Marko Dajti: Rama duhet të kuptojë, ai nuk është sulltan dhe ne nuk jemi lolot e oborrit

460
Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë, në intervistën për “Telegraf” pohon se Fronti i Majtë është larguar nga aleanca e PS-së, pasi reformat e qeverisë “Rama” janë antikombëtare. Duke theksuar se Rama po qeveris me forca të djathta, sikurse PDIU dhe partia e Topit, shoku Dajti i drejtohet kryeministrit Rama, duke i thënë që ai nuk është sulltan dhe aleatët e tjerë, nuk janë lolot e oborrit të tij. Në këtë nëntekst, shoku Dajti, duke iu referuar aleancës së re zgjedhore të PS-së, që është përtej të Majtës dhe së Djathtës, shprehet se “Në këtë kuptim, në betejën e ardhshme PS mund të sigurojë një fitore në zgjedhjet lokale, por ky do të jetë edhe fillimi i rrënimit të saj të madh”.
Sigal

Shoku Dajti, kryeministri Rama zgjodhi aleatët e tij për zgjedhjet e 21 qershorit. Përshtypja është se kësaj here, kjo aleancë do të jetë përtej së Majtës e së Djathtës, derisa ftoi PDIU dhe FRD, por ka përjashtuar PDS, PSD dhe Frontin e Majtë. Përse kjo politikë nga Rama?

– Nuk është e vërtetë se ne jemi përjashtuar nga koalicioni. Mund t’ju them se ftesa na ka ardhur sërish, por jemi ne që kemi zgjedhur të largohemi. Ky vendim ka ardhur qoftë për arsye të politikës së ndjekur nga qeveria, qoftë për mënyrën se si Kryeministri ka trajtuar partitë aleate.
Së pari, reformat që ka ndërmarrë qeveria “Rama” ne i konsiderojmë si antikombëtare dhe antipopullore, thjeshtë në shërbim të klaneve të biznesmenëve, që ai i ka sjellë në parlament. Për këtë çështje jemi shprehur në disa raste, duke i kritikuar ashpër këto pseudoreforma. Polarizimi i shoqërisë është thelluar dhe ata që fitonin miliona euro në kohën e Berishës, vazhdojnë të fitojnë miliona të tjera, ndërsa shtresa e mesme po rrënohet dhe të varfrit nuk po kanë më as bukën e gojës. Në thelb, kjo qeveri e ka drejtuar kamxhikun kundrejt fakirëve, që nuk kanë mundësi të mbrohen dhe po godet me sa i ha krahu, duke u munduar të trembë edhe të tjerët. Nga ana tjetër, kabineti “socialist” po qeveris me mantenuta, qoftë politike edhe fiziologjike. Po ju bëj unë një pyetje të thjeshtë: Ku janë sot socialistët, të majtët e vërtetë, ata që përballuan vite të tëra të opozitës. Jua them unë: i keni rrugëve, në pritje të një lëmoshe qeveritare. Shpërblimin e kanë marrë të tjerët, ata që hodhën poshtë flamurin e rreckosur të Sali Berishës, pas 23 qershorit dhe “kthyen pllakën”, duke i thurur himne Rilindjes. Krundet e Berishës u shndërruan në miellin e Ramës dhe këtë “çorbë të prishur” të gatuar në Beograd, ai po e servir në tavolinat e shtruara me mbulesë mavi. Në atë tavolinë, ku ulen dhe krekosen bukuroshët dhe bukuroshet e të 99-ave.
Së dyti, Fronti i Majtë ka një eksperiencë të hidhur nga zgjedhjet e kaluara. Ne ishim aleatë me PS-në dhe kemi dhënë një kontributin tonë në fitoren e 23 qershorit, kontribut që na është mohuar në mënyrë të vazhdueshme. Na u vodhën votat në mënyrë barbare nga komisionerët socialistë, megjithatë heshtëm dhe përshëndetëm fitoren e përbashkët. Nga ana tjetër, nuk na u pranua asnjë pikë e programit, që synonte përmirësimin e kushteve të jetesës së popullit shqiptar. As shtetëzimi i pasurive kombëtare dhe vënia e tyre në shërbim të popullit, as krijimi i një banke kombëtare kursimesh, që do të ndikonte në uljen e interesave të kredive për bizneset e vogla e të mesme si dhe sigurimin e depozitave të kursimeve, as uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe faljen e gjithë borxheve të konsumatorëve familjarë. Përkundrazi, çmimi u rrit dhe familjarët-debitorë u futën në burg. Përveç këtyre, në asnjë rast nuk jemi thirrur për konsultime për të menaxhuar fitoren e arritur bashkërisht, pa llogaritur pjesëmarrjen në bashkëqeverisje që asnjëherë nuk na është ofruar. Ndërkohë, në bashkëqeverisje të fshehur ishin pjesë e koalicionit të djathtë, si PDIU dhe “Fryma e re” e Topit. Në opozitë ishim bashkë me Ramën, ndërsa në pushtet ai po qeveris me të tjerë. Edi Rama duhet të kuptojë se qeverisja nuk është telenovelë. Ai nuk është sulltan dhe ne nuk jemi lolot e oborrit. 

