Mazhoranca nuk ka vullnet për reformat në drejtësi

494
Sigal

Analizë nga Eduart Halimi, ish-ministër i Drejtësisë: Dita kur cilido kryeministër do të ketë frikë nga drejtësia, atëherë do kemi sundim të ligjit. Pozitës nuk i intereson;Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e Lartë, por atë e vuajnë qytetarët dhe bizneset, të cilët kanë depozituar 40.000 dosje që presin drejtësinë e munguar

Eduard Halimi, ish-ministër i Drejtësisë

Gjyqtarët e shkallës së parë dhe gjyqtarët e shkallës së Apelit, të cilët janë të vetmit që japin drejtësi në vend, janë tërësisht jashtë çdo kontrolli dhe jashtë çdo monitorimi të pushteteve të tjera për dhënien e drejtësisë, ndërkohë që kemi zero Gjykatë të Lartë, zero Gjykatë Kushtetuese

Mazhoranca nuk ka vullnet politik për të krijuar SPAK, BKH. Vetingu është i kapur

Eduard Halimi, ekspert i çështjeve ligjore, ish ministër i Drejtësisë dhe nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi në këtë intervistë skanon ecurinë e Reformës në Drejtësi deri tani. Halimi shpreh zhgënjimin sepse reforma në drejtësi, nuk ka plotësuar aspak pritshmërinë e shqiptarëve që drejtësia të rifitonte besimin. Halimi pohon se ka munguar vizioni dhe vullneti politik i vetingut, që sot jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, që ende nuk janë ngritur SPAK dhe BKH. Halimi e thotë qartë: Këto institucione nuk janë ngritur sepse mazhorancës nuk i intereson, ndërsa e pësojnë qytetarët dhe bizneset, të cilëve u mohohet drejtësia. Halimi, shpjegon pse vetingu nuk është trupë profesionale, as me integritet, sepse u përzgjodhën juristë bashkish dhe ujësjellës, pa përvojë, ndërkohë edhe institucionet që ndërtohen nga vetingu janë të deformuar që në fillim, sikurse Halimi skanon Këshillin e Lartë të Prokurorisë, e cila emëron kryeprokurorë e prokurorë rrethesh pa asnjë kriter. Së fundi Halimi shpreh mosbesimin se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, por as SPAK e BKH nuk do të ngrihen dot deri në dhjetorin e këtij viti

-Zoti Halimi, si ish-ministër i Drejtësisë dhe një nga aktorët kryesorë, si e vlerësoni implementimin e Reformës në Drejtësi, pas 3 vitesh nga votimi i saj me 140 vota?

