Marrëveshja e fshehtë, shkarkimet dhe emërimet në burgje për llogari të qeverisë

611
Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi me marrjen e detyrës pas marrëveshjes së fshehtë të 17 majit mes Ramës dhe Bashës, nisi “fshesën”, mbi të gjithë Drejtorët e Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale. I pari që u largua ishte Drejtori i Përgjithshëm, Miklovan Kopani dhe zëvendësimi i tij me oficerin e krimit ekonomik Arjan Hoxha. Pas këtij emërimi që u pranua me vështirësi nga kryeministri Rama, lëvizjet e tjera u bënë më të shpeshta. Ka të dhëna dhe u pa qartë se shefi i qeverisë, pranoi emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, në këmbim të favoreve të tjera brenda këtij sistemi. Mësohet se lëvizja e një pjese të konsiderueshme drejtorësh në burgjet me numrin më të lartë të të paraburgosurve që marrin pjesë në votime, janë propozuar nga kryeministri. Po kështu ka të dhëna të besueshme nga Ministria e Drejtësisë, sipas të cilave drejtorët e emëruar, pas shkarkimit të atyre që më parë ishin në këto poste, të jenë vendosur direkt nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Sistemi i burgjeve tashmë është futur në një spirale të rrezikshme. Drejtorët e rinj brenda një kohe të shkurtër, kanë sjellë në detyrë, persona të besuar të tyre. Marrëveshja prodhoi në këtë mënyrë një amulli në burgje. Duket se gjithçka ka qenë e programuar. Dhe kjo me një llogari të thjeshtë. Rama-Basha prodhoi një drejtim të gabuar. Nga të gjitha ministrisë ku timoni iu besua militantëve të Partisë Demokratike, vetëm ajo e Drejtësisë bëri largime të pakontrolluara dhe me urdhër nga lart. Ndërkohë të gjithë drejtorët, të cilët morën urdhrin e shkarkimit, i janë drejtuar me padi Gjykatës Administrative. Një pjesë e tyre kanë bërë edhe kallëzim penal ndaj Ministrit të drejtësisë Gazment Bardhi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arjan Hoxha.
Sigal