Marrëdhënia SAI-parlament: Një partneritet i natyrshëm

157
Dr. Bujar Leskaj: Kryetar i KLSH
Rëndësia e marrëdhënieve midis institucioneve supreme (SAI-ve) dhe Parlamenteve të vendeve respektive është theksuar në standardet ISSAI të organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI. Në standardin ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet nga institucionet supreme të auditimit-të bësh diferencën në jetët e qytetarëve”, Parimi 6 “Komunikimi efektiv me Parlamentin dhe palët e tjera të interesuara” u kërkon SAI-ve të zhvillojnë marrëdhënie profesionale me Parlamentin dhe partnerët e tjerë, duke “komunikuar me Parlamentin dhe veprimtaret e tjerë të interesuar, në një mënyrë që të rrisin njohuritë e tyre dhe të kuptuarit e rolit dhe përgjegjësive të SAI-t si një auditues i pavarur i sektorit publik; (b) duke kontribuar për rritjen e vetëdijes së Parlamentit dhe palëve të tjera të interesuara për nevojën e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik; (c) duke siguruar të kuptuarit e punës dhe rezultateve të auditimit të SAI-t. SAI-t duhet të angazhohen me Parlamentin dhe grupet e interesit, duke njohur rolet e ndryshme të tyre, si dhe duke marrë parasysh pikëpamjet e tyre, pa kompromentuar pavarësinë e SAI-t. Ato duhet periodikisht të vlerësojnë nëse Parlamenti dhe palët e tjera të interesuara mendojnë se SAI është duke komunikuar në mënyrë efektive”. Vitet e fundit, komuniteti i INTOSAI-t është përpjekur për gjetjen e mekanizmave efektive se si veprimtaria audituese të kontribuojë në ndryshimin e jetës së qytetarëve. Neni 16, Pika 1 e Deklaratës se Limës, e quajtur ndryshe “Magna Carta”, Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) thekson se: “Institucioni Suprem i Auditimit duhet të fuqizohet dhe të mandatohet nga Kushtetuta për t’i raportuar në mënyrë të pavarur dhe çdo vit gjetjet e tij Parlamentit…; ky raport duhet të publikohet. Kjo do të sigurojë shpërndarje të gjerë dhe diskutim, duke rritur mundësitë për zbatimin e gjetjeve të Institucionit Suprem të Auditimit”. Praktika e tashme disa dekadave të raporteve konstruktive institucion publik auditimi-legjislativ, ka treguar se ekziston një marrëdhënie simbiotike mes një institucioni suprem auditimi(SAI) dhe Parlamentit, te cilit ai, me detyrim kushtetues, i raporton. Këto dy institucione, edhe pse në demokraci funksionojnë të ndara me njëra-tjetrën, kanë role reciprokisht mbështetëse për të siguruar një qeverisje efektive dhe eficiente, pra mirëqeverisjen publike. Parlamenti mund të kryejë funksionet e tij vitale të mbikëqyrjes së qeverisë në mënyrë më efektive, kur ai përdor dhe mund të mbështetet mbi punën audituese, mbi gjetjet dhe rekomandimet e SAI-t. Në mënyrë të ngjashme, SAI mund të jetë shumë më efektiv në sigurimin e mirëqeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, atëherë kur Parlamenti dhe komisionet e tij i sigurojnë atij një forum për prezantimin dhe diskutimin e rezultateve të rëndësishme të auditimeve të veta, si dhe përbëjnë një aleat të mundshëm në nxitjen e Ekzekutivit dhe në inkurajimin e fuqishëm të institucioneve të tjera të pavarura, për të ndërmarrë veprimet e duhura korrigjuese të propozuara nga SAI. Dr. Joseph Moser, një nga personalitetet më të spikatura të auditimit suprem publik në botë, ish Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe ish-President i Gjykatës së Auditimit të Austrisë, në fjalën e tij në Simpoziumin e 21-të OKB-INTOSAI, në Vjenë, cilëson se “ Në sistemet demokratike, funksioni i kontrollit ushtrohet nga parlamentet kombëtare si institucione që përfaqësojnë qytetarët, popullin. Nga ana operative, parlamentet nuk e kryejnë dot këtë funksion të kontrollit vetë, por mbështeten në auditimin dhe punën këshilluese të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) dhe në raportet e tyre, çfarë përbën arsyen madhore pse marrëdhënia midis Parlamentit si institucioni publik me detyrë kontrollin dhe trupës supreme të auditimit është një partneritet i natyrshëm. Duke ushtruar këtë funksion të kontrollit, ne si SAI japim informacion të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm për parlamentet kombëtare, në mënyrë që ata të mbajnë përgjegjëse qeverinë dhe administratën publike. Në këtë mënyrë, SAI-t mbështesin parlamentet kombëtare në ushtrimin e detyrave të tyre”.
