Matteo Pulizzi: Atdhe i dytë për mua është Shqipëria: “Vendi i Shqiponjave”

797
Sigal

Intervistë me inxhinierin italian Matteo Pulizzi, një dashamir i shqiptarëve, kulturës tonë   që  flet  dhe shkruan bukur gjuhën shqipe

Meqë isha djalë shumë kureshtar pyeta edhe në shtëpi: asnjë përgjigje…vetëm burri i tezes çuditërisht dinte shumë gjëra për vendin e mistershëm. Ah…Shqipëria …i vetmi vend komunist në botë!!! Mendo që atje ka punë dhe shtëpi për të gjithë; atje shkolla dhe shëndeti janë falas, domethënë, shteti mendon për ty. Babai im dhe burri i tezes nuk shkonin mirë midis tyre. Ky i fundit e thërriste babin shpesh me nofkën përçmuese “Kapitalist” dhe tjetri ja kthente me po aq qesëndi: Komunist

  Besoj që ka shumë Matteo në mbarë botën vetëm se, ne duhet  të gjurmojmë  që të kemi sa më shumë miq të huaj që na duan ….“Përse nuk e studiojmë edhe atë vend të vogël përtej detit, kaq afër plazheve tona? –pyet Matteo i vogël mësuesen e tij…” Megjithëse flas shqip, nuk jam shqiptar, as arbëresh si shumëkush mund të mendojë, thjeshtë e kam mësuar gjuhën tuaj në moshën 17-vjeçare, kur u takova për herë të parë me refugjatët politikë nga Shqipëria në vitin 1991. Përherë më ka habitur njëfarë diversiteti i këndvështrimit, se çfarë mendojnë shqiptarët për veten dhe çfarë mendojnë të tjerët (italianët dhe gjermanët në veçanti).

  Zoti Matteo na thoni diçka rreth jetës tuaj në fëmijëri?

Fëmijëria ime? Si djem të tjerë të krahinës sime në Itali. Jam një nga tre kalamajtë e një fermeri të vogël, në një fshat të vogël në zonën fushore të lumit Po. Atje kam lindur dhe jam rritur. Që nga fëmijëria më ka tërhequr shumë mësimi i gjeografisë dhe gjuhëve të huaja. Çdo fetar a misionar që kthehej nga Afrika apo Amerika dhe vinte për vizitë në famullin tonë, bëhej për mua personi më interesant i botës. Mbase, sepse kisha lindur në një fshat të vogël. Kështu, kur u takova për herë të parë me refugjatë nga Shqipëria në pranverën e 1991-shit u hap për mua një botë e re.

 Më ka bërë përshtypja njohja e gjuhës shqipe, e flitni shumë bukur. Si ju lindi dëshira ta mësoni atë? Çfarë mund të na thoni për valën e refugjatëve që ia mësynë bregdetit italian dhe ndihmën që ua dhatë atyre?

