Marko Dajti i komunistëve: Qeveria të mos marrë borxh tek FMN-ja!

61

Në një deklaratë të publikuar dje, komunistët e PPR-së, nëpërmjet kreut të saj Marko Dajti kanë akuzuar politikën  financiare të qeverisë, që sipas tyre, do sjellë pasoja për vendin… Ja çfarë thuhet në deklaratë: PPR deklarohet totalisht kundër politikës financiare që po ndjek qeveria aktuale për marrjen e borxheve nga FMN-ja për të shlyer borxhin e brendshëm. Kjo politikë është kundër interesave të popullit shqiptar dhe po e çon vendin drejt humbjes së pavarësisë dhe drejt një skllavërie moderne. Kjo politikë financiare nuk ka krahasim tjetër në histori përveçse asaj me periudhën e viteve ‘30, kur satrapi Ahmet Zogu e mbyti me borxhe shtetin e porsakrijuar shqiptar dhe e shiti te Italia e Musolinit. Ka ardhur koha që populli shqiptar të zgjohet nga gjumi dhe t’u kërkojë llogari qeveritarëve të vet, ndryshe nesër do të jetë vonë. Duke perifrazuar mikun e madh të Shqipërisë, ambasadorin Arvizu: “Act novv”. Shqipërinë e zhyti në borxhe së pari regjimi i Sali Berishës, i cili krijoi “parajsa fiskale” për njerëzit pranë pushtetit dhe e la bosh arkën e shtetit. Por fatkeqësisht abuzuesit më të mëdhenj të qeverisë “Berisha”, aktualisht po i mban nën sqetull edhe qeveria “Rama”. Mjafton që këta kriminelë e kusarë me kostum e kollare të derdhin në Arkën e Shtetit gjithë çfarë i kanë vjedhur popullit në këto vite dhe qeveria nuk do të kishte nevojë të kërkonte borxh nga FMN-ja me kushte jashtëzakonisht të rënda.  Shqipëria nuk ka arsye përse të zhytet në borxhe, përderisa janë së paku dy milionë shqiptarë që punojnë jashtë vendit. Do të mjaftonin remitancat që edhe brenda vendit të hapeshin dhjetëra mijëra vende pune. Mjafton që paratë që dërgojnë emigrantët të mirëdministrohen dhe të shërbejnë për të kredituar biznesin vendas. Prandaj PPR i kërkon me forcë qeverisë shqiptare të realizojë ngritjen e një banke kombëtare shtetërore të kursimeve, që është edhe një nga pikat e programit tonë ekonomik.

Bankat e huaja që operojnë aktualisht në Shqipëri janë piramida të mirëfillta, që realizojnë grabitjen e valutës të fituar me gjak e djersë nga emigrantët dhe populli shqiptar. Jo vetëm kaq. Ato janë shndërruar në litar në qafë të biznesit shqiptar. Duke shfrytëzuar momentet e krizës që po kalon vendi, ato madje po e shtrëngojnë edhe më shumë lakun në qafën e biznesit, duke e detyruar të zhytet edhe më thellë në borxhe, për të shlyer interesat e larta që u imponohen nga bankat. Praktikisht biznesi është në prag të falimentimit dhe Shqipëria në prag të kolapsit pikërisht për shkak të këtyre piramidave të paskrupullta që janë në shërbim të vendeve nga vijnë. PPR është e ndërgjegjshme për vështirësitë e qeverisë në mbylljen e këtyre piramidave, pasi ato kanë mbrojtjen e shteteve nga vijnë, por i kërkojmë qeverisë së paku të garantojë kursimet e shqiptarëve dhe konkurrencën në tregun e kredidhënies nëpërmjet Bankës Kombëtare Shtetërore të Kursimeve, që do të garantojë 100% paratë e shqiptarëve, por edhe do të japë kredi me interesa të ulëta për ata biznesmenë që synojnë investime për hapjen e vendeve të reja të punës. Të jeni të sigurt, se shqiptarët vetë, do ta bëjnë atë brenda një viti, bankën më të fuqishme në të gjithë Ballkanin. Kjo është Rilindja e vërtetë ekonomike, rruga që ne sugjerojmë. E dimë që është e vështirë, e dimë që do burrëri e trimëri, por kjo është e vetmja rrugë.

Marko Dajti

Kryetar i Partisë së Punës të Riorganizuar