Mbledhja e dy qeverive në Korçë, Rama-Haradinaj, shpalosin projektet

803
Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe qeveria Rama 2, zhvilluan mbledhjen e përbashkët në qytetin juglindor të Korçës. I pari që mori fjalën në këtë mbledhje, ishte Kryeministri Edi Rama. “Si i zoti i shtëpisë”, në nisje të mbledhjes së përbashkët vuri theksin tek projektet që do të bashkërendohen nga diskutimet konkrete në mbledhje. Një ndër këto pika, Rama tha se është edhe hapja shumë shpejt e zyrës operacionale të Kosovës në portin e Durrësit, një pikë strategjike dhe ekonomike kjo për Kosovën duke qenë se nuk ka dalje në det. Mes të tjerash Rama tha se qëllim i përbashkët është vijimi i heqjes së barrierave dhe e kostove doganore mes dy shteteve. “Mallrat e Kosovës në pikën e Portit të Durrësit, nuk do të kalojë më asnjë pikë tjetër kufitare brenda vendit. Jemi angazhuar për të degëzuar gazsjellësin trans-Adriatik për në Kosovë, dhe më pas në Rajon. Po ecën në bashkërendim të dy palëve, sa i takon projekteve infrastrukturore të dy vendeve. Ka një rritje të shtimit të interesit mes dy vendeve. Rreth 920 biznese nga Shqipëria janë në Kosovë, ndërkohë që ka dhe në Shqipëri. Tregtia mbi vendet tona është 5-fishuar”, tha Rama. Ndërsa Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është ndalur në dialogun me Serbinë, duke thënë se me ndërmjetësim të SHBA e BE, do të mund të arrihet edhe në njohjen e Pavarësisë nga Beogradi. “Jemi të vendosur për për dialogun me Serbinë, por dialogun e mendojmë tani në momentet finale dhe mendojmë që epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dialogu të arrijë epilogun e duhur e mendojmë të nevojshëm pjesëmarrjen e SHBA me dialogun e lehtësuar nga BE dhe SHBA,” u shpreh Haradinaj. Gjatë qëndrimit në Korçë, dy kabinetet qeveritare do të diskutojnë një sërë projektesh me interes strategjik dypalësh.

Konferenca e përbashkët
Pas mbledhjes së dy qeverisë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës dolën në konferencë për shtyp, ku deklaruar se janë firmosur 12 marrëveshje të përbashkëta. Kreu i qeverisë shqiptare u ndal te rëndësia që kanë këto marrëveshje për dy vendet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë integrues. Kryeministri shqiptar rezervoi edhe një përgjigje për Presidentin serb të Bosnjës që e quan “armike” ambasadoren e Shteteve të Bashkuara dhe deklaratave për Kosovën. “Ballkani është i lirë, secili ka ëndrrat e veta. Ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve”, tha Rama.

Ndërkohë sa i përket marrëveshjeve, Rama tha se “dua të them se ne jemi të vendosur për të fuqizuar më tej ndërveprimin e përbashkët, qoftë në marrëdhëniet tona bilaterale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale dhe në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë në familjen evropiane. Dua të nënvizoj faktin se këtë herë kemi marrë angazhime të rëndësishme sa i takon diasporës shqiptarë. Synojmë promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, por edhe për programet e mësimit në gjuhë shqipe”, u shpreh kryeministri Rama. Sot, dy qeveritë do të zhvillojnë mbledhjen e radhës në Vlorë.
Sigal