Maxhoranca dhe opozita në konfliktualitet për interesa partiake, ndaj duan ndërkombëtarët arbitra për …bashkëpunim

460
Sigal

Forum: PD-ja thjesht do të hyjë në parlament, apo do të ketë marrëveshje të qëndrueshme për bashkëpunim?

6 muaj ishin të pamjaftueshme që maxhoranca dhe opozita jonë të gjenin, së toku dhe bashkërisht, një dritare për të parë secilën palë kundërshtare në sy dhe të afronin karriget e tyre në një tryezë bisedimi. Kur ditët  e skadimit të mandateve pas bojkotit shumë mujor të opozitës mbarojnë si ato tespihet që rrokullisen pasi është këputur peri që i mban lidhur, atëherë, politikës tonë i duhet një usta, që t’i shtrëngojë vidhat e trurit, që të vijnë në vete. Erdhi para disa ditësh Reporteri për Shqipërinë i Parlamentit Europian, Knut Flekenshtajnit, por duke qenë i vetëm përballë “gjigandëve” të sherrit të përhershëm politik në Shqipëri, kuptohet, që me duar bosh takoi Ramën, Bashën dhe Metën dhe me një buzëqeshje enigmatike, por me një dashamirësi rrahje shpatullash, u përcoll nga këta. Sot fillon turi final i bisedimeve BE- politikë shqiptare, minutave të finishit të greminës, kur pasnesër më 24 dhjetor është dita që mbyllet sesioni i Kuvendit dhe skadon edhe mandati i deputetëve të opozitës, nëse ata nuk marrin pjesë. Dhe Kukan, i ardhur që mbrëmë në Tiranë, përfaqësues i qendrës së djathtë europiane, por edhe një njohës shumë i mirë i politikës në Shqipëri, takohet paraditen e sotme me të tre aktorët kryesorë, që sipas agjendës janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta.Kur mbeten vetëm 2 ditë nga seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit, paqartësia në Tiranë për një marrëveshje eventuale mes maxhorancës dhe opozitës është mbizotëruese. Palët po diskutojnë për formën sesi do të kryhet marrëveshja që ajo të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme. Ndërkohë që është rënë paraprakisht dakord në nivelet më përfaqësuese të së majtës dhe të djathtës europiane se 3 çështjet që duhet të marrin zgjidhje me negociatat janë e drejta e opozitës për të ushtruar kontrollin parlamentar nëpërmjet komisioneve hetimore, e drejta e fjalës dhe pika më e rëndësishme, që ka marre të gjithë vëmendjen, është dekriminalizimi i parlamentit. Se si do të arrihet kjo është ende në diskutim: me një deklaratë të firmosur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, me deklaratë mes kryetarëve të grupeve parlamentare apo me një rezolutë parlamentare, ku në çdo rast të përfshihet garancia europiane për zbatimin e marrëveshjes që do të rikthejë opozitën në Parlament.

Për të krijuar një ide se çfarë mund të arrihet në këto bisedime, gazeta “Telegraf” mori edhe prononcimet e politikanëve dhe analistëve, duke shtruar një pyetje, që është balanca e procesit të integrimit të Shqipërisë në qasjen e afatit kohor të nisjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Me arbitër BE, maxhoranca dhe opozita do të arrijnë thjeshtë një marrëveshje që opozita të hyjë në Kuvend dhe të mos krijohet amulli kushtetuese me skadimin e mandateve të deputetëve që  bojkotojnë, apo marrëveshja do të jetë e qëndrueshme edhe për bashkëpunim dhe konsensus maxhorancë-opozitë për reformat e 5 prioriteteve që ka kushtëzuar BE-ja për Shqipërinë.

 Flasin për “Telegraf”

Marko Bello, ishdeputet i PS-së: Është ende shpejt të themi nëse marrëveshja me mazhorancën do të përfshijë bashkëpunim afatgjat

Lidhur me hyrjen e opozitës në Kuvend, mund të them se duhet vlerësuar rikthimi i PD-së në Kuvend, pavarësisht motivit. Duket se opozita do të kombinojë debatin në parlament me protestat në rrugë. Është ende shpejt të themi nëse marrëveshja me mazhorancën do të përfshijë bashkëpunim afatgjatë në interes të reformave për të cilat vendi ka nevojë. Afrimi i zgjedhjeve pritet ta ritensionojë situatën politike dhe akuzat reciproke do të shpeshtohen. Do të asistojmë në të njëjtën situatë si në 2011. Të njëjtët aktorë, veç në role të përmbysur.

 A rjan Starova, kryetar i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat: Do të jetë një marrëveshje në parim

Mendoj se marrëveshja opozitë me maxhorancë do të ketë një hapësirë më të madhe se thjesht hyrja në Kuvend e PD-së. Natyrisht, edhe hyrja e PD-së në Kuvend do të ketë një vazhdimësi më vonë, që këta të bashkëpunojnë edhe për prioritetet e integrimit të Shqipërisë, që të kenë konsensus në reformat që do të ndërmerren. Kjo marrëveshje, edhe në se arrihet, do të jetë në parim. Unë nuk e besoj se arritja e një marrëveshjeje opozitë-maxhorancë do të jetë edhe kaq e lehtë.

