Marrëveshje bashkëpunimi me UT, Meta: Kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura

436

Sigal

 

 

Kuvendi
i Shqipërisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës

 

 

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta
mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes
Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të Tiranës.

Të pranishëm në ceremoninë e
nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që u zhvillua në ambientet e Rektoratit,
ishin të pranishëm akademikë, pedagogë, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit,
znj. Albana Shtylla, deputeti Fatmir Toçi, 
drejtues të shërbimeve të Kuvendit, studentë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse,
Kryetari i Kuvendit vlerësoi nënshkrimin e këtij memorandumi bashkëpunimi, duke
e cilësuar si shumë produktiv.

“Ne kemi patur një bashkëpunim
shumë të mirë edhe pse jo të institucionalizuar në mënyrë shumë të qartë apo të
programuar në mënyrë shumë të qartë. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi në
reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë
angazhuar në këtë reformë, të cilët janë edhe pjesë e universitetit tuaj, mjaft
aktiv. Por unë jam i bindur që kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë
më të qartë, pasi vetë Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, për kërkime, për
studime në vendimmarrje të rëndësishme që kanë impakte afatgjatë për zhvillimin
e vendit”, – tha z. Ilir Meta, duke theksuar se dyert e Kuvendit kanë qenë të
hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë studentët që
dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë.

“Besoj që në të ardhmen ne do ta
zhvillojmë në një mënyrë edhe më efektive këtë bashkëpunim dhe mbi të gjitha do
të thosha se ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për
politika sa më të mençura. Për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto
sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të
nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë
të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive
të duhura në fusha të caktuara”, – tha z. Meta.

Duke marrë si për shembull
çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, Kryetari i Kuvendit nënvizoi
faktin se sa i nevojshëm e i domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga
studime, nga debate e nga kërkime.

“Janë disa fusha mjaft të reja ku
edhe ata të cilët japin mësim shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më
deputetët, ku dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë
së përfaqësimit të drejtpërdrejtë. Dhe në këtë drejtim besoj se ky do të jetë
një bashkëpunim afatgjatë. Jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit,
përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë shumë më mirë
se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju sigurojë, por puna e tyre nuk
duket shpesh”, – vijoi z. Ilir Meta.

Në fund, Kryetari i Kuvendit
shprehu dëshirën e tij që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017
të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë,
akademikë, profesorë, pedagogë.

“Që fuqia e mendimit të tyre të
mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes këshillave, apo përmes dhe këtij
bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe që do të mbetet për një kohë të
gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje, pasi
vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Ne e ndjejmë këtë, por
natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një përfaqësim cilësor të gjithë
politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim”, –
deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ndërsa, Rektori i Universitetit
të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni tha në fjalën e tij se ky memorandum ka si
qëllim promovimin e punës kërkimore shkencore dhe të mendimit analitik në
funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve
të studentëve mbi parlamentarizmin.

“Gjithashtu parashikohet që falë
këtij akordi të ecet drejt përmirësimit të perceptimit publik dhe të njohjes më
të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë si dhe mbështetjen e
institucioneve arsimore në përmbushje të funksioneve të tyre në kuadër të
zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Dua të theksoj faktin e
Universiteti i Tiranës ka një ndikim esencial në shumë aspekte të jetës në vend
dhe bashkëpunimi të tilla me institucione të rëndësishme, me këtë rast Kuvendin
e Shqipërisë, do të ndikojnë pozitivisht në të dyja anët”, – u shpreh z. Koni.

Pas firmosje së memorandumit, Kryetari
i Kuvendit i dhuroi Universitetit të Tiranës kolanën “Bisedime parlamentare 1920-1939”,
një ribotim i Kuvendit në kuadër të 95-vjetorit të parlamentit të parë
shqiptar.

 

Fjala
e plotë e z. Ilir Meta

 

Është një kënaqësi dhe krenari
për mua që të firmos bashkë me Rektorin e Universitetit të Tiranës, profesor
Konin, këtë memorandum bashkëpunimi pasi besoj se është një memorandum
afatgjatë i bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të
Tiranës dhe besoj që do të jetë shumë më produktiv.

Së dyti, unë kam besim tek
kapacitetet e jashtëzakonshme intelektuale, akademike, tek eksperienca e gjithë
stafit tuaj akademik në Universitetin e Tiranës në të gjitha fushat.

Ne kemi patur një bashkëpunim
shumë të mirë edhe pse jo të institucionalizuar në mënyrë shumë të qartë apo të
programuar në mënyrë shumë të qartë. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi në
reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë
angazhuar në këtë reformë, të cilët janë edhe pjesë e universitetit tuaj, mjaft
aktiv. Por unë jam i bindur që kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë
më të qartë, pasi vetë Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, për kërkime, për
studime në vendimmarrje të rëndësishme që kanë impakte afatgjatë për zhvillimin
e vendit.

Dhe padyshim që dyert e Kuvendit
kanë qenë të hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë
studentët që dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Kam patur kënaqësinë të takohem
me disa prej tyre dhe besoj që në të ardhmen ne do ta zhvillojmë në një mënyrë
edhe më efektive këtë bashkëpunim dhe mbi të gjitha do të thosha se ne kemi
nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura.

Për të përfituar sa më shumë dhe
për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë
vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë
të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për
shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara.

Ne po e vëmë re, për shembull sa
i takon çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, sa i nevojshëm e i
domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga studime, nga debate, nga
kërkime, pasi janë disa fusha mjaft të reja ku edhe ata të cilët japin mësim
shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më deputetët, ku dihet që ende Kuvendi
ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë.

Dhe në këtë drejtim besoj se ky
do të jetë një bashkëpunim afatgjatë. Unë jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme
të Kuvendit, përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë
shumë më mirë se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju sigurojë, por
puna e tyre nuk duket shpesh.

Kemi disa sektor mjaft të
rëndësishëm që po fuqizohen, sidomos ai i Kërkimit Parlamentar ku edhe bashkëpunimi
mund të jetë shumë më i kualifikuar dhe më racional dhe t’i shërbejë më mirë
perspektivës.

Në fund, do të dëshiroja që të
gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi
për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë.
Që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes
këshillave, apo përmes dhe këtij bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe
që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje
më aktive në vendimmarrje, pasi vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë
gjë. Ne e ndjejmë këtë, por natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një
përfaqësim cilësor të gjithë politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike
pa asnjë përjashtim.

Kështu që ju uroj suksese juve!
Ju uroj suksese bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Universitet të Tiranës dhe ne
do të jemi të hapur që këtë bashkëpunim ta shtrimë edhe me universitetet e
tjera në vendi sipas edhe fushave edhe prioriteteve. Faleminderit ishte
kënaqësi për të qenë me ju sot!