Masakrohet spitali ushtarak, mjekësia shqiptare në koma

616
Sigal

Dje Komisioni i Shëndetësisë dha Ok për kalimin e Spitalit Ushtarak në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë

Ardhja në krye të  Ministrisë së Mbrojtjes e Arben Imamit shënon edhe fillimin e shkatërrimit të Spitalit Qendror të Ushtrisë,  apo sikurse njihet ndryshe, në gjuhën e përditshme, Spitali Ushtarak i Tiranës.  Natyra artistike  dhe humanizmi që  vetë arti shpalos që  nga antikiteti deri në  botën e sotme  ,  nuk gjejnë vend tek ky njeri, që për pushtet ja kalon nga bëmat  Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës së bashku.  Madje, ky personazh  nuk ka asgjë të përbashkët me origjinën profesionale të  ish- ushtarit  të Pashalimanit  në filmin “Ballë për Ballë”. Burime konfidenciale të gazetës “Telegraf”, pranë  Ministrisë së Mbrojtjes, prej ka kohësh  kishin sinjalizuar  se po përgatitet një nga veprimet më kriminale në historinë e ushtrisë shqiptare, ajo e shkatërrimit me qëllim tjetërsimi të  ambienteve dhe sipërfaqes së tokës që ky spital ka nën pronësi. Dhe historia  e shkatërrimit të këtij spitali  me qëllim përfitimi fillojë me ardhjen  në pushtet, pas vitit 2005 të Partisë  Demokratike. Fillimisht,  këtij spitali iu morën disa ambiente,  duke ju dhënë një spitali privatë,  me mbulesën e emrit “amerikan” , aq të preferuar për shqiptarët, por që s’ka lidhje me ligjin dhe rregullat që funksionojnë në shtetin më demokratik të botës , me Amerikën. U bë shumë zhurmë , madje u hodhën edhe hipoteza të lidhjes së familjarëve të pushtetarëve me këtë spital dhe se si arriti që një kompani private të futet në ambientet e Spitalit Ushtarak, objekt strategjik i një ushtrie që është vend anëtar i NATOS. A bënë vaki që në Amerikë, Gjermani apo Turqi, ku janë spitalet ushtarake, të futet një subjekt privat, duke i marrë ambientet  spitalit ushtarak ? As  nuk shkohet nëpër mend që brenda një territori ushtarak të ketë paralelë një spital privatë, ku hyjnë e dalin lloj-lloj njerëzish, të ndershëm,  apo kontrabandistë, që kanë para, kriminelë apo terroristë dhe askush nuk i njeh dhe nën pretekste të ndryshme, mund të bëheshin rrezik për sigurinë e ushtarakëve të sëmurë, apo ish-ushtarakëve që  përfitonin trajtim në bazë të statusit të ushtarakut. Marrëzia e që nisi në 2006-ën më marrjen e ambienteve të spitalit ushtarak dhe futjen në një dhomë të 4 apo 5 të sëmurëve dhe në spitalin privatë kishte një 1 deri në 2 dhoma për një pacient tregon  papërgjegjshmërinë e këtij shteti, që  përpara fitimeve nuk pyesin as për shëndetin e ushtarakëve dhe familjarëve të tyre. Vendimi i djeshëm i komisionit të shëndetësisë, i cili bëri kalimin e këtij spitali nga ministria e Mbrojtjes në atë të shëndetësisë  do t’i mbulojë me turp këta deputetë, por do t’i çojë një ditë së bashku me Arben Imamin në bankën e të akuzuarve, për shkak të shkeljeve ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Askush nuk ka të drejtën të ndërhyjë dhe të marrë vendime për kalimin e një reparti ushtarakë, pjesë e logjistikës së Forcave të Armatosura, pa u marrë një vendim për ndryshim destinacioni nga ana e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Si ka mundësi që Ministri Imami për një pjesë të  kë kërkesave të opozitës, thotë që përbëjnë sekret  shtetëror dhe një pjesë si ky e Spitalit Ushtarak hap dyer e dritare pa e çarë kokën  për sekretin. Prekja e strukturës së logjistikës është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe se është ë njëjti veprim, sikurse ai që Ministria e Mbrojtjes së Imamit dhe ajo e Jashtme bënë me kufijtë detarë dhe që Gjykata Kushtetuese  e cilësojë si anti -ligjore. Ky veprim i përkthyer ,në  anën tjetër, është falje e territoreve dhe përbënë  tradhti  kombëtare.  Shkrirja e spitalit Ushtarakë dhe kalimi i tij në pronësi të Ministrisë Shëndetësisë është  në kundërshtim të plotë edhe me standardet që përdorë vetë NATO, pasi hapja e Qendrës Shëndetësore në Zallher është pjesë e rolit 2 të standardeve për dhënien e ndihmës së parë. Ndërsa Roli  3, që ka të bëjë me pritjen nga vendi i aksidentit, si dhe rehabilitimin, i takon Qendrës Spitalore Ushtarake (Spitalit Ushtarak). Presidenti i Republikës njëherësh edhe Komandanti i Forcave të Armatosura duhet të raportonte fillimisht në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për prekjen ose jo të aktivitetit të ushtrisë, pasi logjistika është pjesë përbërëse  e këtyre forcave. Fakti për objekte e shërbime që janë pjesë e logjistikës së Forcave të armatosura  anashkalohet Komisioni Parlamentar i Sigurisë  Kombëtare dhe merret Komisioni i Shëndetësisë  tregon  aktin më të shëmtuar kriminal që po bëhet me interesat e ushtrisë dhe pronën e shqiptarëve. Kjo mënyrë me sa duket është faza e dytë,  që do t’i paraprijë më vonë dhënies së këtij spitali  familjarëve të qeveritarëve  aktualë. Por  çfardo që të ndodhë, do vijë një ditë dhe Partia Demokratike dhe Ministria e Shëndetësisë  që drejtohet nga LSI-ja e  Ilir Metës, do të ndëshkohen rëndë dhe nuk do dinë ku të fusin kokën për  marrëzinë e radhës  që po bëjnë.  Në Shqipëri ka rreth 10 mijë forca të Armatosura, po kaq edhe të Ministrisë Brendshme, rreth 3 mijë të burgjeve dhe shumë polici të tjera. Në këtë numër nuk janë  llogaritur  me qindra mijë ish ushtarak dhe familjarë të ushtarakëve aktualë, që duhet të trajtohen si të gjithë  kolegët e tyre, që aderojnë në NATO. Nëse, larg qoftë, do ketë të tjerë 21 janar, ku do trajtohen ushtarakët dhe policët ? Me këtë  zgjidhje që po bënë qeveria, padyshim në  të njëjtin pavijon, apo spital, me  ata që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë.  Babëzia, në këtë fund mandate të kësaj qeverie, nuk ndalet dhe se Imami pas masakrës me avionët, tanket, armatimin, pronat në bregdet nuk mund të gjente qetësi pa shkatërruar edhe të vetmin simbol të mjekësisë shqiptare, spitalin e famshëm ushtarak.