Av. Idajet Beqiri, kryetar i PUK: Situata dikton nevojën urgjente të një “Platforme Kombëtare Shpëtimi”

Shqipëria është bërë turpi i botës për papërgjegjshmërinë e klasës së saj politike, për paaftësinë e saj, për të qenurit e inkriminuar të saj, për varfërinë ekonomiko -financiare dhe shpirtërore që po përjetojnë shqiptarët. Jemi në buzë të një katastrofe kombëtare dhe të një tragjedie shokuese-mosbesuese se ky vend mund të bëhet dhe jeta e popullit mund të përmirësohet. Kjo situatë dikton nevojën urgjente të një “Platforme Kombëtare Shpëtimi”, e cila duhet të bëhet dhe të zbatohet nga të dy krahët e politikës. Vendi ka nevojë imediate për një armëpushim të politikës konfliktuale, për një bashkëpunim dhe bashkëveprim historik të maxhorancës dhe opozitës. Jo vetëm që të plotësojmë kriteret e vendosura nga BE që Shqipëria të anëtarësohet në këtë familje të ngrohtë për shqiptarët, por mbi të gjitha për të shpëtuar popullin dhe vendin nga rrënimi i mëtejshëm, nga degradimi total!  Kjo platformë nuk ka asgjë të përbashkët me “Marrëveshjen” maxhorancë-opozitë për të hyrë kjo e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo marrëveshje është qesharake, është fryt i politikës foshnjarake dhe të papërgjegjshme të sotme. Opozita e sotme është e barazuar me rolin e vetëm të një njeriu që e mban peng dhe e ka rrënuar Shqipërinë në këtë farë feje, e që është Sali Berisha. Opozita e sotme, kryetari i saj, Sekretari i përgjithshëm, kryetari i grupit parlamentar të PD dhe i gjithë stafi drejtues aktual i kësaj force politike, përbëhet nga zgjatimi i dorës famëkeqe të Berishës. Moderatorët e kësaj force politike kanë në dorë vetëm “çelësat e kashtës”. Ndaj marrëveshja është e dështuar. ..Platforma kombëtare e shpëtimit mbetet utopike. ..katastrofa jonë do shkojë dhe më tej. Me dhimbje të pranosh një perspektiv të tillë ogurzezë, por ky është

  Zamira Çavo, analiste: Opozita sërish të tentojë bojkotin si mjetin e vetëm për të arritur synimet e veta politike

Nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të Europës zbresin në Shqipërinë politike të ditës. Dhe si gjithnjë për të njëjtën arsye: mosmarrëveshjet mes pozitës dhe opozitës! Deri këtu nuk ka asgjë që vlen të diskutohet përpos faktit që vazhdojmë të mendojmë se elita politike shqiptare, në mos qoftë e korruptuar nga interesa të vogla, është e paaftë të drejtojë vendin me përgjegjësitë që i takojnë .Por duket se këtë radhë koha nuk pret për të bërë lojërat e zakonshme. Mosmarrëveshjet kanë mbërritur në një kufi limit kohor, pas së cilës ose, duhet shkelur Kushtetuta, (gjë e cila do tregonte edhe njëherë se sa pak respekt kanë politikanet tanë për ligjet), ose vendi do duhet të mbetet pa opozitë, pasi skadojnë mandate e deputetëve aktualë! Kukan me siguri do përpiqet të gjejë modelin e kompromisit për një kohë pak më të gjatë se e enjtja e fundit e limitit kohor, kur opozita duhet të jetë prezente në parlament. Kompromisi do arrihet dhe sigurisht që të dy palët do deklarojnë “fitoren” dhe do vazhdojnë të sillen si janë sjellë gjithnjë. Kjo do të thotë (nën këndvështrimin tim) që pas Viti të ri, opozita sërish të tentojë bojkotin si mjetin e vetëm për të arritur synimet e veta politike. Ndaj edhe “modeli” Kukan, apo i kujtdo qoftë, do jetë tepër i përkohshëm. Elita politike shqiptare ende nuk ka mësuar të komunikojë politikisht dhe për aq kohë sa nuk arrin të artikulojë interesa madhore publike, por vetëm interesa parciale pushteti, vendosja e urave të mirëkuptimit do të risjellë edhe kushedi sa herë “kukanët” në Shqipëri!

 Koço Danaj, kryetari i “Shqipëria Natyrale”: .Vështirë se mund të ketë “paqe” nën “Ullinjtë” e politikës shqiptare

 Kur dy palë janë në “gjendje lufte”, në fillim dorëzohen “armët”. Sot pozita dhe opozita janë në gjendje lufte në kuptimin figurativ. CCdo bëjë Kukan? Normalisht duhet që në fillim t’ju kërkojë palëve “të dorëzojnë” armët” dhe pastaj bëjnë marrëveshje paqeje. E pastaj të bashkëpunojnë për integrimin. Por kjo është e pamundur. Vështirë se mund të ketë “paqe” nën “Ullinjtë” e politikës shqiptare. Prandaj Kukan do lajë duart si “Ponc Pilati”. Ai do bëjë sikur i pajtoi palët, deri sa edhe opozita të futet ne Kuvend. Dhe pastaj di iki se ka edhe Festën e Krishtlindjeve. Sepse ju e dini, sa edhe unë, që pas disa ditësh është lindja e atij që kryqëzimin e tij e kërkoi realisht ish guvernatorit romak Ponc Pilati, por që më vonë “dobiçin” e la në derën e klerikëve të Judesë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve pozitë- opozitë nuk ndodhet në Bruksel, ajo ndodhet në Tiranë, në mendjet e politikanëve shqiptarë.