Marko Bello:Dhënia e statusit nuk na vlen, po nuk u shoqërua me çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë

456
Sigal

Deputeti Marko Bello, anëtari i Komisionit të Integrimit të Kuvendit, në intervistën për “Telegraf” thotë çfarë duhet të ndryshojë në politikë-bërjen, në konceptimin e emancipimit demokratik të shoqërisë, që Shqipëria të bëhet jo juridikisht, anëtare e BE-së, por që shqiptarët të arrijnë standarde demokratike europiane në të jetuarit, në të menduarit, në të sjellurit me njëri-tjetrin, në shoqëri.

– Zoti Bello, integrimi i Shqipërisë në BE ka të bëjë thjesht me plotësimin e disa kritereve, të lidhura me kuadrin ligjor, apo me sjellje të kulturës demokratike?

Anëtarësimi i një vendi në BE është një proces i gjatë dhe kompleks, i cili lidhet me plotësimin e kritereve të Kopenhagënit të vitit 1993 e që janë:

1) kriteri politik që ka të bëjë me ekzistencën e institucioneve të qëndrueshme,

2) kriteri ekonomik që presupozon ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale,

3) adoptimi i plotë i asaj që njihet si “acquis” komunitare,

4) krijimi i strukturave administrative dhe gjyqësore që do të mundësojnë adoptimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE. Sigurisht, realizimi i këtyre kritereve nuk kërkon vetëm kontributin e qeverisë, por ka nevojë për impenjimin dhe përfshirjen e të gjithë shtetit dhe shoqërisë.

– Që të ndryshojë, në progres sjellja e kulturës demokratike e  popullit, është e mjaftueshme vetëm një ndryshim i politikë-bërjes në përgjithësi?

Absolutisht jo. Ndërrimi i kuajve nuk është i mjaftueshëm që “karroca” e pushtetit të jetë më eficente. Duhet një sinergji dhe entuziazëm i të gjitha kapaciteteve të shoqërisë. Sa më gjithëpërfshirës të jetë procesi, aq më i garantuar do të jetë edhe suksesi i tij. Ndryshimi i qeverisë, duhet shoqëruar me reforma konkrete dhe të guximshme, për të cilat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Retorika politika nuk i thotë asgjë qytetarit, përveçse mban të lartë tensionin politik, duke minuar demokracinë dhe lëkundur besimin e qytetarit, i cili pret zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme.

– Si shtet, si shoqëri, ne jemi gati që, edhe nëse marrim statusin kandidat në dhjetor, që të pretendojmë se duhen filluar me BE-në,  bisedimet për anëtarësim të plotë?

Aktualisht, problemet me të cilat po ballafaqohemi sa vijnë e shtohen dhe janë bërë disi të koklavitura. E kam fjalën për territorin që është jashtë çdo kontrolli ligjor, problemet e pronës, sigurinë e qytetarit, papunësinë në rritje, polarizimin e frikshëm, mungesën e perspektivës tek shumica e të rinjve, të cilët fatkeqësisht nuk gjejnë asnjë mundësi reale për të organizuar jetën dhe ndërtuar të ardhmen këtu…. Pra, thjesht dhënia e statusit të vendit kandidat në BE nuk na vlen, nëse nuk shoqërohet me çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në strukturat e tij. Mirëpo, nuk është çudi që disa vende anëtare mund të kërkojnë më shumë kohë dhe më tepër prova që të binden se qeveria e re e ka seriozisht integrimin në Europë….Kështu që, nuk është e pamundur që gjithçka pozitive të ndodhë nga viti 2014.

–  A nuk ka një kontradiktë me ne shqiptarët: Që një e treta e popullsisë tonë, duke jetuar për një kohë të gjatë në emigrim në vendet e BE-së janë integruar plotësisht në shoqërinë europiane, ndërsa në Shqipëri ndihen të gjithë jo europianë?

Ne jemi një vend i vogël, por me kontradikta të mëdha. Ju përmendet vetëm njërën prej këtyre kontradiktave. Krejt paradoksalisht, disa prej shqiptarëve që jetojnë në Greqi Itali, Gjermani e gjetkë, kur vijnë për pushime në Shqipëri, në vend që të përcjellin kulturën dhe respektimin e ligjit që karakterizon këto vende, bëjnë të kundërtën, duke shkelur rregullat e qarkullimit. Sikur ambientohen me mosrespektimin e ligjit, në vend që të jepnin shembullin se si ligji duhet zbatuar, ashtu sikurse veprojnë në vendet ku jetojnë….Vendin e kemi të mrekullueshëm, duhet që ne ta meritojmë atë dhe të mos e dëmtojmë, sikurse jemi sjellë këto vite ndaj natyrës dhe njeri-tjetrit. Duhet të reflektojmë të gjithë dhe të përmirësojmë sjelljen, duke qenë më të duruar, më zemërgjerë dhe solidarë ndaj njeri-tjetrit.

 – Cilat shkaqe e ushqejnë këtë të keqe?

