Mazhoranca miraton në Parlament ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar. Protesta e artistëve dhe qytetarëve: Jetojmë në diktaturë!

662
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita e Bashkuar bojkoton Kuvendin dhe bën “Kuvendin” e saj në Vlorë: Shteti ka rënë, jemi në emergjencë kombëtare

Dje mazhoranca hodhi poshtë dekretin e Presidentit, i cili argumentoi pse projektligji “Për Teatrin Kombëtar” shkel ligjet dhe Kushtetutën, duke e arnuar me mendime. Komuniteti i artistëve, por edhe qytetarë kanë muaj të tërë që kundërshtojnë duke protestuar kundër këtij projekti të qeverisë. Në fakt, projekti i paracaktuar i qeverisë, duke ia dhënë me koncesion edhe tokë publike për të ndërtuar aty kulla një privati, pa garë mbeti i pacenuar edhe në ligjin që u miratua. I vetmi ndryshimi bërë nga mazhoranca, është që formalisht do të hapë garë, që të marrin pjesë edhe kompani të tjera biznesi, për të fituar koncesionin. Pse mazhoranca këmbënguli te ky ligj për prishjen e Teatrit Kombëtar, kur, komuniteti i artistëve dhe qytetarët e kundërshtojnë me kaq forcë? Nëse godina ekzistuese e TK është e amortizuar, përse qeveria nuk e restauron, duke ruajtur vlerat trashëguese? Përse me kaq ngut mazhoranca kërkon që ta zbatojë projektin? Përse nuk e hapi garën e vërtetë, por ia dha një privati? Këto pyetje shtojnë dyshimet ndaj ligjshmërisë dhe transparencës së mazhorancës. Nëse artistët dhe qytetarët do ta mbrojnë ndërtesën ekzistuese të TK me trupat e tyre, qeveria do të përdorë forcën dhe dhunën fizike?

Bojkoti i pakumptimtë i opozitës

Opozita e bojkotoi këtë seancë parlamentare, siç ka bojkotuar deri tani, edhe 3 seancat e mëparshme të Kuvendit. Mirëpo, bojkoti i djeshëm i opozitës ndaj diskutimit të këtij projektligji është jo vetëm i pakuptimtë, por mund të hedhë edhe hije dyshimi, nëse është edhe PD-ja palë me projektet e mazhorancës për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës? Opozita, jo vetëm e bojkotoi diskutimin e këtij projektligji në Kuvend (ku dy ditë më parë mori pjesë në diskutimin e këtij projektligji në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, por Opozita braktisi edhe protestën e komunitetit të artistëve dhe qytetarëve para Kuvendit. Opozita, të paktën, duhet të ishte aty, me protestuesit, para Parlamentit. “Kuvendin” e saj në Vlorë, mund ta bënte edhe ditë tjetër.

Arnimet e Ligjit për Teatrin

Mazhoranca socialiste, e justifikon qëndrimin e saj me argumente kushtetues dhe ligjorë të rremë. Nëpërmjet një procedure tërësisht antikushtetuese, Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, i drejtuar nga socialisti Eduart Shalsi, miratoi dekretin e Presidentit të Republikës që rrëzonte ligjin e posaçëm “Rama-Fusha” dhe, po në të njëjtën mbledhje miratoi disa amendime të një ligji që nuk ekzistonte tashmë. Sipas kësaj procedure inekzistente dhe anti-kushtetuese, mazhoranca parlamentare i heq të drejtën Presidentit që të rishqyrtojë përputhjen e ligjit me Kushtetutën. Pasi, sipas ligjit Themeltar të shtetit, Presidenti ka të drejtë të vendosë vetëm një herë veton për ligjin. Këtë veprim procedurial, Shalsi e konsideroi korrekt dhe konform Kushtetutës e ligjit. Ai argumentoi se Parlamenti, edhe më parë, ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Shalsi solli në vëmendje rastin e dekretit të Presidentit Nishani, i cili në vitin 2016 rrëzoi ligjin për “Kamerat e Sigurisë”. Në atë kohë, Parlamenti pranoi dekretin e Presidentit dhe njëkohësisht amendoi disa nene të ligjit, sipas sugjerimeve të kreut të shtetit. Por deputeti Shalsi, nuk di, apo nuk do t’ia dijë, në çështjet kushtetuese, paraqiti ose, me shumë mundësi ia kanë dhënë të gatshme, këtë formulë krahasuese, e cila nuk është aspak e vërtetë. Në rastin e ligjit “Për masat shtesë të Sigurisë Publike” (kamerat e sigurisë), Presidenti Nishani kërkoi shfuqizimin e disa neneve të ligjit, të cilat binin ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pra, ish-kreu i Shtetit nuk rrëzoi tërësisht ligjin, por vetëm disa nene të tij, të cilat. Në këto kushte, Parlamenti, pasi mori në shqyrtim dekretin e Nishanit për rrëzimin e disa neneve të atij ligji, vendosi të pranojë sugjerimin e Presidentit dhe ndërhyri menjëherë në ato nene të kundërshtuara prej tij. Në rastin e ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”, njohur ndryshe si ligji për shkatërrimin e Teatrit, Presidenti Meta ka dekretuar rrëzimin tërësor të tij. Në bazë të vendimmarrjes së tij për të pranuar verdiktin e Presidentit, Komisioni i Shalsit kishte për detyrë për të nisur hartimin dhe miratimin e një ligji të ri e të plotë, në të cilin të reflektoheshin edhe sugjerimet e Presidentit. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur, në një kohë që Gjykata Kushtetuese është inekzistente, veprimtaria anti-ligjore e Parlamentit dhe e qeverisë nuk është subjekt i asnjë kontrolli kushtetues.

