Marko Dajti: “Pa Gjinushin, Milon, Koçin e Beqirin në qeverisje, do të ketë çarje te e Majta”

66

*Kryetar i PPSHR-së

Kryetari i PPSHR-së, Marko Dajti në intervistën për “Telegraf” sqaron se, ka kundërshti me CV-të që ka kërkuar Kryeministri i ri, Edi Rama, për ata drejtues që janë funksionarë partiakë. Njëkohësisht, zoti Dajti pohon se një qeverisja pa Milon, Gjinushin, Koçin e Beqirin, do të jetë një çarje e madhe e së Majtës. Zoti Dajti thotë se, me rastin e 105- vjetorit të lindjes të Enver Hoxhës, do të kërkojnë që të vihet busti i tij, ndryshe, komunistët do ta vënë me forcë.

– Zoti Dajti, ju keni shprehur kundërshtinë tuaj për ftesën e Kryeministrit Rama se cilido që dëshiron të punojë në administratën publike duhet të dorëzojë CV-të. A nuk është kjo një shprehje e meritokracisë?

– Administrata publike ka rolet e drejtuesve dhe ato të punonjësve të niveleve të tjera. Drejtuesit janë funksione partiake dhe si të tillë nuk mund të përcaktohen me konkurs, ndërsa për punonjësit e tjerë nuk kemi shprehur kundërshtinë tonë. Po ju jap vetëm një shembull: Çfarë konkurrimi kanë bërë personat e caktuar si ministrat e rinj të kabinetit qeveritar? A kanë dorëzuar CV-të te Kryeministri? Po listat e kandidatëve për deputetë, mos janë hartuar në bazë të meritokracisë, nëpërmjet konkurrimit me CV? Natyrisht që jo dhe është e drejtë që të jetë kështu, pasi ato janë funksione politike. Në të njëjtën mënyrë bëhet edhe përzgjedhja e zv/ministrave, kabineti i secilit ministër, drejtorët e drejtorive, drejtorët e përgjithshëm, prefektët apo drejtues të tjerë institucionesh. Madje, në të tilla funksione mund të përzgjidhen edhe njerëz që janë në moshë pensioni, por që kanë eksperiencë dhe energji. Ndërsa punonjësit e thjeshtë, apo edhe shefat e sektorëve i nënshtrohen konkursit. Kjo mënyrë përzgjedhje bëhet në gjithë botën e qytetëruar.

– Ju si e shpjegoni që LSI, PR, PDIU, megjithëse, ishin në maxhorancën e tanishme, në zgjedhjet e 23 Qershorit fituan më shumë se në vitin 2011?

– Ka tre arsye: Së pari, është problemi i numërimit të votave. Nëse pjesërisht PR-ja dhe më shumë PDIU-ja kanë vuajtur fenomenin e vjedhjes së votave në zgjedhjet e mëparshme, këtë vit PD-ja u tregua më e kujdesshme për të respektuar aleatët e vet, për shkak të pozitës së saj tepër delikate. Mungesa e arrogancës nga të djathtët gjatë numërimit, bëri që aleatët e PD-së të ishin më të mbrojtur, ndërsa “specialistët e numërimit” më së shumti këtë radhë braktisën Berishën dhe u rreshtuan në kampin e majtë, të afruar posaçërisht nga kryetari Rama. Në mënyrë të veçantë, LSI-ja ishte totalisht e mbrojtur, pasi ka patur numëruesit e vet, ashtu sikurse PR-ja. Së dyti është konsolidimi i këtyre partive si pasojë e bashkëqeverisjes me PD-në dhe dihet se pushteti prodhon vota. Së treti është dobësimi i ndjeshëm i vetë forcës kryesore të këtij koalicioni, PD-së. Zhgënjimi i demokratëve bënë që të përfitonin dukshëm partitë e tjera aleate. Ajo që ra në sy në këto zgjedhje ishte padyshim mungesa e standardeve demokratike gjatë procesit të numërimit të votave, ku edhe ne jemi viktima. Vjedhja e votave është fenomeni më i rrezikshëm në zgjedhje, madje edhe më i rrezikshëm se blerja e votës dhe si i tillë duhet të goditet fort.

– Ndonëse 100 mijë vota që morën aleatët nuk u konvertuan në mandate, a është logjike që asnjë nga aleatët të mos jetë në skemën e qeverisjes, derisa votat e tyre, sipas Kodit Zgjedhor, shkuan te mandatet e PS-së?

– Në qoftë se aleatët nuk do të jenë pjesë e qeverisjes, do të pranojmë logjikën e arrogancës së më të fortit dhe do të bëjmë një hap mbrapa edhe në krahasim me standardet e zotit Berisha. Padyshim, jo të gjithë kanë të njëjtat vlera dhe do të kenë të njëjtin rol. Në mënyrë të posaçme, këtu mund të flitet për Skënder Gjinushin dhe Paskal Milon, vlera e partive të të cilëve nuk matet vetëm me votat që u ngelën pas masakrës së numërimit, por për tetë vjetët e qëndresës në opozitë. Këto janë parti të konsoliduara, jo si ato partiza që PS-ja iu mbushi edhe listat me kandidatë se nuk kishin njerëz, ndërsa sot kërkojnë poste e vende pune. Dhe këta nuk janë nga ata kryetarë që bëjnë presion për kuotat, apo i shikojnë anëtarët nga xhepat për të pirë ndonjë kafe qyl. Në këtë aspekt, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Petro Koçi apo patrioti Idajet Beqiri nuk mund të ngelen jashtë skemës, ndryshe do të krijohej një e çarë e madhe brenda së majtës, me pasoja të drejtpërdrejta në zgjedhjet e ardhshme. Këta nuk janë nga ata politikanë që shkrijnë partitë dhe shkojnë në shtëpi, por mund të krijojnë fare mirë një strehë të re politike të përbashkët.