BOX ( VAZHDIM )
Gene L. Dodaro, Auditues i Përgjithshëm i SHBA-ve, thekson se “Ne quhemi shpesh “watchdog” të Kongresit, sepse shqyrtojmë se si dollarët e tatimpaguesit janë shpenzuar nga Ekzekutivi dhe rekomandojmë mënyra për të ndihmuar qeverinë të punojë më mirë.
Zyra e Auditimit të Qeverisë (GAO) e furnizon Kongresin me informacion në kohë, i cili është profesional, objektiv, i bazuara në fakte, jo ideologjik, i drejtë dhe i balancuar.
GAO paraqet gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e saj si në raportet zyrtare ashtu dhe në dëshmitë para Kongresit. Çdo vit, ne nxjerrim me qindra raporte dhe japim qindra dëshmi. ..
Ne takohemi rregullisht me anëtarët e Kongresit dhe me stafin e tyre. Këto përpjekje në terren i sigurojnë GAO-s të qëndrojë dhe t’u paraprijë çështjeve të përparësisë së lartë me të cilat përballet Kongresi dhe kombi. Përveç kësaj, GAO ka protokolle ose udhëzime për mënyrën se si t’u përgjigjet kërkesave të Kongresit për studime apo auditime. Këto protokolle sigurojnë që ne të merremi vazhdimisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha komisionet dhe anëtarët e Kongresit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi ne punojmë për të gjitha komisionet e përhershme të Kongresit dhe për rreth 70 për qind të nënkomisioneve të tij. Protokollet tona na ndihmojë për t’i dhënë përparësi kërkesave të Kongresit dhe na mbajnë përgjegjës për angazhimet që kemi marrë përpara Kongresit.”
Për të qenë më efektiv, një SAI duhet të jetë i lirë të funksionojë në mënyrë të pavarur, pa qenë subjekt ndikimi nga qendra të tjera të pushtetit, por duhet të ketë lidhje të mjaftueshme me të paktën një nga këto qendra të pushtetit. Duke pasur parasysh ndarjen e pushteteve në një demokraci, është më se e natyrshme që lidhjet e mjaftueshme SAI t’i ketë me ligjvënësit, me Parlamentin. Pavarësia është jetike për një SAI, që ky të siguroje objektivitetin në punën e tij audituese dhe, së bashku me kompetencën profesionale të audituesve të vet, të krijoje një bazë për besueshmërinë e rezultateve të auditimit. Nga ana tjetër, lidhjet efektive me një nga qendrat e tjera te pushtetit (pra natyrshëm dhe kryesisht legjislativi, Parlamenti) janë jetike për të siguruar që raportet e auditimit do të marrin vëmendjen e duhur nga këto qendra(legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, etj.), të cilat kanë autoritetin për të ndërmarrë veprime korrigjuese te propozuara nga rekomandimet e SAI-t, ose për të siguruar që të tjerët ta bëjnë këtë. Këto, pavarësia e SAI-t dhe lidhjet efektive me një nga qendrat e tjera të pushtetit, përbëjnë një balancë delikate. SAI-t në vendet demokratike në të gjithë botën përpiqen të sigurojnë që ata të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të pavarur, si dhe qe gjetjeve te tyre të auditimit dhe rekomandimet që japin t’u kushtohet vëmendja e duhur dhe të