Marrëveshja me CEZ, Halimi: Qeveria amnistoi punonjësit çek

478
Sigal

Partia Demokratike ka vazhduar akuzat e saj ndaj qeverisë mbi atë që e konsiderojnë skandalin e shekullit, në lidhje me marrëveshjen me kompaninë CEZ, duke ritheksuar edhe njëherë dëmet financiare që i janë shkaktuar shtetit shqiptar. Sipas PD-së gjobat do të detyrohen t’i paguajnë shqiptarët. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi ka bërë të ditur se janë amnistuar edhe punonjësit e CEZ, të cilët kanë shkelur ligjet në të kaluarën. “Deri tani u kemi faktuar shqiptarëve se marrëveshja me CEZ është firmosur në mungesë të plotë të transparencës dhe kundër ligjit e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, duke iu falur 500 mln euro të papaguara, 3 mld dollarë dëme të shkaktuara shtetit, e për më tepër do t’u paguajmë edhe 95 mln euro, që do të dalin nga xhepat e shqiptarëve. Shqiptarët do ta ndiejnë marrëveshjen, kur të detyrohen të paguajnë jo vetëm konsumimin mujor të energjisë, por edhe gjobën që do t’u sjellë kjo marrëveshje korruptive. Sot duam të bëjmë të ditur se vec skandalit financiar e publik me marrëveshjen, u është dhënë amnisti e përgjithshme të gjithë punonjësve të CEZ-it që kanë kryer shkelje të ndryshme. Raportet e ndërkombëtarëve që thonë se është abuzuar financiarisht nag CEZ me riparimet dhe mirëmbajtjen e rrjetit, duke iu thënë shqiptarëve se janë bërë investime, gjë që nuk është bërë kurrë, vetëm sa kanë mashtruar shqiptarët. Raportet flasin edhe për pagesa që u janë bërë kompanive në parajsa fiskale, duke hedhur dyshime për ligjshmërinë e tyre, duke i rekomanduar qeverisë shqiptare të hetojnë. CEZ ka humbur 3 raste gjyqësore ndaj Tatim-Taksave, për shkak të gjobave të jashtëligjshme të vëna ndaj tyre, por qeveria e tanishme i fal këto pagesa. Punonjësit marrin amnisti për cdo shkelje administrative apo penale të bërë me vjedhjen e parave të shqiptarëve, pavarësisht se ato përbëjnë një krim penal. Marrëveshja, për të cilën Rama është kaq shumë krenar, u ofron falje të përjetshme atyre punonjësve, pavarësisht nga shkeljet apo vjedhjet e bëra ndër vite. PD deklaron sot se nuk do të ketë kurrë falje për ta, do të ndjekim cdo hap ligjor për të cuar para përgjegjësive ligjore të gjithë ata që kanë shkelur ligjin”, tha Eduard Halimi, deputet i PD.