Marko Dajti: 40 parti u mblodhën në “Luginën e ujqërve”

440
Fronti i Majtë denoncon publikisht marrëveshjen e koalicionit të PS-së me aleatët për zgjedhjet vendore. Mbi 40 parti u mblodhën në “luginën e ujqërve” për të arritur një marrëveshje ndër më të fëlliqurat në historinë e së majtës. Kryetarët e partive që e quajnë veten të majta apo komuniste u ulën në një tryezë me Bamir Topin dhe Shpëtim Idrizin. Çuditërisht FRD-ja paska qenë fryma e Rilindjes dhe ne nuk e paskemi ditur! Këto nuk janë koalicione për popullin, por për të mbrojtur interesat personale të kryetarëve. Fronti i Majtë ripërsërit qëndrimin e vet se nuk do të hyjë kurrë në të tilla pazare. Ne nuk duam të bëhemi pjesë e telenovelës “Edi Baba me 40 hajdutë”. Ne e provuam në kurrizin tonë pabesinë e Edi Ramës, këtij prestigjiatori politik që arriti të mashtrojë elektoratin i veshur me kostumin e së majtës. Pasi nënshkroi me ne një marrëveshje për zgjedhjet e 23 qershorit, pasi na vodhi në mënyrë barbare votat edhe pse ishim aleatë, ai e hodhi në kosh marrëveshjen jo vetëm me ne, por edhe me ata 40 njerëz pa moral që sot vazhdojnë t’i bëjnë temena. Edhe më e habitshme është të shikosh se si kryetarë partish që e quajnë veten komuniste, janë mbledhur në një tavolinë me mbeturinat e regjimit të Sali Berishës. Nga “mbledhja e ujqërve”, shpresojnë të teprojë ndonjë kockë. Tashmë është bërë e modës që politika të drejtohet nga njerëz pa moral. Pa moral kemi Kryeministrin, ministrat, deputetët apo kryetarët e partive. Nga ky llum i shoqërisë që e quan veten “elitë” nuk mund të presim asgjë të mirë. Nga ky llum që po na qeveris kemi mbetur për gjithë këto vite pa punë, pa shpresë, pa shpëtim. Ne i bëjmë thirrje popullit të mos braktisë atdheun, edhe pse këtu nuk po gjejnë të ardhme. E ardhmja është në dorën tonë, mjafton të përmbysim këtë klasë të kalbur politike të instaluar pas viteve ’90 që po i detyron shqiptarët të kërkojnë të ardhmen diku gjetkë. Vetëm sot në Kukës 80 nxënës kanë braktisur bankat e shkollave për të emigruar jashtë vendit. I bëjmë thirrje popullit dhe rinisë që të mos dorëzohet në këtë betejë të madhe. Është lufta për të ardhmen. Të gjithë bashkë t’i dalim zot këtij vendi të bekuar që ka vend për të gjithë. Ka ardhur koha që t’i jepet fund një herë e mirë kësaj situate tragjikomike. Socialistët dhe të majtët e vërtetë duhet ta kuptojnë se, fatkeqësisht, këto dy vjet treguan se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga Edi Rama dhe Erjonkat që ai mban pas vetes. Nëse të majtët kërkojnë një shpresë, ajo duhet ushqyer që të qëndrojë e gjallë. Dhe fryma e shpëtimit nuk mund të jetë fryma e nënshtrimit.
Sigal