Mazhoranca dhe opozita gjejnë konsensusin për dekriminalizimin, përpara reformës në drejtësi

454
Të hënën e kësaj jave ambasadori amerikan adresoi kritikën e radhës për deputetët kriminelë, të cilët nuk dëshirojnë që të bëhet reforma në drejtësi. Politika publikisht nuk reagoi, por në prapaskenë edhe PD, edhe PS kanë shtuar negociatat midis tyre, në mënyrë që të gjejnë konsensusin e përbashkët, për të miratuar – më në fund- ligjin për dekriminalizimin, i cili, sipas thënies së urtë popullore, “shto miell dhe shto ujë”, qoftë nga opozita, qoftë nga mazhoranca nuk është bërë asgjë deri tani. Madje edhe mundësia e fundit që kishin, që të bënin ligjin për dekriminalizimin para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, nuk u shfrytëzua. Madje, kryetema e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore në 21 qershor 2015, ishte pikërisht kandidaturat për kryebashkiakë, në disa bashki, ku PS-PD akuzuan njëra-tjetrën. Madje, edhe asokohe ambasadori amerikan Lu, publikisht i bëri thirrje elektoratit shqiptar të mos votonte kandidaturat që kanë lidhje me krimin. 
Presioni i ndërkombëtarëve detyron PS-PD që të gjejnë konsensus
Demokratë dhe socialistë kanë mbyllur negociatat për dekriminalizimin, ndërsa të premten pritet të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar i drejtuar nga Oerd Bylykbashi. Përveç testit të drogës për të cilin Bylykbashi dhe ministrja Felaj nuk kanë pasur mandat negocimi, gazeta “Telegraf” ka mësuar momentet kryesore ku negociatorët kanë përpiluar draftin, i cili heq nga parlamenti dhe postet publike personat me të shkuar kriminale dhe nuk i lë të zgjidhen apo emërohen në të ardhmen. Për çfarë kishin mandat politik, negociatorët e kanë kryer punën për projekt-ligjin e dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore. Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike thërret për të premten komisionin e posaçëm parlamentar për të ndjekur procedurën parlamentare për produktin final, ndërsa në shtator, pas opozitës, një draft e paraqiti edhe qeveria.
Zbardhja e pikave, ku dakordësohen PD-PS
Palët kanë arritur të shuajnë diferencat për çështjet themelore, ku më kryesorja ishte ajo e realizimit të procesit, duke u bazuar tek verifikimi i shenjave të gishtërinjve, gjë që qeveria nuk e kishte në draftin e saj. Shenjat e gishtërinjve merren nga baza e të dhënave dhe ata që nuk i kanë dhënë ende, do t’i japin. Në projekt-ligj është futur koncepti i moskandidimit, me përshkallëzim sipas rëndesës së krimit apo dënimit. Për krimet e rënda ndalimi do të jetë i përjetshëm. Ndërpritet mandati i zgjedhur ose i emëruar, me të njëjtat kritere, por kohështrirja është në të shkuarën. Ndalohen jo vetëm të dënuarit, por edhe ata për të cilët vendet e BE-së apo USA-s, si dhe shtete me sisteme ligjore të sigurta, kanë lëshuar masa arresti, kërkohen ndërkombëtarisht, apo janë dëbuar për krime. Hiqet e drejta e votës për të dënuarit për krime të renda gjatë kohës në burg. Mekanizimi që e bën të zbatueshëm ligjin është vetëdeklarimi, i cili kur rezulton i rremë përbën vepër penale. Prokuroria e përgjithshme është organi që do të bëjë verifikimet, ndërkohë që organet e caktuara zbatojnë vendimin qe del si pasojë e verifikimit. Personat, objekt i ligjit largohen nga detyra edhe kur verifikohet kushti pas zgjedhjes apo emërimit të tyre. 
Testi i drogës për kandidatët nuk përfshihet në ligj
Çështja për të cilën kryetari demokrat i Komisionit Oerd Bylykbashi dhe Ministrja Ermonela Felaj nuk kishin mandat politik për të negociuar ishte testi i drogës. Gjithçka është mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ndërsa i pari këmbëngul të realizohet, por i dyti e cilëson qesharake. Ajo çfarë la të kuptohet kreu i opozitës ishte që ky kapitull në projekt-ligj të ndahet me votë, duke pohuar kështu që nuk ishte kusht për të mbajtur peng gjithë pjesën tjetër të projekt-ligjit. Testi i drogës nuk është mbështetur nga zyrtarët europianë që ndjekin procesin e integrimit të Shqipërisë, si një praktikë ligjore që nuk ekziston në ligjet e vendeve të tyre. Komisioni i Venecias ndërkohë ka dhënë një opinion kundër përdorimit të testit të drogës për të zgjedhurit, duke interpretuar rastin e Gjeorgjisë. As Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë në legjislacionin e tyre testin e drogës për të zgjedhurit, por vetëm për disa kategori të veçanta zyrtarësh. 24 dhjetorin e 2014-ës mazhoranca dhe opozita miratuan unanimisht një rezolutë ku ndër të tjera ranë dakord për të hequr nga Parlamenti dhe postet publike dhe për të mos i lënë të kandidojnë në të ardhmen personat me të shkuar kriminale. Procesi pas gati një viti, duket se po shkon drejt finalizimit.
Sigal