– Shkaqet janë të shumta, por unë do të doja të ndaja me ju disa prej këtyre shkaqeve, të cilat njerëzit e thjeshtë e të mënçur i dinë dhe i shprehin, por që fatkeqësisht nuk janë dëgjuar dhe respektuar prej politikës, e cila merr shpeshherë vendime në kurriz dhe në dëm të popullit. Një shtet ku agresiviteti midis dy gjysmave, PD-PS, shfaqet hapur që nga mëngjesi deri në darkë, ku njëra gjysmë nuk pranon dhe kërkon ta asgjësojë gjysmën tjetër, ku njëra palë kërcënon me burg, ndërsa pala tjetër e bën veshin e shurdhër dhe vijon të grabisë dhe tjetërsojë pronën publike dhe atë private, ku ajo që ishte opozitë ndryshon tërësisht sa vjen në pushtet, ndërsa pala që humbi pushtetin kërkon ta rimarrë me të gjitha mënyrat e nuk mendon për njerëzit që i kanë votuar, do të çojë detyrimisht në eksese dhe tensionim të shoqërisë.

– Cili është modeli që ndërtojmë, ku po shkojmë vallë?

– Përse ligji shkelet hapur dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë?

Në një gjendje të tillë, njerëzit e dëshpëruar, të papunë e të pashpresë, të stresuar dhe në panik për të ardhmen e pasigurt të tyre dhe fëmijëve të tyre, shpërthejnë në vrasje, vetëvrasje dhe veprime të pakontrolluara….Një popull që nuk fiton dhe as nuk merr të drejtat dhe shërbimet që i takojnë, që i vidhet prona, që harxhon kursimet dhe ndërton kuturu, i pa orientuar dhe asistuar nga institucionet e shtetit, ky popull rrezikon të humbasë edhe shpresën…

– Qeverisja e re e së Majtës, çfarë duhet të ndryshojë më politikë-bërjen e saj, në mënyrë të atillë, që periudha e tranzicionit, nga kohëmarrja e statusit deri në anëtarësim të plotë në BE të mos jetë kaq e stërzgjatur?

Në radhë të parë, qeveria e re duhet t’i kthejë qetësinë dhe sigurinë e jetës qytetarit. Pasiguria për jetën, si e drejta themelore e çdo qytetari, tani është bërë një problem shumë shqetësues. Qeveria që vjen në shtator do ta ketë këtë një sfidë të madhe. Dalja nga kjo gjendje krize është sa problem formimi, pjekurie, qetësie, kulture, gjykimi të shëndoshë, aq sa është edhe problem i rendit, i veprimtarisë dhe punës së institucioneve të shtetit, të policisë, të drejtësisë, etj.. Këto institucione, duhen vënë patjetër në pozita pune, përndryshe, për çdo gërvishtje makine, për çdo shikim të vëngërt, për çdo fjalë të nxituar, do të kemi viktima të tjera të pafajshme.

Së dyti, qeveria duhet të sigurojë një tjetër të drejtë themelore të njeriut, të drejtën për punë.

Së treti, arsimi dhe shëndetësia, por edhe shërbimet ndaj qytetarit në zyrat e shtetit duhet të ndryshojnë rrënjësisht…Lufta kundër korrupsionit, krimit, trafiqeve ta paligjshme duhet të jetë në fokusin e kabinetit të ri. Duhet kombinuar rritja e ekonomisë, ndërtimi, reformat me zhbërjen e fenomeneve negative që po e mbysin shoqërinë dhe po i heqin motivimin të rinjve se jetohet duke punuar ndershmërisht dhe jo përmes mashtrimeve, abuzimeve dhe grabitjes…

Konflikti midis Bashkisë dhe Kishës në Përmet nuk do ndikojë në marrjen e statusit

– Ka disa mendime që konflikti midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse, ishte i qëllimshëm, ishte një prapavijë politike. Cili është mendimi juaj?

Nuk kam detaje konkrete që të mund të konkludoj, por ka qenë pa dyshim një ngjarje që duhej të ishte evituar. Nuk them se duhej të mbetej pa zgjidhje, sikurse ka ndodhur këto 10 vjet, por është dashur një qasje më e matur, duke shmangur sensibilitetet dhe duke proceduar përmes dialogut. Sigurisht, ligji duhet zbatuar dhe kjo s’ka diskutim, por mënyra duhej të ishte më njerëzore, më dashamirëse. Fatkeqësisht, dëgjojmë majtas e djathtas nesh njerëzit që shprehen përgjithësisht për zgjidhjen e konflikteve të natyrave të ndryshme me mjete të ashpra. Ka shumë politikanë gjithashtu që dëgjohen tek thërrasin për arrestime, dënime, burgime. Shkelësit e ligjit duhet të dënohen, por më shumë se sa burgimi i tyre, më i rëndësishëm është parandalimi i krimit apo i thyerjes së ligji dhe, sidomos, detyrimi me ligj për pagimin e dëmit, pra zhdëmtimin deri në një të të dëmtuarit.

–  Mendoni se konflikti midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse do të ketë pasoja në vendimmarrjen e BE-së për statusin kandidat?

Nuk dua ta besoj një mundësi të tillë, ndonëse kemi patur precedentë në të kaluarën, që na kanë vendosur në pozita të vështira përballë partnerëve tanë. Pavarësisht nga ndonjë rast sporadik, ne jemi një vend ku bashkëjetesa dhe toleranca fetare apo mbi baza etnike janë për t’u vlerësuar. Ata që qeverisin duhet gjithmonë të kenë parasysh përvojën pozitive që ka akumuluar populli ynë, i cili ka rrezatuar vetëm pozitivitet dhe miqësi ndaj fqinjëve.