Marrëdhëniet Kinë-Shqipëri, kryeparlamentari Meta: Bashkëpunimi ekonomik me Kinën, i mirëpritur

420
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i
Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në takim nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare
Popullore të Kinës, z. Zhang Dejiang

 

Kryetari i
Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar në kuadër
të vizitës së tij zyrtare në Kinë u prit sot në një takim të veçantë nga
homologu i tij, Kryetari i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, z. Zhang
Dejiang.

Gjatë takimit, z.
Meta shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Pekin dhe vlerësoi marrëdhëniet
e veçanta miqësore e tradicionale që Shqipëria ka me Kinën. Gjithashtu,
Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë
intensifikimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve që mund të konsiderohen të
shëndetshme, dinamike dhe të qëndrueshme.

“Bashkëpunimi parlamentar
përbën një dimension të rëndësishëm dhe ka një rol të pazëvendësueshëm për të
forcuar lidhjet midis dy vendeve dhe dy popujve tanë. Shkëmbimet e vizitave të
nivelit të lartë mes dy parlamenteve do të duhet të shtrihen dhe të pasohen
edhe nga ato të komisioneve të veçanta parlamentare dhe të grupeve të
miqësisë”, – theksoi z. Meta, duke vënë në dukje faktin se në Kuvendin e
Shqipërisë është krijuar edhe Grupi i Miqësisë Shqipëri-Kinë.

Z. Meta
konfirmoi politikën e palëkundur të Shqipërisë për një Kinë të vetme, atë të
Republikës Popullore të Kinës, duke pohuar gjithashtu se Shqipëria ndihet
krenare që ka kontribuar për t’i dhënë Kinës vendin që ajo meriton ne OKB.

Duke u ndalur në
bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, z. Meta u shpreh se janë të mirëpritura edhe
më shumë investime nga ky vend mik në fushat si bujqësia, turizmi dhe
infrastruktura.

Në këtë kuadër
janë të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh nismat
kineze “Një Brez një Rrugë” dhe ajo rajonale “16 + 1”, në të cilën Shqipëria
është shumë e interesuar të luaj rolin e saj.

Kryetari i
Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, z. Zhang Dejiang, në fjalën e tij të
mirëseardhjes nënvizoi kënaqësinë që Kryetari Meta vjen në vizitë zyrtare në Kinë
dhe shprehu besimin se kjo vizitë do t’i shërbejë më tej intensifikimit të
marrëdhënieve mes dy vendeve në fushat me interes reciprok.

Kryetari Zhang
Dejiang theksoi se Kina nuk do të harrojë kontributin e Shqipërisë për të
rifituar vendin e saj në OKB dhe se ajo do të jetë gjithmonë mirënjohëse, duke
vlerësuar gjithashtu edhe qëndrimin e Shqipërisë për një Kinë të vetme.

Kryetari i
Asamblesë Popullore të Kinës, pasi bëri një prezantim të reformave politike dhe
ekonomike në Kinë, ndau bindjen me z. Meta për të shtuar më tej bashkëpunimin
parlamentar në nivelet e komisioneve në interes të intensifikimit të
marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona.

Sakaq, Kryetari
i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, z. Zhang Dejiang, siguroi se do të
mbështesë kompanitë kineze për te investuar në Shqipëri.

Kryetari i
Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta e ftoi Kryetarin Zhang Dejiang për një
vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.