_____________________________________________________________________________________

POLITRAUMA, KOMISIONI I SHËNDETËSISË DISKUTON PËR TRANSFERIMIN E SHËRBIMIT NË MSH

Politrauma, një nga shërbimet shëndetësore më të rëndësishme në vend, e vendosur në Spitalin Universitar Ushtarak, do të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale zhvilloi dje një seancë dëgjimore me dy ministrat përkatës atë të Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes, për t’u njohur lidhur me çështjen e transferimit të këtij shërbimi. Seanca është shoqëruar me debate, ndërsa deputetët e opozitës kanë kërkuar më tepër sqarime dhe detaje lidhur me masterplanin dhe transferimin e stafit mjekësor. Sipas ministrit Imami, ministria e Mbrojtjes nuk ka kapacitete për politika afatgjata në fusha të tilla si shëndetësia, por në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke kërkuar kështu transferimin e vartësisë tek Ministria e Shëndetësisë, detyra parësore e së cilës është pikërisht shëndeti publik. Ministri i Mbrojtjes shtoi se traumatologjia zë rreth 86 % të shtrimeve, por dhe pjesë të rëndësishme nga pikëpamja e shpenzimeve. Ministria e Mbrojtjes ka dhe një tjetër projekt, që është krijimi i një spitali fushor të lëvizshëm, në dispozicion të Forcave të Armatosura. Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, Imami hodhi poshtë akuzat për një privatizim të mundshëm të Spitalit Ushtarak, duke theksuar se “nuk bëhet fjalë për privatizim, por për vendosje të traumatologjisë aty ku mund të ngrihen politika afatgjata për zhvillimin e këtij shërbimi”. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, duke vlerësuar këtë shërbim si shumë të rëndësishëm, tha se, “MSH duke qenë dhe hartuese e politikave shëndetësore mundet të përballojë më mirë këtë shërbim”. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja, tha se politrauma është një fenomen i rëndësishëm kombëtar, ndërkohë që, sipas tij, rastet janë shtuar nga 40-50 raste para 5 viteve, në rreth 70-80 raste aktualisht. Sipas tij, kostot e trajtimit të traumës varjojnë nga 10 mijë lekë në raste të dëmtimeve të lehta, ndërsa trajtimi intensiv kushton 70 mijë lekë. Mihja theksoi se “shtimi i rasteve kërkon një strategji të përbashkët midis institucioneve sikurse ajo e Shëndetësisë”.

