Maxhoranca bën gati ligjin që Presidenti të mos jetë më edhe kryetari i KLD-së

467
Sigal

Maxhoranca, në kuadrin e reformës në drejtësi, ka hartuar një projektligj, i cili parashikon që Presidenti të mos jetë, njëkohësisht, edhe kryetari i KLD-së. Ky projektligj, nëse miratohet, do t’i tkurrë edhe më shumë kompetencat kushtetuese Presidentit. Ministria e Drejtësisë, propozon ndërhyrjen në Kushtetute për t’i hequr të drejtën Presidentit që të jetë njëherësh kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky Propozim i është dorëzuar Komisionit të Posaçëm për Reformë në Drejtësi.  “Amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera. Për shembull, qenia kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit se nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimin e prokurorëve, edhe pse Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president jo qeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Presidenti i Republikës”. Ndërkohë për një çështje që ka krijuar debat mes maxhorancës dhe institucionit të Presidentit zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ministria propozon: “Komisioni i Venecias ka paraqitur propozimin në memorandumin e prillit të 2014, për modifikimet në sistemin e drejtësisë. Ato kanë të bëjnë me përfshirjen e Gjykatës së Lartë nën varësinë e KLD, përfshirë edhe faktin që gjyqtarët të mos zgjidhen nga parlamenti. Kjo kërkon ndërhyrje në kushtetutë”. Reforma në drejtësi, sipas Ministrisë së Drejtësisë duhet të ngrihet mbi ndryshimin e Kushtetutës, reformimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, reformimi KLD, reformimi i Prokurorisë dhe policisë, reformimi i profesioneve të lirë në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, reformimi i shkollës së Magjistraturës dhe arsimit juridik, reformimi i avokatisë.