“Marrëveshja e Prespës”/ Nuk është më ministër, por Ditmir Bushati reagoi para Ramës

863
Sigal

Ndonëse nuk është më ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati ka përcjellë një reagim para Ramës lidhur me “Marrëveshjen e Prespës”. Ish-ministri ka reaguar para kryeministrit Rama, duke u cilësuar këtë moment historik për Ballkanin dhe Evropën.

Në fund ish-ministri i Jashtëm ndan dhe një urim për firmëtarët e marrëveshjes historike.

“Vota e Kuvendit të Greqisë për Marrëveshjen e Prespës zgjidhi mosmarrëveshjen prej 27 vitesh mbi çështjen e emrit dhe hap dyert për pranimin në BE të NATO-s dhe BE. Ky është një moment historik për Ballkanin dhe Evropën. Urime! @NikosKotzias @Dimitrov_Nikola @Zoran_Zaev @tsipras_eu @Zoran_Zaev”,- shkruan Bushati.

Parlamenti i Greqisë votoi “Marrëveshjen e Prespës” për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Seanca maratonë që nisi ditën e djeshme, zgjati plot 38 orë, dhe folën 200 deputetë.

“Marrëveshja e Prespës” u ratifikua në Parlamentin grek me 153 vota pro, duke përfshirë 145 votat e partisë së kryeministrit dhe votat e 8 deputetëve opozitarë.

Kundër kësaj marrëveshje votuan 146 deputetë. Për disa minuta votimi u pezullua për shkak të deputetit të “Agimit të Artë”, Kostas Barbarousis, i cili bërtiti në Parlament “Jo për tradhëti” dhe më pas u largua.

Sipas “Marrëveshjes së Prespës”, Maqedonia do të quhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”, duke i dhënë zgjidhje kështu konfliktit disa vjeçar me Greqinë, për çështjen e emrit. Nga ana tjetër, Greqia është zotuar që do të heqë veton ndaj Maqedonisë për anëtarësimin e saj në NATO.