Marku: Misioni ynë, luftë krimit të organizuar e korrupsionit

627
Prokurorja e Përgjithshëm, Arta Marku, bisedoi dje me përfaqësues të mediave vendase dhe ndërkombëtare në Tiranë. Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i disa pikëpamjeve me gazetarët si hallka thelbësore në marrëdhëniet mes Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorit të Përgjithshëm dhe mediave. Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme garantoi qenien institucion i hapur dhe i lirshëm. “Misioni ynë është i përbashkët, ndonëse kalon në rrugë të ndryshme: Prokuroria për të luftuar krimin në tërësi, krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin dhe media për shpalosur, jo vetëm mangësitë dhe problematikat, por edhe përpjekjet në luftë kundër të gjitha formave të veprimtarive kriminale dhe paligjshmërisë”, mësohet të jetë shprehur Marku. Kryeprokurorja Marku ofroi përkushtim që, në bashkërendim me stafin të krijojë hapësirat më të mëdha për të lehtësuar punën e medias, jo vetëm si detyrim ligjor, por dhe si detyrim moral në jetën demokratike të një vendi. Padyshim që reforma në drejtësi, tërësia e ligjeve dhe akteve mbeten përparësi e punës së prokurorisë në qendër dhe në rrethe. Në të njëjtën kohë, në takim kryeprokurorja Marku mësohet se është shprehur se do të ketë surpriza me zhvillimet e ardhshme. Gjithashtu dje, prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku priti ambasadorin e Britanisë së Madhe në Shqipëri, Dunkan Norman. Marku garantoi vendosmëri në luftë kundër paligjshmërisë dhe çdo forme të krimit në Shqipëri. Ambasadori Norman shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, për bashkëpunimin mes agjencive ligj-zbatuese, plotësimin e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut.
Sigal