Mazhoranca harron integrimin, u jep prioritet projektligjeve të koncesioneve, PD gati për “luftë”

461
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Hapet sot sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë me projektligjin “Për prishjen e Teatrit Kombëtar”…

Shqipëria jeton nën terrorin e krimeve nga më të tmerrshmet. Vrasje në mes të ditës, kudo, në të gjitha qytetet, kriminelët gjuajnë tani me kallashnikov edhe shtëpitë, ndërkohë që Policia e Shtetit nuk gjen dot kriminelët e vrasësit. Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, derisa kanë mbetur 3 anëtarë nga 9. Pa Gjykatë të Lartë, derisa kanë mbetur 4 anëtarë nga 19. Kryeprokurorja e Përkohshme ka 8 muaj, duke shkelur çdo afat kushtetues, derisa nuk zgjidhet ende Kryeprokurori i Përgjithshëm. Akoma nuk janë ngritur institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse KLGJ, KLP, SPAK, BKH, KED, etj. Bashkimi Evropian i ka kushtëzuar Shqipërisë, që deri në qershor të 2019-s të ketë ngritur domosdoshmërish këto institucione të reja të drejtësisë, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Halli i ngutshëm i mazhorancës janë …tenderët dhe koncesionet

Në muajin korrik projektligji “Për magjistraturën” i hartuar vetëm nga mazhoranca, me pretendimin për t’i dhënë një rrugëdalje kolapsit të drejtësisë, nuk mundi të merrte dot 84 vota. Deputetët 1 muaj të tërë bënë rehat banja, askush nuk interesua për ngutshmërinë e madhe që ka ndërtimi i institucioneve të Drejtësisë, derisa de fakto Shqipëria është pa rend kushtetues. Por, për mazhorancën, koha pret edhe për kolapsin e drejtësisë, sepse prioritet kanë …koncesionet dhe tenderët. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pritet që situata politike të ndizet e për rrjedhojë paralajmërohet një klimë e nxehtë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës. Të hënën në orën 17:00 do të hapet sesioni i ri i Kuvendit, me diskutimin dhe votimin e projektligjit të kthyer nga Presidenti Meta “Për Teatrin Popullor”, ndërsa kampet politike përgatitjet do t’i nisin që në orët e para të ditës. Partia Socialiste, do të mbledhë në 9 të mëngjesit Kryesinë e Partisë, ku përveç diskutimeve për sesionin e ri do të diskutojë dhe rendin e ditës për Asamblenë që mbahet të premtën e 6 shtatorit, ku do të analizohet performanca e qeverisë. Ndërsa PD në orën 10 do të zhvillojë një takim me aleatët dhe grupin parlamentar. Në orën 12:00 kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi do të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për të diskutuar punën dhe kalendarin 3 javorë. Konferenca e kryetarëve do rikthejë debatin për Teatrin e ri kombëtar, ku në bazë të programit me 13 shtator parashikohet që dekreti i presidentit të kalojë për votim në seancën plenare. Ky moment pritet të tensionojë marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, ndërsa Lulzim Basha, disa ditë më parë vendosi vijën e kuqe, duke paralajmëruar prerë PS se, në qoftë se e rikalon ligjin për tetarin do të sjellë përplasje civile. Në 3 javët e para Kuvendi i Shqipërisë parashikon shqyrtimin e 33 projektligjeve, ndërkohe që parashikohet të rrëzohet dhe dekreti tjetër i presidentit, ai për projektligjin për tatimin mbi të ardhurat, për t’u ulur taksat kazinove dhe Lojërave të Fatit. Ndërkohë, krahas ligjeve të tjera në këtë sesion parlamentar ajo që ka rëndësi dhe që do marrë energji nga të gjitha kampet politike në tentativë për të gjetur konsensus është reforma zgjedhore. Në shtator pritet që në tryezën e punës të hidhen propozimet konkrete, kjo pas disa tryezave konsultative me grupet e interesit.

Kryetari i PD-së: Sot opozita do të përdorë çdo mënyrë për të ndaluar maxhorancën, përmbajtja ka rëndësi…

Para 3 ditësh, kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi se Opozita, në seancën e sotme plenare të Kuvendit do të përdorë çdo mjet e mënyra të mundshme, që të pengojë mazhorancën, për të mos votuar projektligjin “Për prishjen e Teatrit Kombëtar”, sepse, sipas Bashës, përmbajtja ka rëndësi.

Opozita nuk e voton kurrë projektligjin “Për Magjistraturën”

Sipas burimeve të mirinformuara të gazetës “Telegraf” nga PD dhe LSI, thuhet se opozita nuk do ta votojë kurrë projektligjin “Për Magjistraturën”, i cili shkel Kushtetutën dhe rrëzon gjithë reformën në drejtësi. Kjo do të thotë se do të zgjatet pa mbarim edhe kolapsi në drejtësi. Përveç pasojave, që Shqipëria do të vazhdojë të mos ketë rend kushtetues, gjyqësori në përgjithësi të jetë i paralizuar, rrezikohet shumë edhe procesi i integrimit, sepse Shqipëria nuk do të mundet të realizojë 13 kushtet e BE-së për hapjen e negociatave, ngaqë do të jetë e pamundur që deri ën qershor 2019 të funksionojë Gjykata Kushtetuese dhe të ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Sipas burimeve nga deputetë të PD-së dhe LSI-së për gazetën “Telegraf”, kjo kosto politike do t’i faturohet vetëm mazhorancës dhe kryeministrit Rama, prandaj duhet që kryeministri Rama të tërhiqet nga qëndrimet e deritanishme politike, të cilat synojnë të marrë peng të gjithë sistemin e drejtësisë, të afrojë kompromis me opozitën.