veprohet sipas rekomandimeve. Në mënyrë ideale, Parlamentet dhe SAI-t janë dy elemente të një sistemi të balancuar të llogaridhënies së qeverisë. Qeveria është përgjegjëse për mënyrën se si ajo ekzekuton Buxhetin e Shtetit sikurse është miratuar nga Parlamenti. Si pjesë e detyrës së tij të kontrollit dhe shqyrtimit të mënyrës se si përdoren fondet publike, Parlamenti shqyrton ekzekutimin e Buxhetit të Shtetit dhe jep një opinion për mënyrën se si qeveria ka ekzekutuar buxhetin, duke e miratuar apo jo atë. SAI kontribuon në këtë rol të Parlamentit duke dhënë rezultatet e auditimeve të tij. Një objektiv qendror i këtij sistemi të llogaridhënies, në të cilin SAI-t i duhet të luajë një rol vendimtar si një organizatë profesionale dhe e pavarur, është të garantojë që fondet publike shpenzohen në një mënyrë të rregullt dhe efikase, si dhe që mangësitë e mundshme janë korrigjuar në kohën e duhur dhe me efektivitet. Vëmendja politike nga Parlamenti ndihmon për të ushtruar presion e duhur pozitiv mbi qeverinë, nëse ky presion është i nevojshëm, si dhe kontribuon në një mjedis të favorshëm për vazhdimësi në gjetjet dhe rekomandimet e auditimit. Marrëdhëniet ndërmjet SAI-ve dhe Parlamenteve ndryshojnë shumë në mjaft vende të botës. SAI si strukturë mund të jetë pjesë e legjislativit apo e ekzekutivit, ose i pavarur nga të dy. Ndryshimet dhe variacionet e gjera pasqyrojnë faktorët historikë, kulturorë, politikë apo dhe ndikime të tjera në secilin vend. Të gjitha SAI-t e zhvilluara, pavarësisht strukturës organizative dhe vendit formal në strukturën dhe oligarkinë shtetërore, njohin rëndësinë e sigurimit të pavarësisë së tyre, ndërkohë që u duhet të sigurojnë edhe vëmendjen e duhur parlamentare ndaj rezultateve të auditimit, si një hap thelbësor në ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese mbi problemet e zbuluara gjatë procesit të auditimit. Detyrat e mësipërme që duhet të zbatohen me rigorozitet nga ne SAI-et, pa dyshim shoqërohen me shtimin e përpjekjeve tona për të siguruar një proces efektiv të ndjekjes nga Parlamenti të zbatimit të rekomandimeve. Nga ana tjetër , ne si SAI duhet të punojmë shumë dhe me përkushtim për të siguruar vëmendjen dhe bashkëpunimin efektiv parlamentar. Na takon të jemi selektivë dhe shumë përgjegjës në zgjedhjen se cilat raporte të auditimit të paraqesim në Parlament, duke dërguar vetëm ato raporte të cilat në mënyrë të qartë meritojnë vëmendjen parlamentare. Ne si SAI, duke ndjekur në mënyrë aktive dhe metodike zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të auditimit, duhet të informojmë Parlamentin ndaj rasteve të mosveprimit apo moszbatimit të rekomandimeve për çështje të rëndësishme. Gjithnjë, duke shmangur komentet e drejtpërdrejta ndaj politikave të qeverisë, por duke vënë në dukje se zbulimi i problemeve të zbatimit të tyre mund të ngrejë pikëpyetje rreth politikave në fjalë.