– Një pjesë e këtyre që ndodhin me reformën në drejtësi ishin të parashikuara, ishin shqetësime të cilat u ngritën në mënyrë racionale, nga ne, deputetët e opozitës në ato kohë, në Komisionin e Reformës në Drejtësi, gjetën pasqyrim në Komisionin e Venecias, ka qenë raporti i Dhjetorit 2015, paragrafi 98,99, dhe 100 të cilat parashikonin këto që po ndodhin, nëse të dy komponentët e reformës në drejtësi do të ecnin bashkë. Pra, shkrirja e institucioneve të vjetra dhe ngritja e institucioneve të reja nga njëra anë dhe antikorrupsioni, vetingu, SPAK dhe BKH nga ana tjetër. Ne, në ato kohë, kërkonim që të ecnim më shpejt me pjesën e vetingut dhe me pjesën e SPAK dhe BKH, pra të spastrohej sistemi i drejtësisë në radhë të parë me veprime dhe me gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm të krijoheshin institucionet e reja të drejtësisë, në mënyrë që të ecnim hap pas hapi. Ndërkohë që kjo nuk u pa e arsyeshme. Komisioni i Venecias e ngriti si shqetësim, tha kjo do të sjellë anomali dhe mungesë të fortë të institucioneve kushtetuese të Gjyqësorit. Në fakt kjo ndodhi. Pra, sot, si në asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor, në vendet e BE-së, por edhe në ato vende të tjera që aspirojnë për t;u bërë anëtare e BE-së nuk ka vend që të mungojë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Aktualisht sot në Shqipëri kemi gjykatën e Shkallës së Parë dhe gjykatën e Apelit, që sigurisht kjo sjell edhe një çekuilibër të fortë edhe në mënyrën e dhënies së drejtësisë, sepse kushdo që do të ankohet në Gjykatën e Lartë, kjo e drejtë kushtetuese bie, sepse dikush që ka marrë vendimin e Gjykatës së Apelit, nuk mund të ankohet më në Gjykatën e Lartë, sepse ajo nuk ekziston, ose, ose do të duhet të presë, 7 vjet, 8 vjet, edhe sikur Gjykata e Lartë të krijohej me shpejtësi maksimale, që nuk ka shans që të krijohet para fundit të këtij viti, atëherë, në fund të vitit do të jenë 61.000 dosje dhe 19 gjyqtarë që, sikur të krijohej në fund të 2019-s Gjykata e Lartë, do t’i duhet 7 – 8 vjet që të evakuonin dosjet që janë deri tani, ndërkohë që gjykatat e tjera do vazhdojnë të gjykojnë dhe vendimet do të vazhdojnë të përcillen deri në Gjykatën e Lartë. Ky proces edhe pse ishte parashikuar në ato kohë dhe ishte bërë thirrje për t’u treguar më racionalë, unë do të doja që qysh atëherë të kishë më shumë zëra shqetësimi rreth këtij problemi, të cilat nuk kishin të bënin me qëndrimet pozitë – opozitë, nuk do të kishim mbërritur në këtë pikë ku jemi sot. Edhe pse jemi pa Gjykatë Kushtetuese, edhe pa Gjykatë të Lartë, ajo që nuk ishte parashikuar, por që do ishte po kaq e rëndë, është pjesa që gjyqtarët e shkallës së parë dhe gjyqtarët e shkallës së Apelit, të cilët janë të vetmit që japin drejtësi në vend, janë tërësisht jashtë çdo kontrolli dhe jashtë çdo monitorimi të pushteteve të tjera për dhënien e drejtësisë, ndërkohë që kemi zero Gjykatë të Lartë, zero Gjykatë Kushtetuese. Kjo situatë, sigurisht nuk ishte parashikuar që të ishte kaq dramatike, dhe kjo sjell mungesën e vizionit të pranimit në atë kohë të shqetësimeve reale dhe racionale të opozitës, njerëzit e së cilës kishin punuar dhe e dinin sesi funksionon sistemi. Kjo situatë nuk mund të zhbëhet më. Me paketën kushtetuese i është bërë një shërbim i madh vendit, opozita në atë kohë, ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm për ti qëndruar dhe mbajtur disa qëndrime racionale, të cilat, nuk u dëgjuan, por disa u mbajtën parasysh.

– Si do ta zgjidhim këtë ngërç?

– Kjo kërkon një vullnet, Komisioni i Venecias, në ato kohë e ngriti shqetësimin, paragrafi 100 thoshte se, duke përdorur këto mekanizma, Komisioni për çështjen e Vetingut mund të kontrollohej politikisht nga forca politike që kishte pushtetin, as ky shqetësim nuk u dëgjua nga mazhoranca. Zgjidhja tani do të kërkojnë një angazhim dhe një vullnet të të gjitha palëve të interesuara për t’i dhënë një drejtim, një zgjidhje problemeve që kanë dalë me problemet që kanë dalë me funksionimin e Këshillit të Lartë në Drejtësi, edhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas ndryshimeve që miratuam në Kushtetutë, 3 anëtarë i emëron Presidenti, 3 anëtarë i emëron Parlamenti dhe 3 i emëron KLGJ, ndërkohë që kemi akoma zero kandidatë për të shkuar tek Presidenti. Unë dëgjova zëra e shqetësimin e drejtë të Presidentit të Republikës për të thirrur grupin e ekspertëve për t;u këshilluar, sepse edhe EURALIUS, janë ekspertë teknikë që duhet të asistojnë dhe të japin zgjidhje. Pra duhet të ketë tryeza që të japin zgjidhje dhe në mënyrë të shpejtë, dhe efikase krijimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Është normale që një force politike mund të mos i interesojë krijimi i shpejtë i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, por ata që e vuajnë shumë këtë mungesë janë qytetarët dhe biznesi. Në Gjykatën e Lartë sot janë 7.00 vendime që janë të pezulluara, nga 40.000 gjithsej që janë në sirtar. Pra, këta 7000 qytetarë dhe biznese do të duhet të presin mbi 7 vjet që të mblidhet Gjykata e Lartë që të marrë drejtësinë e mohuar, apo drejtësinë e munguar.

