Mazniku: Tiranës do ti kthejmë hapësirat e gjelbërta

472
Aksioni i nisur nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e hapësirave të zëna publike e ka ndjekur sot nga afër nënkryetari Arbjan Mazniku,i cili ndoqi punën në disa lulishte dhe lagje të Tiranës, si ajo pranë Prokurorisë së Përgjithshme, lulishtja përballë Presidencës apo lulishtja përballë Gjykatës së Tiranës, ku veç vendosjes së pemëve dekorative, po sistemohen edhe hapësirat e zhveshura me bar, si dhe po plotësohen me stola e kosha për mbeturinat.
Mazniku theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’ua kthejë qytetarëve hapësirat e zëna publike. “Qëllimi është që kudo ku ne kemi krijuar dhe rimarrë hapësira publike, t’ua kthejmë ato qytetarëve, duke i rikualifikuar dhe duke i bërë sa më të shfrytëzueshme”, tha ai. Vetëm në bllokun e pallateve përballë Gjykatës së Tiranës u mbollën sot 10 pemë, u vendosën 10 stola, si dhe 8 kosha të rinj për hedhjen e mbeturinave.
Mazniku shtoi se aksioni po zbatohet në disa zona të ndryshme të qytetit, kudo ku bashkia ka rimarrë hapësirat e zëna publike. “Me këtë parim, jemi duke u shpërndarë në tërë qytetin, kudo ku mundemi, për të krijuar hapësira të tilla publike të përdorshme nga qytetarët”, tha Mazniku. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e nismës së bashkisë “Mbill pemën tënde” dhe të kontribuojnë në gjelbërimin e qytetit, përmirësimin e cilësisë ajrit dhe mjediseve që na rrethojnë.
“Duam të ftojmë të gjithë qytetarët që duan t’i bashkohen kësaj nisme, për të dhuruar apo mbjellë një pemë, për t’u bërë pjesë e këtij qyteti përmes mbjelljes së një peme”, tha Mazniku. Për këtë qëllim ai ka theksuar se Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion edhe një numër telefoni (0692482589; 0682050136), ku çdo person apo biznes i caktuar mund të kontaktojë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme.
“Ftohet çdo person apo biznes, i cili do të dhurojë mbjelljen e një peme në qytet, në mënyrë që qyteti ynë të jetë më i gjelbër, nëpërmjet kurorave të gjelbra dhe hapësirave të gjelbra që krijohen, jo vetëm nga ndërmarrjet tona, por edhe nga pemët me të cilat çdo qytetar mund të kontribuojë”, tha Mazniku.
Sigal