“Mbetjet”, Nishani: Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar

400
Sigal

Gazeta Telegraf/



Presidenti
Nishani priti përfaqësues të  Shoqatës së Ricikluesve në vijim të
konsultimeve mbi Ligjin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar
Nishani priti sot, me kërkesën e tyre, përfaqësues të Industrisë së Riciklimit
në vend dhe anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve, të cilët  i parashtruan
Kreut të Shtetit pikëpamjet, argumentet dhe pozicionin e tyre mbi efektet
negative që mund të ketë mosdekretimi i Ligjit për Menaxhimin e Integruar të
Mbetjeve.

 

Në takimin me Presidentin e  Republikës, përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve paraqitën
historikun e industrisë dhe informacione të hollësishme rreth lëndëve të para
që përdorin në fabrikat e tyre të riciklimit si dhe ndikimit të Ligjit për
Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë
disinformimet dhe tentativat për përdorim politik, qëllimi dhe interesi i
industrisë të riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik dhe
zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit.

                                                                                                                      

Pasi i dëgjoi me vëmendje dhe diskutoi gjerësisht
me ta, Presidenti Nishani vuri në dukje se ka shumë nevojë, që për çështje të
tilla të ndjeshme që përfshijnë shumë dimensione si ato të biznesit, ekonomik,
strukturor, mjedisor, etj., zëri i aktorëve të ndryshëm të përfshirë të jetë më
i fuqishëm. “Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar në
mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë.” – u shpreh Presidenti duke vlerësuar
industrinë e gjelbër.

 

Kreu i Shtetit i garantoi pjesëmarrësit se
ligjin në fjalë do ta trajtojë me shumë seriozitet dhe se do të mbajë një
qëndrim sa më të argumentuar në raport me të, duke vazhduar ndërkohë edhe
konsulta të mëtejshme me individë ekspertë të fushës.

 

Ky
takim konsultues, pas atij me aktivistët civilë, përfaqësues të Aleancës
Kundër Importit të Plehrave si dhe ekspertë ligjorë e mjedisorë u zhvillua
përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i
Kushtetutës së Republikës, mbi çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve, që ka
shkaktuar ndjeshmëri të madhe në opinion publik.