Kur Rama thotë se do të vlerësojë kontributin e aleatëve dhe do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me ata, çfarë duhet të kuptojmë, derisa aleatët nuk i përfshiu në qeverisje?

– Kjo do të thotë se do të na e fusë, siç na e ka futur në tetë vjetët e kaluara, duke na mbajtur me shpresë dhe duke na ofruar lugën e zbrazur. Në filozofinë popullore kjo do të perifrazohej: ‘Kalova lumin, të dhje… kalin!’

Veprimin politik të Kryeministrit të ri, Edi Rama, të lërë jashtë skemës së qeverisjes shumë politikanë me përvojë nga PS, si e vlerësoni?

– Është skandaloze të mendosh se Pandeli Majko u bë kryeministër kur ishte akoma fëmijë në politikë dhe sot që ka përvojë nuk vlen as si ministër. Po ashtu mund të thuhet për Gramoz Ruçin, Namik Doklen, Arta Daden, Spartak Brahon e shumë të tjerë. Që kur Edi Rama ka ardhur në krye të PS-së, në këtë mënyrë janë djegur të gjitha figurat e socialistëve të vërtetë, duke i nxjerrë jashtë loje në udhëheqjen e PS-së. Shumë shpejt do të shikojmë një PS pa socialistë dhe pa ideale. Për mendimin tim, kjo është një strategji e kahershme e lidershipit të PS-së.

Përse ju jeni shumë kritikë ndaj Edi Ramës, kur ende qeverisja e tij nuk është vënë në provë?

– Sinqerisht, unë e dua dhe e respektoj shumë Edi Ramën, në mënyrë të veçantë për hir të babait dhe dajës së tij, të cilët ishin njerëz të mrekullueshëm, patriotë dhe profesionistë të vërtetë. Unë jam kritik, pasi dua që ai të mos shkëputet nga idealet e majta që familja e tij ka mbrojtur në vite, nuk dua të shkëputet nga linja e patriotizmit që është dëshmuar në histori që nga gjyshërit e katragjyshët e tij, nuk dua që ai të mbartë virusin e arrogancës në pushtet që ia la “peshqesh” Sali Berisha. Nëse Edi Rama do të tregojë me vepra që është një Kryeministër i vërtetë, i majtë dhe patriot, do të jem i lumtur ta përgëzoj.

Ju keni thënë se do të kërkoni ngritjen e bustit të Enver Hoxhës. I qëndroni ende kësaj ideje? A keni biseduar paraprakisht me PS-në dhe LSI-në?

Padyshim i qëndroj kësaj ideje. Shpresoj të realizohet me rastin e 105-vjetorit të lindjes. Nuk është vetëm çështje idealesh, por para së gjithash çështje e kujtesës historike të këtij populli. Pavarësisht nga bindjet politike të njërit apo tjetrit, figurat historike nuk mund të gjykohen përveçse nga historia. Nuk ka patur negociata paraprake me forcat e tjera politike, pasi tashmë ato janë të përfshira nga ethet e pushtetit. Por këto negociata do të zhvillohen së shpejti dhe, në rast të mosarritjes së një konsensusi, unë dhe ata njerëz që kanë bindjen se historia nuk mund të harrohet, do ta vendosim me forcë.

Klientelizmi politik është pengu i qeverisë te monopolet

– Mendoni se Kryeministri i ri Edi Rama do të luftojë fenomenin e klientelizmit politik, ku deri tani vota e dhënë të konvertohet me një vend pune në administratën publike?

– Fenomeni i klientelizmit politik është shumë më i gjerë sesa një vend pune në shkëmbim të votës. Më së shumti ka lidhje me biznesmenët-klientë të politikës që kanë arritur në qeverinë Berisha, deri aty sa të nxjerrin ligje të posaçme për mbrojtjen e bizneseve të tyre, të shmangen nga detyrimet fiskale, të përfitojnë favore të pamerituara, të ndërtojnë perandori-monopol, duke vjedhur djersën gjysmëshekullore të shqiptarëve, të marrin koncesione shumëvjeçare, ku qytetarët dhe biznesmenët e tjerë janë të detyruar të mbushin arkat e tyre me miliona euro. Kjo është forma më e rrezikshme e klientelizmit politik, ajo formë që e rrënon shtetin nga themelet. Nëse nuk do të godasë këto fenomene, edhe qeveria e re do të jetë peng i këtyre monopoleve, sikurse qeveria e vjetër dhe unë dyshoj seriozisht se qeveria e re do të jetë e aftë ta luftojë këtë klientelizëm, për arsye se brenda saj ka shumë biznesmenë, madje edhe me prejardhje të djathtë. Lufta është shumë më e vështirë se kompromisi dhe qeveria e re ka sfidën e madhe dhe të vështirë: Ta pranojë realitetin sikurse është, duke mbushur xhepat e vet dhe duke varfëruar shqiptarët, apo të presë me shpatë nyjën gordiane që po shtrëngon përditë e më shumë qafën e shqiptarëve. Koha do ta tregojë. Nëse qeveria “Rama” do të ndjekë rrugën e Berishës, ne do të jemi sërish në opozitë, jashtë çdo kompromisi apo pazari dhe do të godasim pa mëshirë fenomenin e kapjes së shtetit apo të mafies politike.