Mblidhet komisioni për “administratën” pas hyrjes në parlament të opozitës

60

TIRANE – Komisioni hetimor parlamentar për emërimet në administratë ka nisur punën në mbledhjen e tij të dytë. Kryetari i këtij komisioni, deputeti demokrat  Genc Pollo tha se ngritja e këtij komisioni erdhi pasi opozita denoncoi disa emërime të personave me të shkuar kriminale dhe qeveria heshti. Sipas tij pjesë e hetimit do të jetë emërimi i personave me të shkuar kriminale.
 
“Fakti që disa dyzina u provuan nga opozita në konferenca për shtyp ngjalli një shqetësim të madh në opinion. Kjo nuk mund të lihet vetëm me denoncim publik nga opozita dhe heshtje nga qeveria. Shpresoj që ky komision të ketë një raport të vetëm në fund që do nënshkruhet si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita”, tha Pollo.
 
Deputeti socialist, Taulant Balla, nënkryetari i këtij komisioni tha se shumica ngriti komisionin pasi ka prova se element me të shkuar kriminale që u shkarkuan nga administra janë punësuar në njësitë vendore të drejtuara nga PD­.
 
“Maxhoranca ngriti komisionin për të vërtetuar atë mbi të cilën ju keni hedhur baltë gjithë këto muaj për administratën publike. Ne katër anëtarët e këtij komisioni hetimor mezi presim të hyjmë në detajet e punës së këtij komisioni. Kemi mjaft prova konkrete që element kriminalë të larguar nga administrata strehohen sot në Bashkinë e Tiranës, në ndërmarrjen e ujësjellësit, në bashkinë Kamëz, Mamurras, Shkodër, Vorë, Paskuqan, në Petrelë, Bërzhitë, Farkë, Kashar, Roskovec. Kur Basha ishte ministër i Jashtëm transportohej drogë me makinat e ambasadave shqiptare”, tha Balla. Ngritja e këtij komisioni ishtë një nga kërkesat e opozitës për t’i dhënë fund bojkotit.