Marko Dajti: “Pa votat e aleatëve, Rama nuk ka mandat të dytë”

535
Sigal

Marko Dajti, kryetari i PPSHR-së, në intervistën për “Telegraf”, i kujton kryeministrit Rama, që pa votat e aleatëve nuk ka mandat të dytë. Madje zoti Dajti thotë se, cilido lider që do të fitojë aleatët, do të jetë kryeministri i ardhshëm. Edhe sikur Rama të mos u japë aleatëve asgjë, sipas zotit Dajti, këta do të duhet të durojnë deri vitin e ardhshëm, për 3 arsye.

 – Zoti Dajti, sipas jush, përse kryeministri Rama nuk vlerësoi kontributin që dhanë aleatët e ASHE-së, me 100.000 votat që fituan në 23 Qershor, me poste qeveritare, sikurse ka nënshkruar me secilin edhe marrëveshjen parazgjedhore?

– Kryeministri në këtë rast ka vonuar, por nuk besoj se ka harruar. Kjo për arsye se nuk janë thjesht një numër, pra 70, 80 apo 100 mijë vota. Është një forcë që është në gjendje të përmbysë raportet politike në Shqipëri në raste zgjedhjesh, pavarësisht se nuk ka mundësi ta bëjë këtë edhe gjatë legjislaturës, për mungesë mandatesh. Në rast se vërtet Kryeministri Rama do të vendosë të braktisë aleatët sipas proverbit “Kalova lumin, të dhjefsha kalin”, kjo do të thotë se ai ka braktisur jo vetëm aleatët, por edhe vetë PS-në, që nuk do të mund të sigurojë një mandat të dytë qeverisës pa votat e partive të vogla aleate.

– Disa aleatë mendojnë se ende ka akoma shumë poste, të cilat kryeministri Rama do t’ua japë. Ju jeni nga ata që ende shpresoni se Rama mund t’i shpërblejë aleatët e vet me pjesëmarrje në qeverisje?

– Padyshim. Pavarësisht se janë shpërndarë pjesa më e madhe e posteve drejtuese, ka ende shumë të tjera të niveleve më të ulëta që ende i mban PD-ja.

 

– Edhe nëse u jep aleatëve poste periferike, mund të themi se kësisoj ai i shpërblen aleatët, sipas kontributit të votës?

– Jo, shpërndarja në këtë rast nuk është sipas kontributit të votës, ndryshe Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo do të kishin, së paku, zv/ministrat e tyre, apo drejtorë të përgjithshëm. Ajo që duhet kuptuar është se aleatët nuk shpërblehen thjesht numerikisht. Gjinushi dhe Milo kanë një kontribut politik në radhët e së majtës që shkon përtej atyre mijëra votave që ngelën në letër pas masakrës së numërimit të votave. Ata kanë përballuar debate të mëdha publike në tetë vitet e opozitës. E njëjta gjë vlen edhe për partitë e tjera.

A pajtoheni me atë mendim që Rama do t’i asgjësojë politikisht aleatët e vegjël?

– Po të ndodhte kështu, Rama do të rrezikonte më shumë të asgjësonte PS-në,  sesa aleatët e saj të vegjël. Unë nuk besoj se Edi Rama do t’u rikthehet gabimeve të së kaluarës, tani që është në kulmin e pjekurisë së tij politike.

-Mos vallë Rama niset nga mendësia politike, se me përqindjet që ka PS-ja dhe LSI-ja, tashmë ai nuk ua ka fare nevojën aleatëve të vegjël?

– Padyshim, që numrat në Parlament i japin të drejtën të qeverisë si të dojë, por qëndrimin e Ramës e shikoj më shumë si maturi, se sa si mospërfillje. Kryeministri e di shumë mirë se nuk fiton dot në betejat e ardhshme elektorale pa partitë e vogla dhe nuk ka asnjë interes të krijojë një opozitë të re brenda së majtës. Lufta më e egër është ajo brenda llojit dhe Rama këtë duhet ta evitojë me çdo kusht.

– Mendoni se kjo strategji shpërfillëse e Ramës  ndaj aleatëve, është edhe një marrëveshje e tij me Metën?

– Nuk ka marrëveshje të tilla Rama-Meta, për të eliminuar partitë e vogla. Së paku, Ilir Meta nuk do ta lejonte një gjë të tillë, pasi ai është përfituesi më i madh direkt i votave të partive të vogla. Dhe dihet që skraparllinjtë nuk janë mosmirënjohës.LSI-ja do të kishte interes t’u jepte diçka partive të vogla, qoftë edhe nga “parcela” e vet e pushtetit, që t’i mbante të lidhur pas vetes në funksion të alternativës së vitit 2017: Meta Kryeministër.

Dihet që Rama i bëri ofertë Milos, duke i thënë që të shkrinte PDS-në dhe të bashkohej në listat e PS-së. Të tillë propozim i ka bërë Milos edhe Meta. Mendoni se këto janë thjesht rastësi të shkëputura, apo vetë strategjia politike e Ramës dhe Metës ndaj aleatëve të vegjël?

– Siç e thashë edhe më lart, kush do të fusë në “thesin” e tij politik votat e partive të vogla, do të jetë kryeministri i ardhshëm. Ilir Meta ishte paksa i dobët në zgjedhjet e 23 qershorit për të pretenduar, por në vitin 2017 do të ketë një peshë politike të krahasueshme me Edi Ramën. Testi do të jetë viti 2015, zgjedhjet lokale, ku parashikohet një ngushtim i ndjeshëm i diferencës PS-LSI. Nuk do të çuditesha edhe po të konstatohej një humbje e Partisë Socialiste në këto zgjedhje.

– Konkretisht, tani cili do të jetë reagimi i aleatëve, meqë e shikojnë qartë që nuk do të përfshihen në qeverisje, sikurse kishin nënshkruar marrëveshjen me Ramën?

– Ne jemi akoma në pritje të një përgjigjeje nga Kryeministri Rama apo Kryetari i Kuvendit Meta. Ajo që gjithsecili nga kryetarët e partive të vogla duhet të ketë të qartë, është se nuk do të ketë mundësi të dytë. Ose e marrin tani atë që meritojnë, ose nuk e marrin as pas tetë vjetësh.

Durimi i aleatëve është deri vitin e ardhshëm

 –Mendoni se ka ardhur momenti politik, që aleatët e ASHE-së të shkëputen dhe të krijojnë një grupim politik më vete, meqë bashkarisht i kanë votat për t’u përfaqësuar në Kuvend?

– Ky do të ishte vendimi më i drejtë politik, por koha nuk është e përshtatshme. Mendoj, se duhet pritur deri në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë kur të verifikohen tre faktorë: 1. Lënia përfundimisht e aleatëve jashtë qeverisjes; 2. Lënia edhe e socialistëve të vjetër jashtë qeverisjes; 3. Dështimi i një pjese të mirë të ministrave apo drejtorëve të emëruar jopolitikisht në poste politike. Kur të vijë ky moment, pakënaqësia e aleatëve do të bashkohet me pakënaqësinë e socialistëve të pashpërblyer për kontributin e vet dhe qeveria do të tundet nga themelet, e ndodhur mes dy zjarresh. Ne do të shtrëngojmë dhëmbët deri në janar, por edhe atëherë do të mundohemi me çdo kusht që një revoltë e tillë të mos shkojë në favor të filoserbëve berishianë.