Matrapazët e ushtrisë kanë boshatisur depot

594
Sigal

Dyshohet të jenë shitur ilegalisht në vendet arabe nga Arben Imami e vartësit. Kodheli ka urdhëruar auditimin

Prej disa javësh, me urdhër të posaçëm të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, një ekip kontrolli i institucionit që ajo drejton ka nisur verifikimin në fakt në magazinat e rezervave të ushtrisë pasi dyshohet se me urdhër të ish-paraardhësit të saj Arben Imami, qindra ton lëndë plasëse, armë dhe municione luftarake janë shitur apo trafikuar në kundërshtim me ligjet në fuqi në disa vende arabe. Dyshimi për këtë skandal si dhe fakti i kontrollit në vazhdim, bëhet i ditur për gazetën “Telegraf” nga burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Burimi në fjalë jep dhe disa shifra të abuzimeve të dyshuara në këtë skandal, përfitimet nga drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, vendet ku kanë përfunduar, mënyrën e transportimit etj.. Por për të qenë të saktë, deri në konfirmimin zyrtar të këtyre shifrave, për momentin këto nuk jepen për lexuesin e “Telegraf”. “Është e vërtetë që me urdhër të ministres Mimi Kodheli, prej disa javësh ka nisur një kontroll (audit) në depot e armëve e municioneve luftarake, Uzinat e Armëve e të Lëndëve Plasëse, pas informacionit për abuzime si dhe për të verifikuar gjendjen reale dhe përmasat e këtij skandali të dyshuar. Pas përfundimit të kontrollit, do të bëhen publike faktet dhe do të ndërmerren hapat administrative dhe ligjor”- shtojnë burimet e mësipërme. Pas akuzave të djeshme dhe që bëri deputeti Taulant Balla kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami lidhur me shitjen e një sasie prej 500 ton TNT(tritol), bazuar në kontratën e shitjes nr. 182 datë 21.05.2013 me blerës shoqërinë “BABASI COO sh.p.k” e me destinacion Bullgarinë (duke premtuar dorëzimin në Prokurori), ky mund të jetë

KONTROLLI

Burimet nga Ministria e Mbrojtjes, ndonëse të rezervuara në detaje, konfirmojnë se prej javësh, ekipe ekspertësh, me urdhër të ministres Mimi Kodheli, kanë nisur një kontroll të hollësishëm për verifikimin në fakt të gjendjes reale të armëve, armatimit, lëndëve plasës e municioneve në magazinat e tunelet e rezervave të ushtrisë. Pas pak ditësh pritet përfundimi i kontrollit, nga ku do të jepen edhe konkluzionet. “Kontrolli është me objekt dhe përfshinë pothuaj të gjitha pikat ku ndodhen rezervat luftarake të ushtrisë, përfshi dhe uzinat e prodhimit e demontimit. “Kontrolli do të bëhet në repartin e Rezervave në Mëzez, në Krastë të Elbasanit, në tunelet e Rezervave në Krastë, në Mirakë të Librazhdit, në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, në Poliçan e në disa njësi të tjera”,- shtojnë burimet e mësipërme.