_____________________________________________________________________________________

ISH-PRESIDENTI ALFRED MOISIU: NDAL PRIVATIZIMIT TË SPITALIT USHTARAK

I pyetur dje nga “Telegraf” lidhur me tjetërsimin e Spitalit Ushtarak, ish-Presidenti Alfred Moisiu tha se, kjo është sa e pabesueshme, aq dhe e paimagjinueshme. Si është e mundur të privatizohet spitali më i mirë i vendit? Ai spital ka një histori të madhe dhe është pjesë e trashëgimisë sonë historike. Edhe Ahmet Zogu që kishte një ushtri sa një grusht, fare simbolike, e kishte dhe e ruajti Spitalin Ushtarak. Por këtu në Shqipëri ka një tymnajë të hatashme dhe çdo gjë është kthyer në biznes. A duhet të pyetet Presidenti i Republikës për këtë? Natyrisht që po. Por këtu nuk është hera e parë që shkelen ligjet dhe shkelet Kushtetuta me papërgjegjshmërinë më të madhe. Nga kjo që po ndodh nuk çuditemi, por është vërtetë për të ardhur keq. Prandaj mendoj se duhet bërë ç’është e mundur që kjo të mos ndodhë, e përfundoi prononcimin e tij ish-Presidenti Alfred Moisiu.

_____________________________________________________________________________________

INTERVISTA/Flet deputeti i PS-së, Eltar Deda: “Dyshojmë se duan të privatizojnë Spitalin Ushtarak”

“Ministrat Imami e Tavo nuk e kanë të qartë si do të funksionojë QKT-ja”

Zoti Deda, bëhet fjalë për shpërbërje të Spitalit Ushtarak, me qëllim të fshehtë privatizimin, apo për kalimin e Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë në shërbim të Ministrisë të Shëndetësisë?

– Së pari duhet të sqaroj rolin tonë si opozitë. Që kemi si detyrë qoftë politike, por edhe qytetare që ne të sqaronim nga dëgjimet me ministrin e Mbrojtjes e Shëndetësisë, transferimin e QK të Traumatologjisë  në varësinë e Ministrisë të Shëndetësisë. Çfarë i intereson publikut dhe punonjësve që punojnë pranë këtij institucioni, është mënyra se si do të transferohet QK E Traumatologjisë dhe, e dyta, përdorimi i ambienteve publike, të cilat deri tani janë pronë e ministrisë së Mbrojtjes.

– Ju dyshoni që, pas këtij transferimi të QK të Traumatologjisë, nga kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet që të boshatiset Spitali Ushtarak, e më vonë të privatizohen mjediset e tij?

– Unë besoj në ato çfarë do të shkruhet. Me këmbënguljen tonë, si opozitë, kërkuam, strategjinë e funksionimit të spitalit ushtarak dhe mënyrën e transferimit të QKT-së nga njëra ministri, te ministria tjetër, dhe nga ana tjetër, duke u nisur nga dyshimet tona, jo më kot i kërkuam ministrit të Mbrojtjes se çfarë do të bëhet më vonë me objektin e Spitalit Ushtarak. Dhe ministri i Mbrojtjes, të paktën deklaroi në Komisionin e Shëndetësisë, që objektet do të jenë në funksion të QK të Traumatologjisë, por do të bëhet vetëm transferimi funksional në varësi të ministrisë së Shëndetësisë.