A mundet që kjo aleancë elektorale e re e PS-së të ketë suksesin në 21 qershor?

– PS-ja ka pasur historikisht në gjirin e saj vlera të rëndësishme intelektuale dhe politike. Por ne konstatojmë se këto vlera janë keqmenaxhuar nga lidershipi aktual. Kryeministri Rama, duke u treguar “i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde”, ka eliminuar vlerat e vërteta brenda kësaj partie dhe po i zëvendëson me njerëz të njëmijë flamujve. Por mercenarët nuk e mbajnë dot frontin. Ata do t’i shiten përsëri blerësit më të parë. Në këtë kuptim, në betejën e ardhshme PS-ja mund të sigurojë një fitore në zgjedhjet lokale, por ky do të jetë edhe fillimi i rrënimit të saj të madh. Një milion shuplakat do të shndërrohen në një milion shkelma bythëve për Ramën dhe atëherë nuk e shpëtojnë dot mercenarët, sikurse nuk e shpëtuan dot Berishën. Ky është fundi i sigurt i koalicioneve të panatyrshëm. Frontin e mbajnë ata që luftojnë me zemër e me shpirt, jo mercenarët. Ambasadorët e Pinkut mund t’i dojë Amerika dhe Europa, por nuk i votojnë shqiptarët.
Mendoni se kjo fushatë elektorale do të jetë fushatë alternativash, apo fushatë akuzash ndaj njëri-tjetrit?
– As njëra, as tjetra. E shoh si një fushatë shumë të vakët, që do të synojë më shumë blerje votash kundrejt një thesi me miell. Alternativa nuk ka asnjëra nga palët, madje edhe mashtrimet janë konsumuar aq shumë saqë nuk i besojnë më as qentë rrugaçë. Alternativat e vërteta, ato që synojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës së shtresave të gjera të popullsisë, nuk mund të realizohen nga qeveri të shitura dhe të kapura nga krimi ordiner. Ato janë alternativa që kërkojnë sakrifica për t’u realizuar dhe kërkojnë burra shteti që të përballen me presionet e miliarderëve-hajdutë. Dhe unë, në dallim nga ish-ambasadori Arvizu, nuk shoh ende burra shteti në këtë vend. Nga ana tjetër, edhe akuzave të ndërsjella “u ka dalë boja me vakt”, si frangave të Qazim Mulletit. Përderisa askush nuk paguan, askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk hyn në burg, as akuzat nuk mund të kenë vlerë dhe as mileti nuk mund t’i besojë. 
Fronti i Majtë me kë synon që të krijojë aleanca zgjedhore?
– Ne nuk do të hyjmë më në asnjë aleancë me forca politike që përfaqësohen nga njerëz të inkriminuar apo të përfolur. Nuk do të bëjmë aleancë as me parti të djathta. Por kriteri kryesor për koalicion politik do të jetë qëllimi i përbashkët për të realizuar ato reforma që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të masave të gjera të popullsisë. Padyshim, pika kryesore do të jetë shtetëzimi i pasurive kombëtare, duke përfshirë edhe energjinë elektrike dhe vënien e tyre në dispozicion të njerëzve, sepse atyre iu takojnë. Nuk bëjmë kompromis për karrige, por për ideale. Nëse ka të tilla forca politike, jemi të hapur për bashkëpunim.
Ju do të kandidoni vetëm për këshillat bashkiakë apo edhe për kryetarë bashkish?
– Po përgatisim listat e kandidatëve si për kryetarë, edhe për këshilltarë. Fronti i Majtë do të përfaqësohet në pjesën më të madhe të bashkive me kandidatë për kryetarë bashkie, duke synuar të bashkojë rreth vetes edhe ata socialistë të ndershëm që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në këtë qeveri që po mundohet të “kalojë ylberin”. 
Nga ana tjetër, edhe PR-ja ka shprehur mundësinë që të krijojë aleancë zgjedhore jashtë PD-së. A mendoni se poli i tretë është mundësi reale kësaj here?
– Nuk mund të ketë pole reale pa ideale. Kjo nuk është luftë idesh, por luftë karrigesh. Kësaj i thonë “për inat të Sali Berishës, shkoj e fle me Edi Ramën”. Më vjen keq për Agron Dukën, sepse do të ishte kandidat i denjë për Durrësin, por edhe këtu vërehet se kolltuku është më i rëndësishëm se fryma politike. Socialistët e Durrësit thonë për dyshen Duka-Dako se “për kë të votojmë, se janë të dy të djathtë”, ndërsa demokratët thonë se “për kë të votojmë, se janë të dy të majtë”. 
Faleminderit!