Mazhoranca refuzon propozimin e presidentit Meta. I thotë ”Jo” kandidaturës së Vitore Tushës për kreun e KLSH-së

438
Sigal

Maxhoranca ka paralajmëruar votën kundër zgjedhjes së presidentit Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Vitore Tusha. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PS-së, Taulant Balla, duke folur për median pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. “E kemi vlerësuar personalitetin e Vitore Tushës, por vlerësojmë që prezenca e saj të jetë në Këshillin e Emërimeve të Drejtësi”, ka thënë Balla. Ai ka njoftuar po ashtu edhe votën kundër të grupit që përfaqëson lidhur me dekretin e Presidentit Meta për “Buxhetin e vitit 2019”, duke thënë se: “Është e paparë dhe e padëgjuar që Presidenti të kthejë ligjin e buxhetit. Ligji i buxhetit nuk ka lidhje fare me kërkesat e studentëve”- ka thënë ai, ndërkohë që një nga kërkesat urgjente të studentëve është ajo e përgjysmimit të tarifave. Por Taulant Balla përgënjeshtron vetveten, për refuzimin e kandidaturës së Vitore Tushës për kreun e KLSH, sepse disa javë më parë, kur Presidenti Meta dekretoi Lleshin për ministër të Brendshëm, Taulant Balla deklaroi publikisht se mazhoranca ka vlerësim pozitiv për Tushën si kandidate për KLSH. Por, mosdekretimi i buxhetit të 2019-s nga Presidenti Meta, bëri që mazhoranca “të hakmerret” politikisht, duke i refuzuar kandidaturën që Presidenti i propozoi Parlamentit për kreun e KLSH-së.