DYSHIMET

Edhe pse burimet e “Telegraf” në Ministrinë e Mbrojtjes rezervohen të japin detaje për këtë skandal të përfolur, duke pohuar se “verifikimet do të saktësohen pas auditit (kontrollit) të plotë”, burime jo zyrtare nga kjo ministri flasin për shifra, raste, kontenierë e ngarkesa të tjera me Lëndë Plasëse që me urdhër të Ministrit Arben Imami apo vartësve të tij, kanë përfunduar në vendet arabe. Sipas këtij burimi, nuk përjashtohet që TNT-ja, armë e municione shqiptare të kenë përfunduara direkt apo nëpërmjet të tretëve (blerësve) në vendet arabe që aktualisht janë në konflikte të brendshme të armatosura. “Muaj më parë, në Portin Detar të Durrësit erdhi një anije me rreth 100 kontenierë për të tërhequr municione luftarake nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë. Anija erdhi në Durrës, e pala shqiptare, kundrejt kontratës, nxori fletë-inventaret e arsenalit luftarak detajuar në magazine, i planifikuar për ngarkesën. Por pas disa verifikimesh rezultoi se kishte diferenca të konsiderueshme midis gjendjes në fletë-inventare dhe gjendjes reale që ishte në magazinë. Në këto kushte, shumë kontenierë të blerësit nuk u mbushën dhe u shitën (bosh) të interesuarve në portin tonë detar. Pikërisht, kjo diferencë në arsenalin luftarak, përfshi dhe Lëndën Plasëse, dyshohet të jetë shitur apo trafikuar në kohën kur Ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami”,- shton burimi i mësipërm. Që me ardhjen në pushtet të së majtës, Arben Imami, u vu në tehun e akuzave zyrtare të së majtës. Ishte Mimi Kodheli, titullarja e Mbrojtjes që denoncoi në Prokurori Imamin për shkelje e pabarazi në tendera duke shkelur ligjin me qëllim përfitimi. Akuza për shitjen e jashtëligjshme bullgarëve (nëpërmjet një firme pro së djathtës), bërë nga deputeti Taulant Balla, është një akuzë tjetër ndaj Imamit. Ndërsa përfundimet e kontrollit të urdhëruar nga Kodheli (nëse vërtetohen), do të jetë një akuzë tjetër zyrtare për ish-kreun e Mbrojtjes në qeverisjen e Berishës.

Deputeti Balla: Imami i pandehur, u dha bullgarëve 500 ton tritol

 TIRANË- Deputeti Taulant Balla, në një publikim në faqen zyrtare ka konfirmuar një kallëzim tjetër penal për korrupsion për ish-Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. “Prokuroria të marrë menjëherë të pandehur Arben Imamin, provat janë të pakundërshtueshme. Mbi Arben Imamin rëndon abuzimi me shitjen e 500 tonë tritol nga ushtria drejt një kompanie private. ULP Mjekës me urdhër të Arben Imamit ka realizuar shitjen e një sasie prej 500 ton TNT, bazuar në kontratën e shitjes nr. 182 datë 21.05.2013 me blerës shoqërinë ‘BABASI COO sh.p.k’. Janë konstatuar edhe shkeljet dhe mangësitë si vijojnë:

-Kontrata është lidhur përpara se blerësi të pajisej me autorizim nga AKSHE për transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, në shkelje të pikës 8 të udhëzimit nr 4 datë 07.05.2010 ‘Për përcaktimin e procedurave dhe strukturave për shitjen e artikujve të dalë jashtë përdorimit e armatimit të FA që janë kategorizuar për përdorim ushtarak….’.
-Kontrata është lidhur pa marre miratimin e MM, në shkelje të pikës 11 të udhëzimit nr 4 datë 07.05.2010
-Është shkelur pika 4 e udhëzimit nr 4 datë 07.05.2010, sipas të cilës, ULP Mjekës nuk është e specializuar për të realizuar eksporte por kjo procedure duhej të kryhej nga ndërmarrja “MEICO”.
-Kompensimi me mall i një detyrimi në para rrjedhojë e procesit të demontimit bie në kundërshtim me VKM nr 432 datë 26.06.2006, si dhe të udhëzimit të përbashkët të MM me MF nr 2 datë 06.02.2012, sipas të cilit të ardhurat me para duhet të kalojnë në buxhet.
-Çmimi prej 450 USD/ton është përcaktuar vetëm mbi bazën e kërkesës së blerësit (firma Babasi Coo shpk), pa bërë testimin e tregut, pa përcaktuar specifikimet teknike dhe pa një vendim për përzgjedhjen e ofertës më të mirë.
-Çmimi i shitjes prej 600 USD i aplikuar nga firma Babasi COO sh.p.k, për blerësin në Bullgari, pa bërë asnjë përpunim të mëtejshëm të mallit, ka favorizuar blerësin, gjë të cilën shumë mirë mund ta realizonte ndërmarrja Meico.
Për veprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin, mbajnë përgjegjësi Arben IMAMI, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Daniel KARANXHA, ish-Drejtor i ULP Mjekes, Ministria e Mbrojtjes.
Duke i konsideruar veprimet e kryera nga këta ish-zyrtare si veprime me pasoja për interesat e shtetit dhe në kundërshtim me ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale Ju dërgojmë këtë kallëzim penal për ndjekje të mëtejshme procedurale”,- thuhet në denoncimin e deputetit Taulant Balla.