Sigal

Marko Dajti

Kryetar i Frontit të Majtë

Ishte guxim i madh ai i Kryeministrit Edi Rama që të vendoste në krye të diplomacisë shqiptare një axhami nga Prishtina. Por ishte një guxim edhe më i madh ai që të kërcënonte Presidentin e Republikës. Nga vjen ky guxim që kalon edhe kufijtë e arrogancës? Dita-ditës gjërat po bëhen edhe më të qarta. Beogradi tentoi të impononte në Tiranë një ministër të Jashtëm me brekë kosovare, por me zemër serbe, që nuk dimë akoma, nëse e ka marrë shtetësinë shqiptare dhe si e ka marrë. Jo rastësisht nuk ka marrë as certifikatë të sigurisë në 7 muaj si zv/ministër dhe pastaj e mori për 24 orë me “urdhër nga lart”. Ramën e nxori zbuluar ish-ministri i Jashtëm grek, që e tha hapur se Ditmir Bushati u detyrua të largohej për divergjencat në lidhje me çështjen e Kosovës. Dhe, siç ndodh me diplomatët, thonë gjithmonë më pak nga sa në të vërtetë dinë. Për të zbatuar planet e Serbisë në Kosovë, duhet mbështetje zyrtare edhe nga Tirana. Dhe u gjet një kalama i shndërruar në rilindas që, me sa duket, është në gjendje të firmosë gjithçka për t’i bërë qejfin dyshes Rama-Vuçiç. Baton Haxhiu nuk është veçse kumbara i “foshnjës” që u ngjiz në Beograd dhe u përcoll në Tiranë, ashtu sikurse veprojnë agjenturat, nëpërmjet boshtit Beograd-Prishtinë-Tiranë, që kalon edhe nga Tropoja, Fushë-Kruja dhe Elbasani. Është pikërisht Beogradi që po trimëron sot Edi Ramën, derisa të arrijë të shantazhojë kreun e shtetit shqiptar. Është Beogradi që po e nxit të fusë policinë për të shtypur lëvizjen e studentëve në Tiranë, ndërkohë që flakët po ndizen edhe në kryeqytetin e Serbisë. Është Beogradi që po përpiqet të marrë ç’mund të marrë nga Kosova, të cilën tashmë e dinë se e kanë humbur, duke përdorur dhe keqpërdorur veglat politike në Prishtinë dhe Tiranë. Edi Rama sot është më trim se kurrë, sepse ka mbrapa “fuqinë e madhe”, ashtu sikurse kishte padroni i gjyshit të tij, Ahmet Zogu, që erdhi në pushtet me ndihmën e Pashiçit. Por sot as Shqipëria dhe as Serbia nuk janë ato të viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur gjyshi i Edi Ramës rriste fëmijët me manivelë në dorë në oborrin e Zogut. Zoti Rama, vërtet mund ta kesh të sigurt azilin politik në Beograd.

Mund të të ngrenë edhe ndonjë bust në ndonjë rrugicë që do t’i vënë emrin tënd, sikurse i kanë vënë emrin e Esat Pashës dhe Koçi Xoxes, natyrisht pas vdekjes. Por mos kujto se Vuçiçi do bëjë me ty atë që bëri Pashiçi me padronin e gjyshit tënd. Kanë ndryshuar kohët. Tani shërbëtorët zëvendësohen dhe radha në Tiranë është plot. Me që ra fjala, të fala prej mikut tënd, Cenit nga Elbasani.