Raporti KLSH-Kuvendi i Shqipërisë
Në zbatim të Rezolutave A66 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të datës 22 dhjetor 2011 “Promovimi i eficiencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke fuqizuar institucionet supreme të auditimit” dhe të Rezolutës A / 69/228 të 19 dhjetorit 2014 “Promovimi dhe fuqizimi i eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të institucioneve të larta të auditimit”, të cilat kanë qenë shumë orientuese dhe ndihmuese edhe për ne, si KLSH, si agjent i Kuvendit dhe i qytetarëve për miradministrimin e fondeve publike, jemi përpjekur të realizojmë një bashkëpunim eficient me Kuvendin. Frytin kryesor të këtij partneriteti do ta konsideroja punën e bërë për miratimin e ligjit integral të institucionit, e përfunduar në nëntor 2014, në të cilën si KLSH dhe Kuvendi realizuan një bashkëpunim shembullor. Në veçanti, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, sidomos Kryetari dhe Sekretari i tij, por edhe deputetët e tjerë të Komisionit, të cilët dua t’i falënderoj me këtë rast, luajtën një rol parësor për miratimin e një ligji modern për KLSH. Kuvendi në tërësi mirëpriti dhe mbështeti variantin e paraqitur nga Kryetari i KLSH dhe bashkëpunoi ngushtësisht me strukturat e Bashkimit Evropian, si Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit DG-Budget dhe Programi SIGMA. Ligji bazë i KLSH-së i vitit 2014 është tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, çka ishte dhe një kërkesë e përsëritur në vijimësi e Bashkimit Evropian në Progres Raportet e tij për Shqipërinë për vitet 2011, 2012 dhe 2013. Dr. Vitor Caldeira, ish-President i Gjykatës Evropiane te Audituesve(ECA), në një intervistë për një gazetë në Bruksel, është shprehur:” Parlamenti Evropian është një nga partnerët kryesorë të Gjykatës Evropiane te Audituesve. Deri tani, ne kemi zhvilluar marrëdhënie të mira me Komisionin e Kontrollit Buxhetor. ECA ka për qëllim që të zhvillojë më tej bashkëpunimin me komisionet e tjera të specializuara. Unë besoj se jemi duke ecur në drejtimin e duhur, duke bërë të mundur për Parlamentin Evropian qe t’i përdorë në mënyrën më të mirë raportet e Gjykatës”. Konsiderojmë se në një status të tillë bashkëpunimi është dhe KLSH me Kuvendin. KLSH në vijim të praktikave të zhvilluara vitet e fundit do të konsolidojë dhe intensifikojë marrëdhëniet me komisionet e tjera sektoriale parlamentare. Kryerja e auditimeve të performancës numri i të cilave sa vjen e rritet si dhe zgjerimi i spektrit të mbulimit me auditime performance dikton nevojën e paraqitjes dhe bërjes prezent të rezultateve të auditimit dhe rekomandimeve në komisionet parlamentare respektive te fushave që mbulojnë këto auditime. Gjatë pesëvjeçarit të fundit 2012-2016, jemi përpjekur të japim rekomandime për Kuvendin, duke synuar mbajtjen sa më përgjegjëse të administratës publike dhe miradministrimin e fondeve publike. 
a) Për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve shqiptarë në interesat e tyre vitale për zbatimin e reformës në drejtësi, duke ditur se efektshmëria e kësaj reforme lidhet ngushtë me nivelin e përgjegjshmërisë së administratës sonë publike, i kemi rekomanduar Kuvendit ngritjen e një grupi pune me specialiste dhe përfaqësues të legjislativit, për hartimin e projekt-Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik”. 
b) Kemi kërkuar qe programimi i buxhetit të jetë kredibël, në respekt të plotë të objektivave fiskalë afatmesëm, si dhe të shërbejë si një instrument efektiv për ta mbajtur qeverinë të përgjegjshme në arritjen e objektivave të saj. Për këtë kemi i rekomanduar Kuvendit krijimin e një Këshilli të Pavarur Fiskal, i cili t’i raportoje vetëm Parlamentit.
c) I kemi propozuar Kuvendit vendosjen e kufirit tavan të borxhit publik në Kushtetutë në masën 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit dhe arritjen e këtij niveli të shtrirë në kohë, në terma afatgjatë. 
d) Kemi kërkuar qe treguesit vjetore te performancës në financat publike te krahasohen dhe vlerësohen me treguesit e shtyllave prioritare të planifikuara në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020.
