Marko Dajti: Mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri

470
Sigal

Pasuria kombëtare e shqiptarëve nuk ka vlerën e brekëve një euro që shiten te tregu i gabit

* Kryekomunist

 PPR është tejet e vëmendshme për zhvillimet e fundit politike, duke qenë një forcë politike pjesëmarrëse e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ne mbështesim qëllimin e mirë të qeverisë aktuale për të dalë nga kriza ekonomiko-shoqërore në të cilën e ka zhytur vendin qeverisja e papërgjegjshme e Sali Berishës, por njëkohësisht vlerësojmë se qeveria e re ende nuk ka arritur të përvijojë një strategji eficiente për të rilindur Shqipërinë. Nxjerrja e pasurive kombëtare në ankand është as më shumë as më pak sesa rruga e propozuar dhe e ndjekur nga Sali Berisha, rruga e dënuar nga populli me mbi 1 milion shpulla. Ne vërejmë me keqardhje se qeveria e re nuk është në gjendje të ofrojë më shumë sesa strategjia e vjetër, çka u pa qartë edhe nga vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Itali, ku u rikonfirmua teza “Shqipëria një euro”. PPR është kundër pazareve të tilla në dëm të popullit shqiptar. I përsërisim edhe një herë Kryeministrit se pasuria kombëtare e shqiptarëve nuk ka vlerën e brekëve të Xhevries që shet Diu për një euro te tregu i gabit. Në qoftë se nuk ka “rilindës” që t’i japin këshillat e nevojshme për një strategji të re ekonomike, ne e ftojmë t’i drejtohet programit ekonomik të PPR, ku përcaktohet qartë se jo koncensionet, por shtetëzimi dhe vënia në eficiencë e pasurive kombëtare strategjike, është rruga që do të rilindë ekonomikisht Shqipërinë. Në këtë kontekst, vënia në shfrytëzim e pasurive nëntokësore nga shteti si minierat etj, me paratë që janë marrë borxh, do të garantoje punësimin për shqiptarët dhe 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë nga ne, do të bëhen shumë shpejt realitet. Jo anarkia financiare dhe zhvatja nga bankat e huaja të valutës shqiptare, por ngritja e një banke kombëtare shtetërore të kursimeve do të jetë garancia për rilindjen financiare. Kjo bankë me 100% kapital shtetëror do të konkurrojë bankat e huaja në dhënien e kredive. Qeveria të jetë e qetë se shqiptarët janë të aftë ta mbushin brenda dy muajve me valutë dhe ta shndërrojnë në instrumentin më eficient për garantimin e politikave ekonomike të qeverisë së majtë. Është e domosdoshme dhe imediate organizimi i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, ku shteti të punojë dhe të mendojë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve shqiptare. Për të ulur nivelin e kriminalitetit dhe për të rritur mirëqenien ekonomike, nën shembullin e disa vendeve të tjera të zhvilluara, është e domosdoshme që qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, të ndërmarrë hapin më të guximshëm: legalizimin e kanabisit, edhe kjo një nga pikat e programit parazgjedhor të PPR. Ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e fuqisë ekonomike të shtetit dhe të fermerëve shqiptarë. PPR falënderon në mënyrë të posaçme “komisarin politik” të së majtës shqiptare, Kryeparlamentarin Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur mbështetjen për iniciativat e majta të lançuara nga PPR, sikurse është rivlerësimi i historisë dhe LANC. Siç e thamë edhe më lart, brenda së majtës ka kapacitete të mjaftueshme për ta zhvilluar Shqipërinë në majat më të larta dhe është totalisht e panevojshme negociatat me eksponentë të djathtë si Bamir Topi. Qeveria “Rama” ka marrë mandatin për të qeverisur si qeveri e majtë, nëpërmjet një koalicioni të formuar parazgjedhor po prej tij dhe në një rrugë të re politike, jo për të qeverisur si Sali Berisha apo me njerëz të dalë nga stani i tij politik. Mungesën e guximit për të ecur në rrugën e të majtës së vërtetë, nuk mund ta zëvendësojnë topet e shfryra të Bamirit.