MBLEDHJA URGJENTE E KRYESISË SË PS

602
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama mbledh sot urgjent mbledhjen e kryesisë së PS, problem korrupsioni

Tronditet mazhoranca nga arrestimi i 2 ish-deputetëve dhe përfolja e deputetëve të tjerë në afera me njerëzit e botës së krimit

Mazhoranca është tronditur shumë pas arrestimit të ish deputetëve socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. të akuzuar për korrupsion dhe për përvetësim të pronave publike, sa edhe kryeministri Rama u detyrua dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së që të pranonte se drejtorët e emëruar tashmë nga Rilindja, por të arrestuar nga Policia e Shtetit për korrupsion po nxijnë faqen e qeverisë.

Kryeministri Rama: Ca drejtorë po na nxijnë fytyrën me korrupsion

Kryeministri Rama në grupin parlamentar të PS-së, duke iu referuar indirekt arrestimeve të djeshme ka kërkuar nga çdo deputet që të identifikojë drejtorët që nuk punojnë siç duhet pasi sipas tij, këta drejtorë me keqmenaxhimin dhe korrupsionin e tyre i kanë nxirë fytyrën socialistëve.

Përgjegjësia politike për emërimet e drejtorëve të korruptuar

Kryeministri Rama mosarritjet e objektivave, mosrealizimet e reformave të premtuara në mandatin e tij të parë qeverisës i justifikonte, sepse nuk e kishte i vetëm timonin e qeverisjes. Kryeministri Rama në fushatën zgjedhore parlamentare të 2017-s u kërkoi shqiptarëve votëbesimin që të qeveriste i vetmi, në mënyrë që të mos kishte pengesa në qeverisje, nga forcat e tjera politike. Shqiptarët i dhanë në 2017 votëbesimin kryeministrit Rama të qeveriste i vetëm, duke shpresuar në mirëqeverisje, në meritokraci për emërime, në drejtësi e barazi shoqërore dhe sociale, në luftën kundër korrupsionit. Mirëpo, arrestimet e ditëve të fundit të drejtorëve të emëruar nga kryeministri, të cilët ishin edhe ish-deputetë, po të përzgjedhur nga kryeministri Rama në listat e mbyllura, dëshmojnë që përgjegjësinë politike të korrupsionit të drejtorëve “legenë” siç i cilësoi dje kryeministri Rama, duhet ta mbajë ai që i emëroi këta drejtorë, të cilët nuk kanë integritet, nuk kanë ndershmëri për t’u bërë drejtorë të institucioneve shtetërore, por u emëruan aty, në sajë të shërbimeve të tjera që i kanë dhënë atyre që i emëruan.

Antishpifja….

Sot kryeministri Rama, do të kërkojë nga kryesia e PS-së që të shpërndajë përgjegjësinë politike të emërimeve të drejtorëve të korruptuar, duke u kërkuar të gjithëve, që tani e tutje, të identifikojnë të gjithë drejtorët e tjerë të drejtorive rajonale që nuk kanë plotësuar detyrën e tyre siç duhet. Një tjetër kërkesë e kryeministrit për deputetët e forcës së tij politike ishte që të mbanin shënim dhe të raportonin çdo shpifje ndaj tyre në departamentin Anti Shpifje në partinë socialiste në mënyrë që të ndiqet në rrugë gjyqësore. Mirëpo, arrestimi i drejtorëve socialistë për korrupsion, por bazuar vetëm mbi faktet që kanë dhënë përgjimet e shërbimeve të huaja policore, sidomos ato gjermane, dëshmojnë se akuzat, denoncimet që bëhen për korrupsion ndaj ministrave, drejtorëve të qeverisjes së Rilindjes kanë bazë vërtetësie. Por, me këtë drejtësi, që ka pak besim te shqiptarët, kur edhe kryeprokurorja është e emëruar politikisht dhe jo e emëruar siç e parashikon Kushtetuta, pakkush shpreson se korrupsioni do të hetohet, do të gjykohet dhe do të luftohet. Pastaj, siç e përcaktojnë Konventat Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Fjalës së Lirë, të të Drejtave të Njeriut, media dhe qytetarët e kanë të garantuar lirinë të kritikojnë, pa pritur që Gjyqësori të dënojë korrupsionin qeveritar. Përkundrazi, është prokuroria që merr shumë herë indicie nga mediat, për korrupsionin e denoncuar, për të filluar hetimet. Kryeministri Rama, kërkon që me paketën antishpifje, të dënojë penalisht, mediat, qytetarët të denoncojnë korrupsionin, pa dhënë ende Gjykata vendimin e dënimit.

Kryeministri Rama i përgjigjet Bashës: Sulmon prokurorinë, se ke çështje të hapura

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter, lidhur me deklaratat e kryedemokratit Basha. Në reagimin e tij, Kryeministri shkruan se sulmet e kryedemokratit ndaj Prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura që vetë ai ka me drejtësinë, ndërsa garantoi se lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet. “Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s’ka më peshk se rob jo e jo, që s’e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë! Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet #DerinëFund” – shkruan kryeministri Rama në Twitter.