– Nga seanca dëgjimore e  ministrave të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, ju, si opozitë, ju bindi sinqeriteti i shpjegimeve që dhanë ministrat?

– Nuk jemi bindur absolutisht, jua them me siguri të plotë, sepse vetë të dy ministrat ishin të paqartë se si do të transferohet dhe si  do të funksionojë QKT-ja dhe ne do të bëjmë takime të tjera lidhur me plotësimin e kuadrit ligjor që do të mundësojë kalimin e QKT-së në varësinë e ministrisë së Shëndetësisë.

– Ju i drejtuat ministrit të Mbrojtjes disa pyetje se çfarë do të bëhet me godinat e Spitalit Ushtarak, por përgjigje nuk morët. Ministri, i anashkaloi qëllimisht këto pyetje?

– Do të vazhdoj që të kërkoj përgjigjen e atyre pyetjeve, sepse janë pyetje që lindin nga hapja e këtij problemi dhe prandaj, na lindin dyshime e do të këmbëngulim të mësojmë çfarë luhet. Ministri i Mbrojtjes ka spekuluar me pronat e tjera të territorit të subjekteve ushtarake, ndërsa sot për Spitalin Ushtarak, të paktën  u detyrua të pohojë që ambienti do të mbetet publik.

-Faleminderit!

_________________________________________________________________________________

PROF. DR. MYLSIM PASHAJ: “BERISHA E IMAMI, PRIVATIZOJNË SPITALIN USHTARAK”

 Aleanca Kuq e Zi përmes një deklarate për shtyp pranë spitalit ushtarak në Tiranë ka denoncuar procesin e shkrirjes dhe transferimit të departamentit të traumës së këtij spitali, e cila tashmë ka kaluar në formën e projekt/ligjit në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Prof.Dr. Myslim Pashaj, ndër të tjera tha: Ushtarak Qendror Universitar  ka qenë deri tash një nga institucionet shëndetësore  më të shquara dhe më të shenjta, në opinionin e mbarë shqiptarëve. Ai erdhi dhe u ngrit pas luftës së Dytë Botërore, duke sjellë një përvojë të re në shërbim ndaj njerëzve.  Ky Spital, cili ka shpëtuar me mijëra jetë  njerëzish, shtetasi Sali Berisha dhe shërbëtori i tij Arben Imami duan ta kthejnë në shërbim të biznesit të oborrit qeveritar”. “Ky Spital krijoi një fytyrë dhe status nga më popullorët, nga më jetësorët, nga më të përkushtuarit dhe nga më hulumtuesit, për t’ i  ardhur në ndihmë jo vetëm ushtarakëve, por dhe të gjithë popullit, ku besimi dhe emri i tij u rrit dhe vijon që të rrojë në kujtesën e shqiptarëve”. “Dhe ja papritmas, pa asnjë transparencë, qeveria shqiptare, kërkon ta shkrijë dhe ta fshijë qenien e tij, nga veprimtaria   tij e gjersotme, duke i bërë një kirurgji tej e ndanë, të aq të pabesueshme, duke e prerë dhe ndarë në Projekte, të cilat fshehin pazaret me institucionet shëndetësore. që ia kanë qëndruar aq afër jetës së shqiptarëve”. “Është ‘krokodili’ korruptiv, që ka kohë që i ishte afruar Spitalit Ushtarak dhe ja tek ka hapur gojën për ta gëlltitur atë, sikundër ka bërë edhe më pasuritë kombëtare të Shqipërisë”. “Ndryshe nga të tjerat, ky institucion, tregon sot në sytë e shqiptarëve se deri ku ka rritur të zgjasë dorën tinëzare dhe gllabëruese qeveria antikombëtare e Shqipërisë, e cila ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, kërkon të çojë gjer në fund veprën e saj anti-jetësore me këtë institucion shëndetësor të shqiptarëve. “Pas 55 vitesh, ky spital shkrihet. për t’i liruar mjediset në favor të një spitali privat, që gjendet pranë tij. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka përgatitur procedurën për të transferuar qendrën e traumatologjisë pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ndërsa Spitalin Ushtarak si institucion do ta zhvendosin në Zallher, ku mund t’u shërbejë ushtarakëve”.