Mashtrimi me 400 mijë dollarët në Ambasadën e Uashingtonit

458
Sigal

Denoncimi i ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbert  Galanxhi për kushtet skandaloze të godinës dhe pamundësinë për të vazhduar punën ka hapur polemika të gjera, se ku kanë përfunduar paratë, të cilat kanë pasur si destinacion riparimin dhe mirëmbajtjen e godinës.  Vetëm gjatë vitit 2010 për mirëmbajtjen dhe riparimet në Ambasadën e Uashingtonit  janë planifikuar  400 mijë dollarë dhe po aq, kanë qenë të planifikuara për ambasadën tjetër në Nju Jork.  Në raportin me Nr. Port.714 ,indeks D/3 datë 12 /04 2010 që Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme  i kërkon kësaj të fundit miratimin e Planit Financiar për vitin 2010 dhe Planin e Investimeve për vitin 2010. Por çfarë  përmbanin këto plane dhe në rastin konkretë duke marrë shkas edhe nga  denoncimi i Ambasadorit  Galanxhi, a ishin  parashikuar fonde për mirëmbajtjen dhe riparimet e ambasadës? Në planin paraprak të investimeve për vitin 2010 të përgatitur dhe përpiluar nga sektori I investim-mirëmbajtjes së Drejtorisë së Shërbimit të trupit Diplomatik janë parashikuar rreth 400 mijë dollarë investime vetëm për  riparimin e ambasadës në Uashington. Gjithashtu, 400 mijë dollarë janë parashikuar edhe për Ambasadën në Nju Jork.  Fakti që Ambasada Shqiptare ne Uashington DC është në gjendje skandaloze tregon se ose këto riparime janë bërë sa për të justifikuar shpenzimin e parave  ose nuk janë bërë fare dhe nuk dihet destinacioni i tyre se ku ka  përfunduar. Por le t’i kthehemi  vazhdimësisë së   procedurave  pas kërkesës që Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në arsyetimin e saj Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD)  mbështetur edhe në Vendimin e Këshillit Drejtues me Nr.Port.597 , Indeks A/3  thotë:  “Pas kërkesave të ardhura çdo vit dhe disa herë në vit nga stafet diplomatike të RSH-së në këtë vend dhe pas verifikimit të bërë nga specialistët tanë, rezulton se, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme në ambientet e godinës,si p.sh: në muret, të cilat kanë filluar të myken, duke përbërë edhe rrezik për shëndetin e diplomatëve. Gjithashtu, ka nevojë për rehabilitimin e fasadës së godinës për të patur një prezantim dinjitoz të RSH-së në këtë vend. Për të realizuar këtë mirëmbajtje apo rasteve të mundshme të emergjencës është parashikuar një fond prej 100.000 dollarësh. Bashkëngjitur  plani financiar dhe ai i investimeve për vitin 2010” . Kësaj kërkese i është përgjigjur Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet shkresës që mbanë Nr.Port. 8888 datë 30 /7/2010, ku thuhet se, Ministria e Punëve të Jashtme miraton Planin Financiar dhe atë të investimeve për vitin 2010. Atëherë lind pyetja: Ku  kanë shkuar këto para të miratuara dhe të nxjerra nga Buxheti i Shtetit për riparimin e ambasadave në Uashington? Sa është përfundimisht vlera 400 mijë dollarë apo 100 mijë dollarë? Kush i ka bërë riparimet dhe kush i ka marrë në dorëzim përfundimin e këtyre punimeve? A ka kontratë për këtë prokurim dhe pse ambasada është në këtë situatë skandaloze? Këto janë përgjigjet që duhet të japin drejtuesit e DSHTD-it dhe ish- ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, por edhe detyrimi i KLSH-së për këtë gjendje skandaloze. Vetëm para  1 viti e gjysmë në një analizë të tijën Peter Tase kishte paralajmëruar këtë skandal që sot mori përmasa ndërkombëtare.

Koment

Ngjarja në Ambasadën Shqiptare në Uashington tregon se babëzia e administratës së DSHTD-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk njeh limite. Gjendja skandaloze e kësaj ambasade dhe fakti që janë planifikuar dhe miratuar paratë për riparime, por këto para nuk dihet se, ku kanë shkuar tregon se sa të pafytyrë dhe se çfarë banditësh kemi në krye të drejtorive të administratës shqiptare. Skandali i Ambasadës Shqiptare në Uashington i tregon diplomacisë botërore, por edhe administratës së lartë të SHBA-ve se babëzia dhe makutëria nuk kanë limit. Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj administrate, e cila vetëm administratë  publike nuk mund të quhet. Ndoshta, cilësimi Ali Baba me 40 hajdutë është më i saktë dhe më  realë. Ajo që përbënë turpin e kësaj meseleje janë deklaratat e disa  ish-funksionarëve përgjegjës  për këtë situatë të agravuar prej vitesh. Fatos Tarifën e dëgjuam dje kur na tregonte “me zemër në dorë” se sa keq i vinte për situatën në ambasadë. Por Fatosi nuk thoshte se a e kishte dërguar ndonjëherë makinën e tij të ambasadës për të blerë cigare puro dhe lapsa me dru organik në Las Vegas? Cila është e vërteta e qirasë  së  sekretares së ambasadës, Mira Schneider e martuar me një shtetas amerikan? Si qëndron problemi me automjetin të tipit “Kadillak”? Po qiranë 2300 dollarë në muaj të shtëpisë së ambasadorit kush e paguante? Cila ishte e vërteta e lokaleve të vona? Këto dhe shumë të tjera do zbardhen me këtë rast në mënyrë që të flasin të ndershmit dhe jo batakçinjtë që kanë interesa personale dhe që e shkuara nuk ua zbardh dot faqen këtyre faqezinjve. Ka edhe të tjera me përfaqësues të lartë të politikës aktuale që kërkonin në restorante “patate të skuqura” dhe që shoqëruesit viheshin në siklet dhe për tua servirur, i blinin jashtë restoranteve në lokalet e hamburgerëve.