Mbledhja e parë e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Serbi, diskutohet për të ardhmen e bashkëpunimit

693
Mbi 100 kompani shqiptare dhe serbe morën pjesë në mbledhjen e parë të Dhomave të Tregtisë Shqipëri-Serbi, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e tregtisë dhe ekonomisë.
Mbledhja u hap nga Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, Isuf Ferra. Ai premtoi se dhoma që drejton do krijojë të gjitha lehtësirat për të nxitur shkëmbimet tregtare mes kompanive të dy vendeve dhe do veprojë si urë lidhëse për rritjen e investimeve dypalëshe.
“Akoma mbetet shumë për t’u bërë lidhur me përmirësimin e eficencës së shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Përshembull, ne eliminimin e pritjeve ne pikat kufitare, të cilat mbartin kosto të larta për biznesin. Nisur nga ky fakt po punojmë dhe do angazhohemi më fort në organet shtetërore, për të lehtësuar procedurat, duke bërë që të ndërmjetësojmë minimizimin e këtyre kostove. Një tjetër ngërç është dhe mosshfrytëzimi siç duhet i portit të Durrësit. Në do punojmë më tej që ky port i Adriatikut, i kombinuar edhe me korridorin efikas të transportit, rrugën e Kombit dhe hekurudhën, të shndërrohet ne një portë hyrëse dhe dalëse shumë të vlefshme për dy vendet tona”, tha zoti Ferra në fjalën e tij.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato u zotua se do të jetë avokate e sipërmarrjes vendase dhe të huaj.
“Tregtia dypalëshe ka pasur zhvillim të qëndrueshëm duke arritur në 118. 6 milion euro në periudhën janar-shtator 2017. Një rritje domethënëse krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zyra e ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes të cilën përfaqësoj, do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për plotësimin e detyrës si një avokate e sipërmarrjes vendase dhe të huaj në vendin tonë për garantimin e mbarëvajtjes së dy realiteteve ekonomike të cilat tashmë vijnë kaq afër njëri-tjetrit. Ndaj ju ftoj të trokisni sa herë të jetë e nevojshme për kërkesa, sugjerime diskutime apo çfarëdo lloj temetike që ju e shikoni të nevojshme e për të rritur këtë bashkëpunim reciprok midis sipërmarrjeve të dy vendeve tona”, theksoi ministrja Qato.
Në këtë takim të rëndësishëm ishte i pranishëm ministri serb i Ekonomisë, Goran Knezevice, si dhe biznesmenë serbë e shqiptarë, mes tyre edhe Presidenti i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu.
Për ministrin serb të Ekonomisë Goran Knezevic e ardhmja e dy vendeve tona është Bashkimi Europian ndaj ai kerkoi qe Shqipëria dhe Serbia t’i zgjidhin sfidat politike-ekonomike me dialog ne funksion te se ardhmes së përbashkët.
“Evropa këtë rajon e sheh si një tërësi dhe prandaj në interes të përbashkët kemi të bashkëpunojmë që sfidat politike dhe ekonomike t’i zgjidhim me dialog dhe me bashkëpunim. Është e nevojshme që t’i thellojmë marrëdhëniet në bazë të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta për të ardhmen tonë në Bashkimin Evropian. Kemi shumë sfida me të cilat ballafaqohemi, por ne duhet të fokusohemi tek ndërtimi i të ardhmes më të mirë për qytetarët tanë”, u shpreh ministri serb i Ekonomisë.
Në fund të takimit të Tiranës, Isuf ferra u rikonfirmua si kryetar i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, ndërsa Miroljub Aleksic mori miratimin e te pranishmëve si bashkëkryetar.
Sigal