Sigal

Prof. Shezai Rrokaj

Pas ngjarjes tronditëse të masakrëse së Selenicës, Kryeministri ynë vend që të ngushëllojë familjarët dhe të kërkojë ndjesë për mosmbledhjen e armëve, shprehet se ngjarje të tilla ndodhin edhe në vende të zhvilluara. Si nuk këkon falje, si nuk mban një përgjegjësi, si nuk merr një zotim ky kryeministri ynë. Shqetësimeve të qytetarëve për armët e pambledhura, për sigurinë e jetës, kryeministri nuk u përgjigjet duke marrë përgjegjësinë e dështimit të Qeverisë për mbledhjen e tyre, por na thotë se ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendet e zhvilluara. Sigurisht që ndodhin raste të tilla edhe në vende të tjera, por vendet e tjera nuk prodhojnë krim në përqindje popullsie sa prodhon Shqipëria. Ato nuk i hapën depot si Shqipëria dhe nuk i kanë armët sheshit. Kjo ideja se e keqja është më pak e keqe kur e kanë edhe të tjerë është ‘modë’ komunikimi e kësaj Qeverie. E njëjta strategji “argumentimi” është përdorur edhe për fenomenet shqetësuese të kanabizimit, kur, bie fjala, krahasohej dukuria te ne me Holandën, apo për emigrimin masiv të shqiptarëve, duke thënë se kështu ndodh edhe në vendet e tjera.
Por ajo që s’ndodh është fakti se kryeministrat e këtyre vendeve nuk justifikohen, por marrin përgjegjësitë e veprimeve ose mosveprimeve të tyre, qoftë edhe me largim nga qeverisja. Kryeministri ynë nuk do ta njohë përgjegjësinë e keqqeverisjes; mbretëria e tij është trumbetimi i sukseseve imagjinare nëpërmjet pushtimit të ekraneve.