Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka nxjerrë blof Ramën lidhur me videon e publikuar prej tij, ku kreu i qeverisë tregon për investimin e bërë prej qeverisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit , duke e kthyer atë në një spital modern.
Sipas demokratit Boçi, videoja e publikuar nga Rama është e gënjeshtërt.
E para sepse investimi në Kirurgjinë e re, ku është edhe Spitali Obstetrik, është bërë në vitin 2013, në qeverisjen e PD-së, në kohën kur ministër Shëndetësie ka qenë Halim Kosova.
Për më tepër thekson Boçi ajo që shfaq Rama në video është e gënjeshtërt dhe publikon fotot që vërtetojnë të kundërtën.
DHE MASHTRIMET S’KANË TË SOSUR
Rrena i ka këmbët e shkurtëra – thotë fjala e urtë – prandaj del shpejt.
Por rrenat e Ramës janë akoma më keq. Janë pa këmbë fare. Prandaj quhen pafytyrësi.
Rama ka postuar sot një video-mashtrim për spitalin rajonal Elbasan si investim të tij dhe krenohet çmendurisht.
Realisht investimi i Kirurgjisë së re ku është dhe Obstetria e re është bërë në 2013 kur Ministër ishte Halim Kosova, në qeverisjen e PD.
Linku e dëshmon: https://m.youtube.com/watch?v=uI5DsSEEA1A
Por Rama nuk e njeh turpin.
Ndërsa realiteti për pjesët e tjera është krejt ndryshe nga ajo që rreket të mashtrojë Rama në video-lojën e tij.
Kirurgjia e vjetër është bllokuar nga dritaret me blloqe e suvatim dhe e lyer vetëm në pjesën ballore hyrëse të spitalit (foto).
Ndërsa pjesa kryesore është prej 5 vitesh e degraduar dhe e shndërruar në një WC gjigande dhe vend prehje për përdoruesit e drogave (foto).
Është për të vënë duart në kokë.
Njëkohësisht është një vatër e madhe infeksioni dhe vetëm dy metra larg Pediatrisë e ngjitur me Gjinekologjikun e ri (foto).
Është pak të thuash që kemi afër një skandali shëndetësor.
Pediatria është lyer vetëm në pjesën hyrëse dhe katin e parë. Pjesa tjetër krejtësisht e rrënuar, antihigjenike e vend ku gëlojnë pisllëku bashkë me mikrobet e bakteret (foto).
Për të mos folur për hyrjen, ku përgjatë një rruge plot gropa e mizerabilitet je i detyruar të paguash, sepse parkimi i është dhënë me koncesion s’dihet se kujt.” – shkruan Boçi në “Facebook”.