Mazhoranca në maratonën e saj për koncesionin e kullave në tempullin e Artit

458
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dekreti i Presidentit Meta “Për Teatrin Kombëtar” rikthehet në Parlament për herë të tretë

Dekreti i presidentit Meta për ligjin special për Teatrin Kombëtar është rikthyer për herë të dytë në kuvend. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dje gjatë seancës plenare. Sipas rregullores së Kuvendit, pritet që dekreti të diskutohet sërish në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, por deri më tani nuk dihet nëse diskutimi i dekretit është futur në agjendën e komisionit. Pas diskutimit në komision, nëse do të ketë një të tillë, ligji duhet të kalojë për votim në Kuvend dhe miratohet me 71 vota. Më 11 tetor, presidenti Meta nuk dekretoi për herë të dytë ligjin ‘e ndryshuar’ të Teatrit, – më herët, më 27 korrik, Meta nuk dekretoi ligjin e parë të Teatrit. Në dekretin e 27 korrikut, Presidenti renditi nëntë shkelje mes të cilave më kryesoret ishin se ligji bie ndesh me Kushtetutën, konventat evropiane, parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për konkurrueshmërinë dhe parimet e ndarjes së pushteteve. Ligji u kthye për diskutim në komision, ku dhe iu bënë disa ndryshime jo thelbësore, dhe më 20 shtator, shumica socialiste miratoi sërish në kuvend ligjin e ‘ndryshuar’. Presidenti Meta nuk i miratoi ndryshimet e bëra nga shumica socialiste duke sqaruar se shumica socialiste nuk ka zgjidhur asnjë prej shkeljeve të Kushtetutës dhe parimeve demokratike që presidenti ngriti në korrik, kur nuk e dekretoi ligjin për herë të parë. Nga nëntë shkelje që Presidenti Meta nxori në pah nga ligji i parë për Teatrin, shumica socialiste është përpjekur që të plotësojë vetëm një prej tyre, që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, por sërish edhe me ligjin e ri kjo çështje nuk është zgjidhur.

9 shkeljet e Projektligjit “Për Teatrin Kombëtar” që rendit dekreti i Presidentit Meta

Presidenti Meta ka renditur 9 pika sipas të cilave, projektligji për teatrin duhet rishqyrtuar në parlament. Presidenti ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare.

Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003.

Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”.

Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike.

Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi.

Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt,.

Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018.