Rezolutat e Kuvendit për KLSH-në: Vlerësime dhe rekomandime
Gjatë këtyre pese viteve 2012-2016 bashkëpunim, Kuvendi ka miratuar disa rezoluta vlerësimi dhe orientimi të punës së KLSH-së. Për secilën Rezolute, ne kemi përgatitur dhe i kemi dërguar Kuvendit Planin e Punës për zbatimin e rekomandimeve të tij. Dua të theksoj se vlerësimet dhe rekomandimet e këtyre rezolutave na kanë ndihmuar shumë si institucion suprem auditimi, në përcaktimin e saktë të prioriteteve tona dhe në përpjekjet për modernizimin e institucionit. Rekomandimet e këtyre rezolutave integrohen plotësisht me objektivat e Strategjisë së Zhvillimit 2013-2017 (të ripunuar) të KLSH, të përgatitur bazuar në drejtimet dhe planet strategjike të zhvillimit të organizatave INTOSAI (2017-2022) dhe EUROSAI (2011-2017), si dhe me objektivat e Strategjisë së Implementimit të ISSAI-ve. Rezoluta e fundit e Kuvendit e 20 tetorit 2016 “Mbi vlerësimin e performacës së veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2015”, ka njohur dhe vlerësuar rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni kushtetues i pavarur i kontrollit të jashtëm ekonomiko-financiar, që auditon menaxhimin me eficencë dhe dobishmëri të fondeve dhe pronës publike e shtetërore, ka vlerësuar rëndësinë e funksionimit të këtij institucioni mbi bazë të garantimit të parimeve të pavarësisë, integritetit, objektivitetit, përgjegjshmërisë, interesit të publikut, profesionalizmit, bashkëpunimit dhe transparencës si dhe ka konfirmuar mbështetjen dhe nxitjen në misionin tonë për të punuar dhe kontribuar për një qeverisje të mirë, nëpërmjet parandalimit dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike, rritjes së besimit të publikut dhe nxitjes së përdorimit me ekonomicitet, eficiencë dhe efikasitet të fondeve publike, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe praktikat më të mira të BE-së e standardeve ndërkombëtare INTOSAI. Rekomandimet e Rezolutës së Tetorit 2016 integrohen me objektivat dhe aktivitetet e implementimit të Projektit të binjakëzimit IPA 2013 në funksion të forcimit të kapaciteteve administrative dhe zhvillimit të mëtejshëm të modernizimit institucional të implementimit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit të përdorura gjerësisht nga Komuniteti INTOSAI dhe të praktikave më të mira të EU-së, të cilat KLSH-ja po i implementon në bashkëpunim dhe ndërveprim me NIK-un Polak dhe SAI-in e Kroacisë. Ne rekomandimet e Komisionit Evropian në Progres Raportet e viteve te fundit për Shqipërinë, ne lidhje me auditimin e jashtëm, një vend qendror zë ndjekja efektive e zbatimit te rekomandimeve te KLSH-se, si nga Ministria e Financave dhe nga Legjislativi. Në këtë linjë janë edhe rekomandimet e Rezolutave të Kuvendit. Rezoluta e 20 tetorit 2016, në të cilën Kuvendi shprehet për krijimin e një Nënkomisioni të dedikuar parlamentar brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si një praktikë e ndjekur nga disa vende evropiane, përbën për Kontrollin e Lartë të Shtetit shprehjen më të lartë të besimit të Kuvendit ndaj institucionit. Ajo dëshmon për maturimin profesional të punës audituese të institucionit, por njëkohësisht shënon nivelin e larte te kuptimit te mesazheve dhe rëndësisë së aktivitetit te KLSH nga deputetet e Kuvendit, sidomos nga anëtaret e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Ekzistenca e një nënkomisioni të profilizuar për auditimet e KLSH-së do