Mashtrimi me skicat e Teatrit: E vërteta është beton dhe qendra tregtare

1012
Si do të ndërtohet e gjithë zona, nga rruga para Ministrisë së Brendshme deri para godinës së vjetër të PD-së, që do të prishet 
Ndërtimi i një godine të re për Teatrin Kombëtar është vetëm pretekst dhe mbulesë për projektin më të madh, deri tani, të betonizimit të qendrës së Tiranës, një bllok masiv ndërtesash, shumica e ndërtuar mbi tokë publike që do të tjetërsohet në favor të privatit. Ndërtesat do të shërbejnë si qendra tregtare, qendra biznesi, dhe banesash. “Exit.al” ka siguruar planin e ndërtimeve në këtë zonë. Praktikisht, e gjithë zona, nga rruga para Ministrisë së Brendshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës “Toptani” do të ndërtohet, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese “Torre Drini”, “Gjergji Center” dhe “Eurocol”, një bllok të dendur ndërtesash të larta. Projekti parashikon prishjen e ish-godinës së PD-së, madje edhe të ndërtesës së vjetër të njohur si Sarajet (edhe pse pronarët e kësaj ndërtese po i qëndrojnë ende trysnisë së kryeministrit Rama përmes ndërtuesit). “Exit.al” ka mësuar gjithashtu se do të jenë tre firma që do të zhvillojnë të gjithë bllokun: Fusha, Kastrati dhe Edil-Al. Ndërtuesi kryesori do të jetë “Fusha shpk”, që do të jetë edhe ndërtuesi i godinës së teatrit në shkëmbim të tokës publike. Projekti i godinës së teatrit që ka bërë publike dyshja Rama-Veliaj është keqinformues. Duke paraqitur vetëm maketin e ndërtesës së re të teatrit, mbahen të fshehura të gjitha ndërtimet përqark saj. Maketi i paraqitur fsheh faktin se më shumë se gjysma e territorit të tanishëm në pronësi të teatrit dhe Ministrisë së Kulturës do të tjetërsohet në favor të privatit për ndërtimin e disa godinave të larta. Projekti i paraqitur përfshin rrugica për kalimtarë dhe pjesë të gjelbëruara, të cilat nuk ekzistojnë në projektin që do zbatohet në praktikë. Projekti do të përfitojë nga të gjitha lehtësirat fiskale që ka krijuar së fundmi dyshja Rama-Veliaj, përgjysmimi i tarifës së ndërtimit dhe ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për hotelet e shtrenjta. Gjithashtu, pritet që për të shmangur të gjitha pengesat ligjore për këtë skemë krejtësisht të paprecedentë shkëmbimi midis qeverisë dhe privatëve do të duhet të ndryshohen ligje dhe me gjasa edhe miratim në Kuvend. Pjesa më shqetësuese nga të gjitha është vlerësimi i kostos së ndërtimit të godinës së teatrit, e cila pritet që të fryhet përtej asaj reale për të justifikuar truallin publik që do t’i jepet privatit. Edhe pse në emisionin “Opinion”, Veliaj është shprehur se godina do të kushtojë 20-30 milionë euro, në praktikë ajo do të kushtojë shumë më pak-në dëm të cilësisë.

Teatri i ri me 4 kulla, arkitektët: Humbim një vlerë historike
“Do të shembet, sepse ai nuk bën as për teatër komune dhe jo për një teatër kombëtar”, është shprehur Rama. I projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur në botë, danezi Bjarke Ingels, Teatri i ri Kombëtar do të ketë hapësira tre herë më të mëdha se teatri aktual. Ndërtesa moderne parashikon katër salla shfaqjesh nga një që është aktualisht si dhe kushte shumë më të mira për artistët. Por ky projekt vjen me një kosto. “Me këtë nismë ne humbasim një vlerë historike të Tiranës”, thotë Ledian Bregasi, kryetar i unionit të Arkitektëve. Teatri i ri do të ndërtohet me koncesion nga një kompani private. Por bashkë me ndërtesën e teatrit, që do i shërbejë, publike privati do të ngrejë edhe 4 kulla për përfitimin e tij, pikërisht në qendrën historike të Tiranës. “Është e pavend të komentojmë për projektin. ai projekt është modern dhe mund të rrinte shumë mirë në çdo vend të botës, por jo aty. Tirana ka shumë zona që mund të zhvillohej, fjala vjen Bulevardin e Ri”, vijon Bregasi. Argumenti kryesor i qeverisë është se nuk ka para ta ndërtojë teatrin vetë, ndaj ka zgjedhur këtë skemë. Por a është kjo zgjidhja e vetme për të pasur një teatër më funksional dhe më të denjë? “Ka disa zgjidhje. Ai mund të bëhej edhe thjesht duke rindërtuar teatrin ekzistues ose duke bërë ndërhyrje për ta bërë atë më funksional dhe më të mirë”, shprehet kreu i shoqatës së Arkitektëve. Projekti i teatrit të ri ka shkaktuar shumë debate edhe mes vetë artistëve. Të gjithë bien dakord se Shqipëria ka nevojë për një teatër më të mirë. Por jo të gjithë janë dakord me zgjidhjen e qeverisë.
Sigal