Mazhoranca kërkon interpretimin nga Gjykata Kushtetuese Ja 4 rastet ku Presidenti i Italisë nuk dekreton ministrat

467
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama depoziton në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për interpretim të kompetencave të Presidentit

Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, ndërkohë që parlamenti voton ligje, të cilat nuk mund të interpretohen

Ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë i ka të sanksionuara detyrat dhe kompetencat e Presidentit dhe të Kryeministrit, ku në to duhet të mbizotërojë fryma e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit ndërinstitucional, ngërçi i mosdekretimit nga Presidenti Meta të kandidaturës për ministër të Brendshëm i propozuar nga Kryeministri Rama nxori në pah, se në Kushtetutë, as në ligjet përkatëse nuk janë kaq të qarta kompetencat e Kryeministrit dhe të Presidentit për emërimin e ministrave.

Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që nuk funksionon

Pasojë, dhe jo arritje, e reformës në Drejtësi është fakti: Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, pasi ka mbetur vetëm me 2 anëtarë. Reforma në Drejtësi, nuk parashikoi që procesi i saj zbatues të kishte parashikuar që institucionet e drejtësisë të mos paralizoheshin asnjë çast. Mbase është paaftësi profesionale e hartuesve të kësaj reforme në Drejtësi, që nuk parashikuan pasojat, ndoshta është edhe e qëllimshme, që me pretekstin e reformës në Drejtësi, të paralizoheshin institucionet e rëndësishme të drejtësisë, sikurse është Gjykata Kushtetuese. Kur nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, u vetmi që përfiton është ai që qeveris, sepse nuk ka më asnjë oponencë për ligjet që miraton. Kështu qeveria çoi në parlament “Projektligjin për Teatrin Kombëtar”, i cili edhe pse nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, Parlamenti me shumicë të thjeshtë e miratoi, por komuniteti i artistëve dhe qytetarët, që e kundërshtuan, nuk kanë më asnjë mundësi të ankohen kundër ligjit të qeverisë, sepse Gjykata Kushtetuese nuk funksionin.

Kryeministri depoziton kërkesën në Gjykatën kushtetuese për emërimin e ministrit

Sipas burimeve të informacionit, sot kryeministri Rama do të përcjellë sërish në Presidencë Presidentit Meta informacion për të emëruar ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Krahas informacionit që Kryeministri Edi Rama do t’i japë Presidentit Ilir Meta të hënën për Sandër Lleshajn, mazhoranca socialiste ka vendosur që në të njëjtën ditë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar që të interpretojë nëse Presidenti i Republikës ka të drejtë të mos dekretoje një ministër. Kërkesa për interpretimin e Kushtetutës u paralajmërua pak ditë më parë edhe nga vetë Edi Rama, i cili vlerësoi se është e nevojshme që të shmangen precedentët me presidentët e tjerë, pasi, siç tha ai, me Ilir Metën është i bindur se do të kuptohen. Me dy anëtarë, praktikisht Gjykata Kushtetuese është jashtë loje, por kryeministri ka bërë të qartë se nuk e ka me ngut dhe se përgjigjen e pret kur gjykata të jetë funksionale, me qëllim që rasti Lleshaj të mos përsëritet në të ardhmen.

 

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, në lidhje me propozimin e ri për emërimin e Lleshaj si Ministër i Brendshëm

Pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim. Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi). Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutēs dhe forcimit të Sigurisë Kombëtare, ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.