të mundësojë një komunikim të vazhdueshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit me Kuvendin. Raportimet e këtij nënkomisioni do ta ndihmojnë Kuvendin të kuptojë në mënyrë më të qartë dhe tërësore jo vetëm natyrën e punës së KLSH-së, por edhe rëndësinë e zbatimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimeve më kryesore dhe të rëndësishme të institucionit. Nëpërmjet këtij nënkomisioni, rekomandimet e KLSH-së do të shërbejnë jo vetëm për efekt zhdëmtues ndaj Buxhetit te Shtetit dhe rregullues në përmirësimin e qeverisjes, por edhe si “inpute” që Parlamenti mund t’i përdorë në kontrollin më efektiv dhe eficient të punës së Qeverisë, si dhe në hartimin e politikave buxhetore më koherente, të qëndrueshme dhe më pranë qytetarit. Pjesëmarrja e Kryetarit të Kuvendit, deputetëve dhe Kryetarit të Komisionit për Ekonominë në aktivitetet e KLSH-së si Analizat Vjetore, konferencat shkencore, etj., dëshmojnë mbështetjen e konsiderueshme parlamentare që gëzon Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet e auditimit të KLSH-së janë shumë më të pranishme në komisionet parlamentare, nga sa ishin pesë vite më parë. E them me bindje se ky është një tregues i besimit në rritje të Kuvendit ndaj KLSH-së. Në argumentim sa më sipër KLSH në vijimësi ka konsideruar marrëdhënien me Parlamentin si një marrëdhënie produktive jo skematike por një marrëdhënie e cila në vetvete ka qenë një vlerë e shtuar për performancën e institucionit me impakt të padiskutueshëm në konsolidimin e një marrëdhënieje partneriteti dhe bashkëpunimi. Do të doja të sillja në vëmendjen Tuaj se tashmë KLSH ka tejkaluar praktikën e vjetër të dërgimit në Parlament vetëm të dy raporteve i) Të raportit të performancës vjetore dhe ii)të raportit të ekzekutimit të buxhetit të vitit të kaluar financiar, duke u mjaftuar në këtë mënyrë vetëm në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe kushtetuese. Vetëm përgjatë vitit 2016 deri në Mars 2017, i kemi dërguar Parlamentit (Kryetarit të Kuvendit dhe Komisioneve parlamentare) 13 Raporte Auditimi dhe konkretisht: Ne duhet të konsiderojmë krijimin e një njësie ose caktimin e një personi të veçantë për të koordinuar kontaktet e SAI-t me Parlamentin, për të lehtësuar komunikimin dhe për të ndihmuar ndërgjegjësimin e plotë të SAI-t ndaj nevojave dhe interesave parlamentare. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhanë një kontribut të veçantë gjatë vitit të kaluar dhe bashkëpunuan ngushtë me audituesit austriakë të Gjykatës së Auditimit të Austrisë, që realizuan procesin “Peer Review” (Rishikim mes kolegeve) për institucionin tonë, lidhur me marrëdhëniet SAI-Parlament. Ky proces dëshmoi pavarësinë e plotë që gëzon KLSH, falë edhe mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të hapur të Kuvendit. Projekti IPA “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të Jashtëm në Shqipëri” është një tjetër pikëtakimi e rëndësishme mes KLSH-së dhe Kuvendit. Në nëntor 2016 u organizua misioni i ekspertëve polakë lidhur me analizën e akteve rregullatorë dhe praktikave të KLSH në marrëdhëniet me Parlamentin. Kuvendi iu përgjigj pozitivisht ftesës së KLSH-së dhe bashkëpunoi për realizimin e këtij misioni. Sfida jonë më e madhe në raportet konstruktive dhe të hapura me Kuvendin është bashkëpunimi konkret për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi shumë punë për të bërë që ky bashkëpunim të funksionojë.