– Pse nuk bëhet kjo?

– Pikërisht, sepse nuk funksionon vullneti politik për t’i krijuar këto institucione të Gjyqësorit.

– A mund të ketë një zgjidhje për Gjykatën e Lartë?

– Në Kushtetutën e mëparshme, anëtarët e Gjykatës së Lartë emëroheshin nga parlamenti. Ka qenë qëndrimi jonë, që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të mos emërohen nga parlamenti, që politika të lajë duart nga Gjykata e Lartë, që ka të bëjë jo me balancat midis pushteteve, por ka të bëjë me dhënien e drejtësisë për qytetarët dhe bizneset. Në Kushtetutën e re, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. por ky proces, kandidatët për Gjykatën e Lartë duhet të kalojnë nëpërmjet vetingut. Këtu duhet të kishte, nga ekspertët vendas dhe të huaj, për të bërë një seleksionim, në pjesën e punës së VETTINGUT, i cili duhet të përshpejtonte më shumë punën për krijimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, sesa të merret me gjyqtarin e Gjirokastrës e Kukësit. Ne atëherë kërkonim me këmbëngule përshpejtimin e procesit të vetingut. Rasti i parë parashikonte që vetingu të mbaronte për 10 vjet. Imagjinoni tani që për 10 vjet të rrimë në këtë situatë, në këtë udhëkryq të sundimit të ligjit. Kanë kaluar 3 vjet dhe deri tani kanë kaluar 10 -15 % e gjyqtarëve në veting, ndërsa KPA ka shqyrtuar vetëm 5 raste, nga 100 që janë depozitar aty. Edhe para një viti ne kërkuam që vetingut t’i japim një mbështetje më të madhe, që ata të funksionojnë më shpejt, të përfundojnë më shpejt. Kjo vonesë e dëmton shumë edhe reformën në drejtësi.

– Ju mendoni se vetëm kjo vonesë në veting ka sjellë këtë kolaps në drejtësi?

– Është mungesa e një vizioni si të përgatitin një strategji për të ecur, si duhet të realizohej, ku duhet të fokusohej më përpara, që të krijohej më para SPAK-u, dhe BKH. Në qoftë se do të kishim një komision vetingu të pavarur, profesional, dhe vizionar, nuk do ishim në këtë situatë. E vërteta është se kjo trupë e vetingut nuk janë as profesionale. Aty kanë kaluar juristë bashkish dhe ujësjellësish. Fokusi kryesor do të ishte krijimi i Gjykatës Speciale dhe Byroja e Hetimit Kombëtar. Tani jemi shumë larg kësaj. Nuk ka kurrë vullnet për të krijuar SPAK dhe BKH. Duhet të kishim komision që do seleksiononte shpejt anëtarë për Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë. Mendoj që nuk është ky qëllimi i atyre që merren me vetingun dhe me reformën në drejtësi.

– Sipas jush, KLP dhe KLGJ a i kanë arritur pritshmëritë tuaja?