 Megjithëse flas shqip, nuk jam shqiptar, as arbëresh si shumëkush mund të mendojë, thjeshtë e kam mësuar gjuhën tuaj në moshën 17-vjeçare, kur u takova për herë të parë me refugjatët politikë nga Shqipëria në vitin 1991. Ishte fundi i shkurtit, fillim marsi, kur karakatinat e detit mbërrinin në brigjet tona dhe ne vumë re për herë të parë se edhe në Evropë, bile mu përpara brigjeve tona, se si varfëria e skamja mund të detyronin mijëra njerëz të braktisnin shtëpitë e tyre në kërkim të kushteve më dinjitoze. Për herë të parë ne vumë re se matanë detit ekzistonte diçka. Mbase kjo mund të dukej zhgënjyese për shtetasit e vendit të Shqiponjave, por asokohe ishte vërtetë ashtu: ju shikonit RAI…mbase fshehtazi, ëndërronit vendin tonë, kurse ne, nuk e çanim kokën fare për Ju. Turp, do të mendojë sigurisht ndokush, si ka mundësi…pas një historie të përbashkët, aq domethënëse dhe tragjike njëkohësisht…si ka mundësi një mospërfillje e tillë? Po ashtu ishte…Kur në vitin 1979 fillova aventurën time mësimore, pra klasën e parë të fillores, mësuesja na tregonte hartën e Evropës, dhe as një fjalë nuk u tha për Shqipërinë. Një ditë e pyeta mësuesen (e mbaj mend ende shumë mirë): Përse nuk e studiojmë edhe atë vend të vogël përtej detit, kaq afër plazheve tona?  Përgjigja: nuk dimë asgjë  për të, vetëm se, është vend shumë i mbyllur, dhe ndonjëherë peshkatarët tanë hasin në patrullat kufitare, e dalin probleme për sekuestrime anijesh. Kaq!!! Meqë isha djalë shumë kureshtar pyeta edhe në shtëpi: asnjë përgjigje…vetëm burri i tezes çuditërisht dinte shumë gjëra për vendin e mistershëm. Ah…Shqipëria …i vetmi vend komunist në botë!!! Mendo që atje ka punë dhe shtëpi për të gjithë; atje shkolla dhe shëndeti janë falas, domethënë, shteti mendon për ty. Babai im dhe burri i tezes nuk shkonin mirë midis tyre. Ky i fundit e thërriste babin shpesh me nofkën përçmuese “Kapitalist” dhe tjetri ja kthente me po aq qesëndi: Komunist. Kështu hyri për herë të parë në jetën time prej vocërraku loja e mistershme e Politikës Ndërkombëtare. Natyrisht unë si çdo kalama i besoja babit, por edhe mendja ime prej djali 7-vjeçar me thoshte që një vend i tillë, ashtu sikurse  ma kishte pikturuar xhaxhi, mund të ekzistonte vetëm në përrallën e famshme te Kollodit, Pinoku. Kështu, pra kureshtja ime mbeti e pangopur… deri atë pasdite të paharrueshme pranvere, para 20 vjetësh, kur famullitari ynë më thirri në telefon për të më kërkuar ndihmë: “Erdhën refugjatët nga Shqipëria, i ke dëgjuar lajmet në Tv ? Po si ?! Thashë unë, e pra? Po i shpërndajmë në territorin tonë, edhe këtu në dioqezën tonë. Ne kemi marrë përsipër të strehojmë një grup prej 10 vetash. Ti flet mirë anglisht, hajde se do të na ndihmosh!” Po çfarë anglishteje!!! flisnin një gjuhë të çuditshme, e padëgjuar. Ndonjëri prej tyre dinte rusishten (për çka u duhej rusishtja këtyre fukarenjve? Moska është kaq larg!!! Në atë kohë unë isha student në vitin e 4-të të Liceut, dhe pas shkollës përditë shkoja për vizitë te disa refugjatë të strehuar në fshatin tim Konsandolo (fshat, midis Ferrarës e Bolonjës, Itali e Veriut). Për mua ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Bashkë me këta njerëz mësova jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën dhe traditat e Vendit të Shqiponjave.

Pasioni im i madh ka qenë gjithmonë radioja. Kisha gjetur në qilarin e shtëpisë një radio të vjetër me valë të shkurtra: rastësisht u ndesha në buletinin e lajmeve, pikërisht kanali i parë i Radio Tiranës! Mund t’ju duket mbase e çuditshme, por në kohën që refugjatët mezi mësonin diçka në telefon, unë përditë iu tregoja miqve të mi çfarë po thoshte Radioja. Pastaj zbulova Zërin e Amerikës, BBC-në në shqip etj.,  kështu filloi edhe pasioni im për zhvillimet politike e sociale të trevave (shqipfolëse) shqiptare, të cilat prej asaj kohe i kam ndjekur pothuajse përditë. Kështu filloi dashuria ime e madhe për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre. Kështu filloi dashuria ime e madhe për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre.

 Aktiviteti juaj në Kosovë pas luftës çfarë kujtimesh ju lanë?

Në vitin1999, një thirrje tjetër në telefon, gjithmonë një prift! A do të vish me ne në Kosovë? Sapo ka mbaruar lufta, mund të punojmë nëpër shkolla me nxënësit e sapokthyer në katundet e tyre. Ti mund të na ndihmosh me gjuhën! Erdha! Qe përgjigja ime, me gjithë dyshimet dhe hezitimet e prindërve të mi ( po mbaroja fakultetin e Inxhinierisë). Kështu në vjeshtë të ‘99 mbërrita në një  Kosovë të mbytur në llaç (baltë), të fshehur në terr (përpos asaj drite të paktë të gjeneratorëve) dhe të ngrirë nga acari i egër ballanik. Isha me një shoqatë humanitare, punova andej si vullnetar në shkollat fillore si përkthyes. Edhe sot nuk mund ta harroj natën e ndërrimit të motmoteve, natën e fundit të shekullit të përgjakur, bashke me një familje prej  Klinës së Pejës: jashtë ishte minus 20 ° C e brenda çadrës (apo shatorrit si thonë ata) nuk ishte shumë më nxehtë por ndihej një ngrohtësi tjetër. Si ka mundësi që një çift me 10 fëmijë, pa shtëpi, pa kurrgjë të jetë kaq i hareshëm, plot shpresë ndaj së ardhmes? Fuqia e qenies njerëzore, dashuria, atdhetarizmi, kushtimi i grave ndaj familjes, feja që bashkon katolikët e myslimanët, buzëqeshja e fëmijëve, këto vlera me sa duket  i shpëtuan shqiptarët nga shfarosja në atë kënd të Kombit shqiptar!

