Ilir Rusmajli
15. Jemin Gjana
16. Jozefina Topalli
17. Keltis Kruja
18. Lajla Përnaska
19. Lulzim Basha
20. Majlinda Bregu
21. Mesila Doda
22. Myqerem Tafaj
23. Rajmonda Bulku
24. Ridvan Bode
25. Sokol Olldashi