– Mekanizmi që u vendos për të zgjedhur KLP dhe KPGJ nuk ishte mekanizmi i duhur, që u vendos që do të ishte me short, me gogla. Kjo nuk ishte mënyra racionale për të zgjidhur situatën, por erdhi si një zgjidhje e mungesës së besimit midis palëve politike. Me gogla dot ë thotë, që nuk zgjidhen anëtarët më të mirë, por atij që i bie gogla. Nëse KLGJ me gogla deri diku i shpëtoi ndikimit politik, nuk mund të them të njëjtën gjë për KLP. Ajo që është shqetësuese për mua, si avokat dhe si ekspert i çështjeve ligjore, është emërimi që po bëhet aktualisht nga KLP i drejtuesve të prokurorëve nëpër rrethe, pa asnjë kriter. Çdo ditë, tani emërohen jo vetëm Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, por emërohen kryeprokurorët e rretheve në mënyrë të përkohshme, pa asnjë lloj konkurrimi, apo përzgjedhje që të zgjedhin më të mirin. Emërohet prokurori i Kurbinit, i Fierit, i Lushnjës, i Korçës pa asnjë lloj prokurimi. Nga u nis KLP për të përzgjedhur këtë prokuror? Kush është shejtani për të zgjedhur këtë prokuror dhe jo një tjetër. Reforma në Drejtësi, ndryshimet kushtetuese u bënë në mënyrë të tillë që të kishim nj garë transparente, një proces transparent, që në krye të prokurorisë dhe të gjykatave të ishte prokurori më i mirë, më i ndershëm, më profesional. Për shkak të situatës, që është një amulli totale dhe një mungesë totale e vizionit për të udhëhequr reformën në drejtësi, ndodh që heqim një kryetar gjykate, që mund të ketë qenë i korruptuar, dakord, e pranojmë, por ai që vihet në vend të tij, cili është? Mund të jetë po kaq i korruptuar, sa i mëparshmi, ose edhe më i korruptuar, sepse nuk i është bërë vetingu. Hiqen gjyqtar dhe prokurorë të korruptuar, ky ishte qëllimi i vetingut, por kush do t’i zëvendësojë këta? Këta që i zëvendësojnë janë jashtë çdo monitorimi dhe transparence për publikun. Kjo tregon që nuk është ajo që qytetarët presin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo të bën të mendosh me të drejtë, që është pushteti ai që monitoron pjesën e prokurorisë, për të pasur nën kontroll edhe situatën e fundit që ka ndodhur, sepse pushteti trembet mos situata i del jashtë kontrollit nëpërmjet një prokurorie të pavarur. Unë gjykoj që reforma në drejtësi duhet të sjellë efektet e duhura atëherë, kur qeveria të ketë frikë nga drejtësia. Atëherë kur dita, kryeministri do ketë frikë nga drejtësia, atëherë do të jetë dita kur do të kemi sundim të ligjit, një reformë në drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është kjo kur kryeministri e përdor drejtësinë si një armë, si një trofe të tij për të trembur qytetarët dhe kundërshtarët. Kjo nuk është drejtësi.

– A ka ndonjë rrezik që Gjykata e Strasburgut të rikthejë në sistemin e drejtësisë ata që vetingu përjashtoi?

– Ju të medias e keni evidentuar sesi e bardha bëhet e zezë dhe e zeza bëhet e bardhë në komisionin e vetingut. Qoftë edhe një rast, apo dy, mjaftojnë që qytetarët të prishin besimin që kishin për pritshmërinë e vetingut. Duke parë që personazhe që i kanë shërbyer njëri apo tjetrit, apo vazhdojnë t’i shërbejnë edhe tani, kalojnë vetingun, pa i hyrë gjembi në këmbë, kjo e prish besimin e qytetarëve. Institucionet që u ngritën për të zbatuar reformën në drejtësi duhet të tregojnë më shumë integritet, që të fitojnë besimin. Kam përshtypjen që ky besim ka rënë dhe kjo nuk ka ndodhur jo vetëm për faj të ekspertëve që e hartuan reformën në drejtësi, por edhe për faj të ndërhyrjes dhe të përdorimit të tyre.

– Deri kur e parashikoni që të përmbyllet kjo situatë në drejtësi?

– Duhet të ketë një vullnet politik për t’i dhënë zgjidhje. Një vullnet politik për ta çuar reformën në ato shina që u miratua në 31 korrik 2016. Të largojmë gjithë ndikimin politik nga zbatimi i reformës në drejtësi, dhe të ketë një vëmendje më të shtuar nga ekspertët për ecurinë e procesit të vetingut dhe krijimit të institucioneve të reja. Me ata njerëz të nivelit të ulët të vetingut, institucionet e reja të drejtësisë ose do duan kohë të krijohen, ose do krijohen të dëmtuara , ku disa nga ato që ne analizuam, janë krijuar të dëmtuara.

Mendoni që brenda 2019-s të krijohet ndonjë institucion i ri kushtetues i drejtësisë?

– As nuk mendoj që do krijohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë para dhjetorit.