 Na thoni diçka rreth familjes dhe punës tënde të përditshme dhe si gjeni kohë të lexoni libra në shqip?

 Kur u ktheva nga Kosova u diplomova inxhinier mekanik. U martova dhe sot kam 4 fëmijë, ndërkohë punoj si mësues në shkollat e mesme publike, plus unoj në trajnimin profesional teknik të djemve të huajve 15- 17 vjeç. Shumica janë shqiptarë nga Elbasani, Durrësi, Shkodra, dhe nga Maqedonia. Për ata që ende nuk zotërojnë mirë gjuhën mësimore, e jap mësimin në shqip. Këta djemtë më duan shumë dhe shpesh buzëqeshin kur bashkë me broshurat teknike u shpërndaj fletët me poezi të Fan Nolit a të Naim Frashërit: “Do të bëheni punëtorë të zotë, teknikë të vyer të vendit tonë, por ama mos harroni tokën që ju ka pjellë, se pa histori s’ka ardhmëri!” kështu u them çdo herë. Midis tyre janë disa që sapo kanë ardhur, shpeshherë pa familje, pa ditur mirë gjuhën, por kur hyj në klasë, gëzohen e zbaviten duke dëgjuar një italian të çuditshëm që u flet për malin e Dajtit apo për bukurinë e livadheve myzeqare,  për muzgun e përmallshëm mbi kënetat e Karavastasë apo për bjeshkat e nemuna mjekërbardha në dhjetor.

Radioja ime e vjetër dhe e shtrenjtë me valë të shkurtra pushon tashmë e mbuluar nga pluhuri i studios sime, në vend të saj një kompjuter lidhur me internetin më sjell çdo natë në Shqipëri, nëpërmjet shtypit dhe emisioneve të lajmeve, më lidh me shokët e vjetër të rigjetur në Facebook si dhe me ata më të rinjtë. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosove  por sa keq më vjen kur dëgjoj se akoma ka probleme për shëndetësi apo për furnizimin e rrymës elektrike!

Si një dashamirës i kulturës shqiptare cili është autori i preferuar?

Në këto 20 vite interesi im ka qenë përherë Albanologjia dhe veçanërisht letërsia shqipe. Lexova pothuaj të gjitha romanet e Kadaresë, poezitë e D. Agollit, romanet e F. Kongollit përveç natyrisht klasikët si N.Frashëri, Fan Noli, Gjergj Fishta. Lexova shumë vepra e artikuj nga albanologët jo shqiptarë, në veçanti gjermanë, dhe vura re një diferencë perspektivash shumë të forta për sa i përket miteve (origjina ilire, Skënderbeu, miti i luftës nacional-çlirimtare) në literaturën shqiptare dhe vetëformimit të identitetit evropian. Përherë më ka habitur njëfarë diversiteti i këndvështrimit, se çfarë mendojnë shqiptarët për veten dhe çfarë mendojnë të tjerët (italianët dhe gjermanët në veçanti).  Sot në saj të Internetit dhe teknologjive te reja, më është dhënë mundësia ti zgjeroj njohuritë e mia. Një kohë duhej të porosisja librat, gazetat përmbledhje poezish nëpërmjet miqve që në pushime ktheheshin në vatrat e tyre të shtrenjta. Sot më mbetet vetëm të zgjedh uebsiten, ku mund të shkarkoj Çajupin a Konicën!

Dashuria ime e parë, dhe dihet se dashuria e parë nuk harrohet kurrë, ishte I. Kadareja. Nga romanet e tij, duke shijuar  bukurinë e Shqipërisë së kaluar si dhe të Shqipërisë së sotme me gjithë kontradiktat e saj, m’u dha mundësi të mësoja mirë një mori fjalësh që me vështirësi do t’i kisha mësuar vetëm nga kontakti me refugjatët.

