Marko Dajti: Letër e hapur/ Ish-sekretarit të PPSH dhe bashkëkryetarit të Partisë Demokratike, shokut Sali Berisha

82

*Përfaqësuesi i Frontit të Majtë

 Po mbushen 24 vjet nga koha kur vendose të flakësh teserën e Partisë së Punës dhe të kryesosh partinë e të djathtëve në Shqipëri. Po bëhen 24 vjet që flet, bërtet e çirresh kundër Enver Hoxhës, duke e shndërruar antikomunizmin në kredon tënde politike. Por, në këto 24 vjet ka ndodhur pikërisht ajo që t’i ke patur më shumë frikë se do të ndodhte: Figura e Enver Hoxhës është lartësuar gjithnjë e më shumë dhe figura jote ka rënë gjithnjë e më shumë. Në të vërtetë, do të ishte e vështirë të krahasoje figurën tënde me atë të Enverit, edhe pse starti është i pabarabartë. Ai erdhi në politikë si komandant i një ushtrie që çliroi vendin, ndërsa t’i erdhe nga oborri i Ramiz Alisë, i mbushur me mllefin ndaj Komandantit që nuk të zgjodhi si mjekun e tij personal. Erdhe ti në atë fund dhjetori, dhe për hir të së vërtetës, solle shumë shpresa për popullin, që kishte nisur të vuante si pasojë e degradimit që i bënë sistemit njerëzit, që morën pushtetin pas vdekjes së Enverit. Me dorën që nuk e laje që kur kishe takuar Enver Hoxhën, ngrite dy gishtat në tribunë dhe premtove se, kurrë më nuk do të rikthehej ai regjim gjakatar. Mblodhe rreth vetes bij plëngprishës dhe pionierë të Enverit, ish-anëtarë të PPSH-së dhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe premtove një Shqipëri ku të gjithë do të ishin të lirë e të sigurt. Por, na gënjeve o Sali. Shqipëria jote është Shqipëria e ’97-ës! Askush që nga koha e Haxhi Qamilit nuk kishte arritur të shkatërronte një shtet e një komb aq shpejt sa ia arrite ti. Askush që nga koha e Esta Pashë Toptanit nuk e kishte shitur detin, tokën e ajrin aq bukur sa e bëre ti. Kurrë nuk na e ke thënë sa paska qenë numri i viktimave të Enverit për 40 vjet, por jam i bindur se, janë shumë më pak se viktimat e tua dhe të shokëve të tu që na kanë qeverisur në këto 24 vjet. Ata që vrau Enveri ishin ca si puna jote, që i janë qepur në kurriz këtij populli si shushunja dhe nuk i ndahen derisa t’i thithin edhe pikën e fundit të gjakut. Dhe nuk e rregullon dot biografinë tënde politike, duke hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, qoftë me gojën tënde, qoftë me ata fëmijë të politikës që i nxjerr në tribuna.

Nuk është faji i Enver Hoxhës pse qëndron shumë më lart se ti në histori. Edhe ti e pate shansin tënd, por në vend ta udhëhiqje popullin drejt një jete më të mirë, sikurse bëri sa ishte gjallë Enveri, e udhëhoqe drejt greminës, drejt shkatërrimit ekonomik dhe degjenerimit moral, i vure kazmën nga themelet një shoqërie që kishte nisur të prodhonte një elitë intelektuale (ndër të cilët dhe ti) dhe e mbushe vendin me analfabetë me arsim të lartë. Kërkove të bëhesh mbret vetëm dy vjet pasi kishe vënë menderen në kolltukun e Presidentit të Republikës, por populli ta përplasi surratit atë palo kushtetutë. Atëherë, besoj se e kuptove se nuk arrin dot as te niveli i satrapit Zog, se me Enverin je vite dritë larg. Ishim vërtet të varfër në kohën e Enver Hoxhës, por edhe ai nuk ishte më i pasur se ne. Nuk i la gruas dhe fëmijëve as toka, as vila, as pallate. Nuk i vuri fëmijët e tij të bëheshin ortakë me grekë e serbë dhe as të merrnin përqindje për investimet në Shqipëri. E pra, fëmijët e tij ishin shumë më të aftë profesionalisht se fëmijët e tu, por nuk u bënë dot të pasur. Barazia e Enverit ishte barazi për të gjithë, ndërsa barazia jote ishte vetëm për familjen tënde. Dhe pavarësisht se unë e them me bindje se, Enver Hoxha është heroi ynë kombëtar, jam i bindur se këtë mendim po e shprehin gjithnjë e më shumë shqiptarët. Dhe një nga arsyet është pikërisht sepse askush pas tij nuk arriti dot të sigurojë një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt për qytetarët e tij. Ajo që ti ke frikë se do të ndodhë, do të ndodhë vërtet. Ti do të harrohesh në histori, ndërsa Enveri do të jetojë përjetë. Por nganjëherë është më mirë të harrohesh o Sali. Nëse historia do të të përmendë një ditë, do të tregojë se ishe vegla e shteteve të huaja që realizoi gjunjëzimin dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Se ishe komunisti që mashtroi për vite të tëra antikomunistët. Se ishe persekutori që tërhoqe në llumin e vet edhe “të persekutuarit”. Se ishe ai që ëndërroi të bëhej si Enver Hoxha, por nuk i arriti as te maja e thoit. Më mirë të harrohesh, se sa të kujtohesh si tradhtar i vendit tënd. Të gjithë ne ndryshojmë nga pak, o Sali. Vetëm ti nuk ndryshove në këto 24 vjet. Ja unë, për shembull, nuk jam më sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, të ish-partisë tënde, por jam përfaqësues i Frontit të Majtë. E ke marrë vesh besoj se, tashmë të majtët e vërtetë janë bashkuar në një front të përbashkët për të ndaluar një herë e mirë shkatërrimin që po i bën këtij vendi, ti dhe shokët e tu. Se popullit po i hapen sytë o Sali dhe po e kupton se kush je ti dhe ata që ndërrojnë kolltukët njëri pas tjetrit dhe që kanë frikë, qoftë zgjuar apo në ëndërr edhe nga fotografia e Enverit. Se ajo nuk është thjesht një fotografi. Është simboli i ndëshkimit për gjithë hajdutët dhe kriminelët, të shiturit dhe tradhtarët, mashtruesit dhe matrapazët politikë, të vetëquajtur të majtë apo të djathtë. Është një fotografi që po ta shfaqin përditë përpara syve, për të treguar se ora e së vërtetës, ora e llogarive, po afron. Të paktën shpresoj të mos ta kesh humbur atë teserën e dikurshme të PPSH-së. Do të të ndihmojë të lehtësosh krimet e tua. Të uroj të të vijnë mendtë të paktën tani në pleqëri o shoku Sali. U thuaj dhe atyre kalamajve që i komandon me telefona të mos merren më me Enver Hoxhën. Tregoju dhe atyre sharlatanëve politikë që ke mbledhur rreth vetes se nuk pyet luani pse i shkule një qime. Dhe mos e bëj si dhelpra me rrushin.

Ish-shoku yt i Partisë së Punës, Marko Dajti