Mbi 5 milionë euro, të trafikimit të drogës kapen në portin e Durrësit. Informacioni i Interpol Romës dhe pistat

963
Më shumë se 5 milionë euro, të trafikimit të drogës kapen në portin e Durrësit
Sigal

Lulzim Basha akuzoi Tauant Ballën të enjten në Kuvend se do t’i mbërrinin miliona euro në Toyota Yaris, si para droge të trafikuara prej tij

Dje, në portin e Durrësit u sekuestruan nga policia shqiptare më shumë se 5 milionë euro, brenda një makine tip “Toyota Yaris”. Paratë CASH janë gjetur në valixhe të futura në pjesët e gomës, por edhe në pjesë të tjera të makinës. Makina kishte ardhur nga porti i Anconës në portin e Durrësit dhe nuk kishte targa. Gazeta “Telegraf” mëson se automjeti ishte porositur online në Belgjikë dhe nuk dihet ende destinacioni i tij dhe porositësi. Kontrolli i policisë së Durrësit është bërë pas informacioneve nga Interpol Roma. Kartëmonedhat janë me prerje 20-she, 50-she dhe 100-she Euro. Ndërkohë gazeta “Telegraf” ka zbardhur dhe targën e Bizarkës, që kreu transportin e mjetit të bllokuar me sasinë e parave e cila është AA120 SP AFR 559.

Pastrimi i parave të krimit në Shqipëri

Një gjë është e sigurt. Që këto miliona euro, që kthehen në Shqipëri, në kartëmonedha, janë paratë e krimit, të trafikimit të drogave në Evropë me një qëllim. Të bëhet në Shqipëri pastrimi i parave të krimit. Që informacioni për këto para për policinë shqiptare erdhi nga burimet informative të shtetit Italian. Natyrisht, pyetja është: Cilët janë dërguesit? Cilët janë pritësit në Shqipëri të miliona eurove të krimit? Policia shqiptare arrestoi djalin e pronarit të makinës. Ai mund të jetë thjesht transportuesi. Por, pritësit e këtyre miliona euro në Shqipëri janë njerëz që kanë pushtet, sepse vetëm ata do të ishin garantuesit e kalimit të miliona euro në portin e Durrësit. Një dyshim të lind, se, nëse policia shqiptare, nuk do të ishte informuar nga shërbimet informative sekrete italiane, a do të ishin sekuestruar këto miliona euro? Ky rast është analog me 613 kg kokainë që u kap para disa muajsh po në portin e Durrësit, ku deri tani, prokuroria shqiptare nuk ka asnjë të dhënë, se cilët janë porositësit dhe cilët janë garantuesit e kësaj sasie kaq të madhe kokaine. Të dy këto raste, të ndodhura (rastësisht) në portin e Durrësit, të lindin edhe dyshimin tjetër: Vallë të jetë përzgjedhur rastësisht nga Krimi, porti i Durrësit, për të bërë importimin dhe eksportimin e drogës dhe të miliona eurove? Cilët njerëz me pushtet bëhen garantuesit tek bota e Krimit?

Rastësi akuza e Bashës ndaj Ballës për Toyota Yaris?

Çuditërisht dhe (rastësisht) në seancën parlamentare të së enjtes, mes kreut të PD Basha dhe Taulant Ballës u zhvillua një përplasje për një Toyota Yaris me 1.5 mln euro. Sipas Bashës makina ishte porositur nga Balla në Gjermani. Basha: Shikoni si zgërdhihen, njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbaheni mend këtë që po ju them, dhe ka porositur një Toyota Yaris, po ta kanë zbuluar Toyotën o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 mln euro të drogës brenda. Vazhdo qesh, do e shikosh çfarë do të tunden para hundës shumë shpejt. Është vetë ofruar për 600 mijë emigrantë. E bën me shpresën t’i harrojmë drogën, krimin e korrupsionin. Do të blejë heshtjen e Evropës me refugjatë”. Nuk e dimë, nëse kryetari i PD-së Lulzim Basha e përmendi Toyota Yaris, sepse kishte ndonjë informacion, apo çdo gjë ndodhi krejt rastësi, prandaj tani është detyrim politik dhe ligjor, që kryetari i PD-së, të prononcohet publikisht për akuzën që i doli e vërtetë. Një gjë të bind, se kjo ishte dhe është një profeci e vërtetuar e kryetarit të PD-së. Që pritësi i më shumë se 5 milionë euro, që u sekuestruan në Durrës, është, ose janë njerëz shumë të pushtetshëm, ose që kanë shumë ndikim në organet e pushtetit. Nuk bind asnjë, që një shofer mjeti, të jetë edhe pritësi, apo pastruesi i miliona eurove. Pastrimi i miliona eurove në Shqipëri, bëhet edhe me aktivitetet e bizneseve, sikurse mund të jenë edhe koncesionet, ndërtimet e kullave, pasuritë e patundshme, aty, ku çdo shkëmbim monetar bëhet edhe me pagesë në dorë, ose me raportime fiktive për biznese imagjinare.