Opozita në Vlorë: Jemi në emergjencë kombëtare

Opozita e bashkuar e bojkotoi Kuvendin dhe u mbledh në Vlorë sot. Kryetari i PD-së Basha fjalën e tij e nisi me teatrin. “Në sallën e Kuvendit një maxhorancë e inkriminuar po ndërmerr një akt të paprecedentë në historinë e Evropës. Edi Rama dhe hajdutët dhe kriminelët e tij në parlament bashkë me një tufë delesh u kapën flagrant në vjedhje, përmes një proceduar të përshpejtuar për grabitjen e pronës publike që të ngrinin 7 kulla me një vlerë 200 milionë euro. Nga Uashingtoni në Bruksel nuk ka njeri që nuk e kupton më se Edi Rama është një hajdut me damkë. U kapën në një akt vjedhje. Teatri nuk është shkaku por pasoja e emergjencës kombëtare, një parlament me kriminelë, nuk është vendi për zgjidhje, por për të marrë fshesën. Nuk do ketë më asnjë ligj asnjë pakt asnjë negociatë pa zgjidhur këtë çështje, largimi i politikanëve të lidhur me krimin, nëse kjo nuk ndodh, është detyrë e qytetarëve bashkë me ne të japim zgjidhjen, kur institucionet uzurpohen, – theksoi kreu i PD-së.

Rama nxjerr shkresën për TK: PD-ja donte t’ia jepte Astrit Veliaj

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha të bëra nga Vlora ndaj qeverisë. Lidhur me kriminalitetin në Vlorë, Rama tha se mjafton të shohësh shifrat dhe situata nga dje që qeverise PD me sot është si nata me dita. Por Rama ka nxjerrë edhe një shkresë surprizë nga foltorja. Ai tha se në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës, Florion Mima i kishte dërguar një shkresë ku kërkonte privatizimin e Teatrit të Metropolit për llogari të deputetit Astrit Veliaj. “Shumë shkurt dua të sjell në vëmendje një shembull kuptim plotë të asaj që është dyfytyrësia e përditshme e atyre që sot mungojnë këtu edhe pse Teatrin Kombëtar e kishin lançuar si kalin e tyre të betejës. Mungojnë, sepse kanë shkuar në Vlorë për të dëshmuar se si po digjet Vlora. Ajo që më nxori këtu është një shkresë të cilën Florion Mima, ministër i Ekonomisë ia dërgon Lulzim Bashës, kryetar i bashkisë e çfarë i kërkon. I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Florion Mima ‘Teatri i Estradës’ për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të bashkisë së Tiranës i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të metropolit para se Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim, jo për PPP, as për të ndërtuar një teatër të ri të metropolit në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion dhe të një përfitimi legjitim të zotit Veliaj, pasi të investonte për teatrin e ri, por për t’u privatizuar për pallat”, deklaroi Rama.

Kryemadhi, kryetarja e LSI-së: Qeveria i ka kthyer qytetarët në armiq

Pas mbledhjes së opozitës në qytetin e Vlorës, për organizimin si një front i përbashkët përballë qeverisë, Monika Kryemadhi ka organizuar një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas Kryemadhit, qeveria i ka kthyer qytetarët në armiqtë e qeverisjes. “Jo më larg se dje kemi parë se çfarë ndodhi në Jalë të Himarës, apo Vunoit si të doni ju ta quani, një mënyrë sjellje kriminale, abuzuese dhe mund të themi që vjen si rezultat i arrogancës që qeveria ka krijuar me qytetarët e saj. Duke harruar që qytetarët janë votuesit e saj, duke harruar që qytetarët duhet të marrin shërbimin më të mirë nga qeveria, i ka kthyer qytetarët në armikun e qeverisjes. Këtë gjë e kanë bërë edhe me biznesin. Biznesin nuk e shohin më si partner që mbush buxhetin e shtetit me taksat që paguajnë, por e shikojnë si një armik të hapur, këtë kanë me shkollat, me mësuesit, me arsimtarët që nuk i shikojnë si bashkë udhëtar për brezin e ri, për ti shkolluar dhe për ti edukuar që të ecin përpara në rrugën e jetës, por i kanë shpallur armiq dhe i kanë kthyer në jeniçerë të bindjeve të tyre politike. Këtë gjë e kanë bërë edhe me minatorët, të cilët në vend që t’i japin Statusin e Minatorit, ajo që u takon me ligj dhe me të drejtë të Zotit, ua mohojnë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me infermierët, me mjekët që çdo ditë e më shumë po largohen, po ngrenë plaçkat dhe po shkojnë drejt vendeve të tjera të BE-së, sepse kanë jo vetëm respektim më të mirë, jo vetëm pagesa më të mira, por kanë edhe dinjitetin i cili u mungon. Mund të zgjatemi dhe mund t’i marrim të gjitha profesionet në Shqipëri, të cilat, jo vetëm janë shumë më pak të paguara, për hir të së vërtetës, jo vetëm kemi rritje të çmimeve, përsëri për hir të së vërtetës kemi jo vetëm rritje të varfërisë, por shikojmë që çdo ditë e më shumë neve po na prezantohet një qeveri e kapur nga krimi e ku koka e saj është Edi Rama.

