Marko Dajti/ Idealet e majta nuk mund të jenë fasadë për një qeveri pa kokë e pa ide

456
Sigal

*Përfaqësuesi i Frontit të Majtë

Fronti i Majtë shpreh indinjatën e thellë për mënyrën se si u organizua ceremonia shtetërore e 5 Majit, në përkujtim të të rënëve për lirinë e Atdheut. Garda e Republikës ndaloi me forcë fotografitë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, megjithëse fotografia e Enver Hoxhës nuk është e ndaluar me ligj të qarkullojë. Varret e martirëve ishin lënë në ditë të hallit, ndërsa ceremonia ishte shumë e zbehtë. A thua se në pushtet është akoma Sali Berisha dhe koalicioni i tij me ballistë e zogistë. Qeveria e majtë ka harruar se, varret dhe monumentet në përkujtim të asaj lufte të lavdishme janë ende të rrënuara, se monumenti i pesë heronjve të Vigut është ende në plehrat ku e dërgoi tradhtari i Partisë së Punës, Sali Berisha dhe koalicioni i tij me bashkëpunëtorë të fashizmit. Kanë harruar gjithashtu se kush e udhëhoqi dhe drejtoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që kur forcat e majta kanë ardhur në pushtet, por ky nuk është ende pushtet i së majtës. Ngjarja e 5 Majit tregoi se, Shqipëria po qeveriset as më shumë e as më pak se sa kur në pushtet ishin Berisha dhe koalicioni i tij i tradhtisë. Megjithëse Kryeministri aktual thotë se, po bëhet “Kurban” për Shqipërinë, duket se i ka ngelur ende ora te “Refleksionet”. Fronti i Majtë i bën të ditur edhe një herë qeverisë aktuale se, duhet të zgjedhë përfundimisht nëse është në anën tonë apo të berishianëve. Idealet e majta nuk mund të jenë një fasadë për një qeveri pa kokë e pa ide. Nëse ata që qeverisin nuk i respektojnë idealet e majta, historinë e Luftës, ndërtimit socialist dhe gjakun e dëshmorëve, rinia përparimtare dhe të majtët e vërtetë do ta marrin vetë në dorë fatin e këtij vendi. Fronti i Majtë i bën të ditur edhe një herë mbarë opinionit publik përparimtar, gjithë atyre që e duan me gjithë shpirt këtë vend, se ne nuk jemi një lëvizje e nisur për të soditur shkatërrimin e gjithë vlerave morale dhe degradimin e idealeve të majta. Fronti i Majtë është një lëvizje e lindur për të vepruar dhe aksionet tona do të nisin që ditët e ardhshme dhe nuk do të ndalojnë derisa idealet e majta të triumfojnë dhe pushteti politik t’i rikthehet popullit.