Në këto vitet e fundit zbulova një autor më pak i njohur por, mbase aq i madh sa I.Kadare: e kam fjalën për  Martin Camajn. Albanolog i madh, por sidomos poet i pashoq. Edhe kur shkruajti në prozë, esenca e veprave të tij mbetet në frymën poetike, domethënë edhe romanet janë për të mbështetur poetiken e tij. Sigurisht poezitë e Camajt janë të vështire dhe vetëm pjesërisht të zbërthyeshme, si vlen për gjithë poezinë hermetike (Ungaretti ynë për shembull, që në fakt ka qenë mësuesi i Camajt në Romë).

Si lekturë shkollore përdoret ndonjë libër në shkollat italiane i përkthyer nga ndonjë autorë shqiptar?

Jo! Asnjë! Në imagjinatën italiane (mbase europiane edhe) Shqipëria, Kosova, Ballkanet në përgjithësi janë vetëm një burim problemesh dhe trazirash. Kur koleget e mi me shohin që lexoj një libër në një gjuhë të huaj më pyesin se në çfarëgjuhe po lexoj dhe pas përgjigjes sime hutohen pak dhe disa me thonë: edhe shqiptarët kanë një letërsi??? Ashtu si Bismarku para një shekulli: Vvelche albanische Frage? Cila çështje shqiptare?

I vetmi autor shqiptar i përkthyer që mund të gjesh në çdo bibliotekë është Kadareja.

Ç’mendim keni për arbëreshët e që bashkëjetojnë në vendin tuaj? I ruajnë traditat e të parëve të tyre?

Jane një copë e Arbërisë që mrekullisht mbijetoi si një ishull i rrethuar nga italianet. Për 5 shekuj kane ruajtur traditat, këngët, vallet, veshjet, epopenë e Skënderbeut, ritin e tyre të veçantë (greko-ortodoks, sepse shumë vinin nga Toskëria dhe nga Morea, domethënë Peloponezi), por mbi të gjitha ruajtën gjuhën, thesarin më të madh që përben themelin e identitetit shqiptar. Rilindja shqiptare fillon nga arbëreshet si dhe letërsia romantike (De Rada, Kamarda, Serembe). Nëse sot ekziston një komb shqiptar, me një identitet të fortë gjuhësor-kulturorë, megjithëse të shpërndarë në disa shtete (Shqiperi, Mali i zi, Kosove, Maqedoni) për këtë duhet të falënderojmë arbëresht të Italisë së jugut!

Keni vizituar Maqedoninë dhe si iu duk  mentaliteti i këtij vendi? Sipas jush dallojnë shqiptarët e Maqedonisë nga ata të Shqipërisë e Kosovës?

Sipas mendimit tim, shqiptarët janë para së gjithash shqiptarë!

Sigurisht janë disa diferenca krahinore, ashtu si i kemi ne në Itali, dhe besoj në çdo vend të botës.

Duke përkufizuar analizën time vetëm në aspektin kulturor, mund të them që shqiptaret e Shqipërisë kanë mesatarisht një nivel më të lartë kulturor dhe shkollor. E kam fjalën për brezin që sot është rreth  të 50-ve. Kosova ka patur periudhën e saj të artë në vitet ‘70 falë një farë lirie e lënë nga Tito-ja, po pastaj errësirë, dhunë dhe harrim. Kjo, jo për faj të shqiptarëve, historinë e njohim të gjithë. Unë vetë pata rastin të vizitohesha nga mjekë të rinj kosovarë që kishin studiuar në qilarë dhe me shumë pak kompetenca. Kur pata nevojë më këshilluan filan mjekun, shqiptarë por, që ka studiuar në Beograd! (d.m.th. i ka të gjitha kompetencat shkencore dhe profesionale).

Për shqiptarët e Maqedonisë edhe me keq. Ata as nuk patën periudhën e artë të kosovarëve. Vetëm në vitet e fundit po bëhet diçka (Universiteti i Tetovës…)

Një gjë i lidh të gjithë shqiptarët, nga Saranda deri në Mitrovicë: mikpritja, bujaria, zemërgjerësia. Gjithmonë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni e kam ndier veten si në shtëpi.

  Sabri Zeqiri