Protesta e komunitetit të artistëve

Komuniteti i artistëve dhe qytetarë dje paradite, para fillimit të seancës plenare të Kuvendit u mblodhën para Parlamentit dhe protestuan fuqishëm kundër projektligjit. Ndërkohë pasdite para Teatrit Kombëtar vijoi protesta për mbrojtur godinën e teatrit. Artistë, qytetarë, intelektualë dënojnë me forcë shembjen e kësaj godine. Ata akuzojnë kryeministrin Rama që po e qeveris vendin si në diktaturë.

Artisti Robert Budina: Televizionet na kanë mbyllur derën për të mbrojtur Teatrin

Artisti Robert Budina është shprehur nga protesta për mbrojtjen e teatrit, se në gjithë këto muaj proteste ata që kanë protestuar kanë sakrifikuar çdo ditë për të mbrojtur kauzën e tyre. Ai ka theksuar se edhe televizionet nuk ua kanë hapur derën për të mbrojtur mosshembjen e teatrit. “Ne duhet të vërtetojmë që kjo gjë na dhemb. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për këtë situatë. Nëse merr përsipër që secili prej jush iu thonë të gjithëve, komshinjve, njerëzve, që të sjellin veta, do t’i bëjmë ato 5 mijë firma. Jemi këtu që t’i japim kësaj një zgjidhje. Duhet të japim një copë nga shpirti që të bëhet ky vend. Ne na kanë mbyllur derën dhe nuk na hapin derën televizionet. Nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Nuk mund t’ua shqyejmë derën atyre. Ata bëjnë zgjedhjet e veta. Prandaj ne kemi gjetur disa njerëz që kanë akses në këto televizione dhe jemi munduar që të dëgjohet kauza dhe zëri ynë.”, u shpreh Robert Budina.

Përparim Kabo: Është vendim arrogant i mazhorancës, jo i Kuvendit

Duke komentuar votimin e djeshëm në Kuvend, të ligjit “Për Teatrin Kombëtar” Përparim Kabo është shprehur se vendimi nuk është i Kuvendit, por i shumicës dhe se votimi i djeshëm ishte arrogant. “Vendimi nuk është i Kuvendit por i shumicës. Shumica mund të sjellë drejtimin totalitar të vendit me veprime arrogante. Ne nuk jemi kundër krijimit të një teatri modern, por ne kërkojmë restaurimin e sallës dhe jo shembjes e saj. Ne jemi që kjo godinë të restaurohet, pasi mban brenda historinë. Ti mund të ndërtosh një godinë moderne, por çfarë do të thonë pas 30 vjetësh? Nëse do të pyesin se kur ka nisur të luhet teatër në vendin tonë, çfarë do t’u themi? Në vitin 2019, kur u ndërtua godina e re apo në 1943! ‘Po godina ku është? Ra tërmet? Ra zjarr? Ku është? Në diktaturë as na linin të flisnim, as na linin të vendosim. Në këtë demokraci na lënë të flasim, por nuk na lënë të vendosim”, – tha profesor Kabo.

Konstitucionalisti Çlirim Gjata: Jetojmë në diktaturë!

“Ligji u miratua, nuk ishte një gjë që nuk pritej. Por patëm shpresë! Presidenti e ktheu, kishte mendime, kishte debate. Ata siç dihet u mblodhëm, bam votat dhe e votuan. Prishet teatri thotë Rama, urra të gjithë në rresht, e votojmë dhe e shembin. Është e tepërt që të flasim për këtë paçavure. Meta e ktheu ligjin për 9 arsye shumë të forta, pse duhet të rrëzohet ligji, PS tha, pranohet dekreti i presidentit dhe nuk pranohet ligji i Presidentit. Pra vetëm Kushtetutë nuk ka këtu, nuk ka ligj, ka diktaturë. Këta nuk kanë më arsyetim, nuk kanë më logjikë. Nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese ku të drejtohemi dhe ta kapim ligjërisht. Transferimet me urdhër të Arta Markut sot m’u dukën si transferimet që bënte atëherë me telefon Nexhmije Hoxha. Duhet të protestojmë, ftoj gjithë shqiptarët, se vetëm kjo rrugë na mbeti.”